Policia morale e Perëndimit

Postuar në 23 Nëntor, 2020 17:47

Dje, presidenti Donald Trump, postonte në tuiter këtë status:

Pse po formon kaq shpejt një cabinet Joe Biden kur hetuesit e mi kanë gjetur qindra mijëra vota të rreme, mjaftueshëm sa për të “përmbysur” të paktën katër shtete, të cilat janë më shumë se duhet për të fituar Zgjedhjet? Me shpresë se Gjykatat dhe/ose legjislatorët do të kenë Kurajën për të bërë çfarë duhet bërë për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve tona dhe të vetë SHBA. BOTA PO SHEH!

Sigurisht që fraza “hetuesit e mi” është problematike në raport me pretendimin zyrtar se SHBA është një demokraci ku parim kryesor është ndarja e pushteteve. Por në çdo rast ky është një status në një media ku retorika, demagogjia dhe provokimi kanë qenë përherë pjesë e përmbajtjes së mesazhit politik. Dhe media që e përcjellë këtë përveç se kur është mashtrim, fyerje, gjuhë urrejtjeje, nuk mund ta censurojë, sidomos kur kemi të bëjmë me opinione personale në një profil personal. Pra askush nuk ngatërron mesazhin e Donald Trump në këtë rast me politikën e Tuiter.

Mirëpo poshtë mesazhit rrjeti social ka vënë shënimin: Kjo shpallje për mashtrimin zgjedhor është kundërshtuar. Nëse klikon aty Tuiteri të çon në një përmbajtje tjetër sipas të cilës “mashtrimi i votës i çdo lloji është shumë i rrallë në SHBA, konfirmojnë ekspertët”. Dhe referenca e Tuiter janë Associated Press dhe Reuters, Departamenti i Çështjeve të Brendshme etj..

Këtu një media si Tuiter ndërmjetëson te lexuesi një rol që nuk e ka duke mbajtur qartazi krah dhe duke ushtruar ndikim për një çështje që aktualisht është më së pari LIGJORE. Nëse do ta bënte këtë në mënyrë të paanshme, atëherë çdo mesazh propagandistik i figurave publike që merr komente negative, kontestuese, duhet të ketë atë poshtëshënim që sot i vihet Trump. Të njëjtën gjë bën edhe Facebook, një kompani e provuar se përdor të dhënat e përdoruesve për qëllime fitimi, që i shet dhe blen ato përkundrejt çdo lloj norme dhe sigurie.

Këtu nuk kemi të bëjmë me një episode, me një incident, ku “anomalia” Trump kërkon përgjigje të jashtëzakonshme. Këtu kemi të bëjmë në fakt me Luftën III Botërore që është pikërisht për TË DREJTAT të cilat po respektohen "formalisht" duke u shkelur në substancë, përderisa kufijtë e shprehjes invadohen nga mjete teknologjike në dukje, por që janë shprehje e një linje editoriale që në manifestimin e vet më tiranik refuzon të pranojë si normale, apo të bashkëjetojë me TJETRIN, përfaqësuar në këtë rast nga Trump.

Cili është dallimi i Tuiterit dhe Facebook nga policia Fetare e Iranit? Asnjë dallim nuk ka. Thjesht te karakteristika e represionit që ushtrohet: në SHBA represioni është privacion dhe heshtje, në Iran burgosje dhe dhunë. Por në thelb parimi është i njëjtë: duhet të flasin dhe amplifikohen ata që duhet dhe jo të tjerë. Kush mendon se kjo është një masë për të ujitur pemën e demokracisë, ndoshta e ka gabim. Sepse mesa duket ne po shohim simptoma të një diktature që mundet të jetë edhe Etike në dukje, teksa shet dallimin i shkolluar/i pa shkolluar në votuesit amerikanë, por në bazë ajo është në themel për interesa ekonomike dhe për orientimin e botës në kohën e sotme.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.