Mjekët raportojnë te Presidenti: Ka kompani që duan të zëvendësojnë testin PCR për interesa financiare

Postuar në 25 Nëntor, 2020 13:49

 

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar të mërkurën e sotme një takim online duke diskutuar me disa mjekë për situatën e pandemisë së koronavirusit në vend.

Takimi moderohet nga drejtori i kabinetit të Metës, Edmond Panariti, me prezencën e Petrit Vasilit dhe Tritan Shehut.

Ky i fundit ka kërkuar që autoritetet mjekësore të 5-fishojnë numrin e testeve PCR. Shehu nënvizoi se është e rëndësishme që të kryhen testet PCR për identifikimin dhe izolimin e të infektuarve, dhe jo testet e shpejta imunologjike dhe serologjike.

Ai tha se ka disa kompani që duan të zëvendësojnë testin PCR me testet imunologjike, për arsye financiare.

“Sot gjendja është jashtë kontrollit, nesër do të jetë dhe më jashtë kontrollit, me të filluar edhe viroziat sezonale. E vetmja mënyrë për të identifikuar dhe vënë diagnozën, është pozitiviteti i rezultatit të testit PCR. Ne jemi sot në rreth 1400 testime në ditë, janë shumë pak. Të tjerat janë testime private me pagesë. Kjo kërkon menjëherë, duhen së paku pesë fishuar testimet gratis për popullsinë. Testime PCR flas, jo testime imunologjike. Është e vetmja mënyrë për të identifikuar, izoluar kontaktet. Së dyti, ju folët për testimet e shpejta. Nuk duhet të krijojmë konfuzion, testime të shpejta duhen PCR. këtu ka ca interesa financiare nga ca kompani që duan të zëvendësojnë testin PCR me teste të shpejta”, u shpreh Tritan Shehu.

Nga ana e tij Petrit Vasili u shpreh se është e nevojshme vijë zjarri në tërë teritorin e vendit.

“Strategjia e testimit duhet të jetë perfekt. Duhet të ketë një dekoncentrim të situatës. Është pandemi e duhet vijë zjarri në të gjithë territorin”.

Ndërsa mjeku Arjan Mezini, tha se është e nevojshme testimi i së paku 800 personave të dyshuar si të infektuar në ditë.

“Testimi masiv është shumë i rëndësishëm, edhe për shkak të shkëputjes së zinxhirit të infektimit. Ne duhet të testojmë së paku 800 vetë në ditë. Nuk mund të ketë shfajësim. Vendeve europiane nuk iu ka dalë jashtë kontrollit, por ata po zbulojnë rrënjën e infeksioneve”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.