Greenland, emocioni i afrimit të Fundit

Postuar në 21 Nëntor, 2020 02:33

Greenland. Ky është titulli i një filmi të shfaqur së fundmi me protagonist Gerald Butler dhe Morena Baccarin. Tema e filmit është e njohur dhe rrahur gjerësisht në kinemanë e pas viteve ’90: shkatërrimin e planetit nga një goditje kozmike. Në këtë rast nga një kometë e cila shfaqet papritur në radarët e agjencive hapësinore, të cilat kuptojnë se qytetërimi është duke u përballur me fatin e dinosaurëve.

Në thelb katastrofa e inskenuar në mënyrë shkencore me të gjitha efektet e mundshme të një goditjeje të tillë e dikton narrativën e filmit që ka në qendër mbijetesën e një familjeje. Por filmi arrin megjithatë të përcjellë tensionin dhe ankthin e lartë në një ngjarje të tillë, sepse injoron klishenë e zakonshme në kësi rastesh ku heroi i filmit jep garanci për mrekullinë shpëtimtare. 

Nuk ka një të tillë. Ka një përpjekje njerëzore për të arritur në Greenland aty ku ka disa bunkerë nëntokësorë ku do të strehohen ata që janë përzgjedhur nga qeveritë. I ngjashëm me një docudrama që huazon një skenar të dokumentuar dhe që statistikisht do të ngjasë sërish, Greenland meriton të shihet sepse përcjell njerëzoren në këtë moment final të jetës. Sepse e bën shumë real emocionin e afrimit të Fundit. Dhe njerëzorja është familja, njerëzorja është frika, mbijetesa, dashuria dhe në fund edhe pranimi i fatit tonë të mbyllur në këtë planet e që nuk varet prej nesh. Kush mbijeton dhe pse? Cili është sensi i bindjes ndaj normës dhe ligjit kur në fund jeta mund të marrë edhe këtë kahje?

Fragmenti më i madh godet Europën Perëndimore, që ngjan krahasuar me të mbijetuarit si një viktmë aristokratike sakrifikimi i së cilës krijon mundësi për një nisje të re. Edhe pse kjo nisje është zgjidhur në film në një mënyrë shumë teatrale dhe klishe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.