Teza "Bashkim - Vëllazërim"

Postuar në 14 Nëntor, 2020 01:16
Skerdilajd Zaimi

 

Kooptimi si zv.ministër i Financave i Besart Kadisë duket se është një paradhënie për rekrutimin e tij. Në një intervistë në “Zonë e Lirë”, Kadia është pyetur nëse do të pranonte të anëtarësohej në Partinë Socialiste: 

PS është parti në qeverisje, i jam bashkuar si ekonomist. Nuk kam hyrë në pazar. Pavarësisht përplasjeve, që janë publike, të gjitha ka qenë në të mirë të vendimmarrjes, në të mirë të ekonomisë së vendit. Bashkëpunimin do ta çoj të plotë, nëse Rama ka ndërmend të bashkëpunojë për mua edhe në formën e përfaqësimit politik, po. Unë jam në radhë të parë ekonomist, idetë janë të para pastaj vijnë përkatësitë politike. Unë s’jam funksionar i PS-së në këtë post, por i shtetit shqiptar.

Kemi përballë sfidën për t’u integruar në BE, janë çështje që i interesojnë shtetit shqiptar. Në pozicionin që jam, jam i paveshur nga politika. Kjo s’do thotë që s’do mbështesë nëse jemi një linjë me qeverinë Rama

Përtej alibive bajate se çdo gjë po bëhet për të mirën e Shqipërisë, rasti Kadia mundet të shërbejë këtu për të bërë një lloj progonoze mbi atë që po kërkon të arrijë kryeministri Rama në kuptimin e asaj çfarë ajo mund të thotë, apo mundësive që krijon. Duke qenë se në afrimin e tij drejt qeversijes dhe sidomos me lehtësinë me të cilën ai pranon kalimin eventual drejt PS-së, ka shumë pak transparencë, është objektive të lexohet këtu një lëvizje që lidhet ngushtë me zgjedhjet e 25 prillit 2021, por edhe më tej. 

Së pari z. Kadia është një episod interesant për të testuar idenë e shumëpërfolur të bashkëqeverisjes PS-PD. Nëse është kështu nuk ka pse të çuditemi që në javët në vijim të shohim të tjerë ekselentë që nuk i zë gjumi për Shqipërinë që kalojnë nga PD-ja te PS-ja. Që këtu kemi të bëjmë me një lloj testimi këtë na e jep të kuptojë ajo që ndodhi me partinë e Jozefina Topallit pak ditë më parë.  Mund të shtojmë se ky testim ka edhe një element shantazhi që ka të bëjë me kërcënimin ndaj PD-së se mund t’i ikin njerëzit.

Së dyti, z. Rama që ka disa ditë që flet për demokratët në takimet e veta nëpër qytete të Shqipërisë, dërgon një mesazh konkret te baza demokrate të cilës i thotë se “me mua vini në pushtet”. Mesazhi në fjalë aktualizon me forma të tjera diversionin e tij ndaj aleancës PD-LSI, të cilën mesa duket Lulzim Basha nuk po di si ta zhbëjë pa kosto. Nga kjo pikëpamje kjo lëvizje, sado periferike njofton se politika po kërkon ta mbyllë porozitetin e vet për të tentuar një skemë dyshe vendimmarrjeje. Ilir Meta është në këtë kuadër pengesa kryesore ndaj të cilit ende sot z. Rama nuk po guxon të veprojmë me mekanizma penalë, ndonëse akuzat nuk kanë munguar.

Së treti, lehtësia me të cilën z. Rama afron njerëz të tillë në partinë e tij personale, ilustron më së miri se teza e tij e vjetër dhe e dalë boje “Përtej të majtës dhe të Djathtës” është shndërruar në devizën: "Bashkë, përtej të majtës dhe të djathtës”. Dështimi në procesin e integrimit dhe pafuqia e PD-së për të ardhur e vetme në pushtet, apo për të kërcënuar realisht pushtetin e z. Rama, krijon kushtet që ky kombimim të ngjajë i natyrshëm dhe në emër të Shqipërisë.

Së katërti, me këtë bashkim eventual, rruga e krijimit të partive të reja në mos mbyllet, praktikisht shkretohet, pse sot është shumë e pagjasë që dikush të ndërmarrë nisma për të konkuruar këtë bllok që akaparon mbarë vendin, por që në momentin e tanishëm do të vetëdisponohet me segmentin e fundit të narrativës së Integrimit. Bashkë drejt Europës, ja një përrallë që do të hidhej si karrem për dekadën e ardhshme.

Së fundmi, z. Rama tanimë duket se nuk e ka ambicien e drejtimit ekzekutiv të vendit dhe një formulë për daljen e tij prej aty ku është do ta gjenin. Sot Gramoz Ruçi e quante Edi Ramën LIDER, diçka që nuk e ka thënë as për Fatos Nanon, të cilit i thoshte përherë ‘Kryetari’. Çka do të thotë se projekti që z. Rama ka për veten është ai i deliruar prej kohësh e që është i një lloj patriarku të politikës mbarë shqiptare. Pak rëndësi ka këtu autoriteti, pasi për njerëz të këtij kallëpi rëndësi ka suksesi. Një mënyrë për ta arritur këtë është ideja e bashkimit, kaq e vështirë për shqiptarët. Dhe bashkimi PS-PD do të përdoret si model për bashkimin e politikës në mbarë trevat shqiptare. Z. Rama bëri çmos të bashkonte faktorin politik në Maqedoninë e Veriut, më saktë të kapitalizonte bashkimin e tyre. U vetëautorizua si njeriu i marrëveshjes me Serbinë, mbështeti Hashim Thaçin në marrëzinë e ndarjes së Kosovës duke e lënë atë në mëshirë të mbështetjes politike nga Shqipëria; tentoi një manovër në Mal të Zi, por dështoi.

Tani po përsërit veten në Shqipëri ku ka një sfidë të re që ka të bëjë pikërisht me këtë narrativë: Vetëvendosjen. Ligjërimi i kësaj të fundit e pajtuar me imazhin kanë mundësuar që ajo të kapërcejë kufijtë psikologjikë dhe krahinorë e të jetë embrioni i parë një formacioni mbarëkombëtar. Ky realitet duket se ka nisur të kurdisë shqetësimet politike të z. Rama që po do ta izolojë këtë pol të ri përmes zgjerimit të konsensusit aty ku mund ta blejë atë. E mandej ta përhapë këtë si model në mbarë botën shqiptare, për të kërkuar atë aureolë që e pretendoi dikur Sali Berisha, por të cilit nuk ja linte Rugova. Fundja siç thotë edhe vetë "më të mirë se Ai nuk ka"!!!

Sigurisht që pas këtij planin eventual të skicuar përgjatë gjithë kohës që nga viti 2016 e pas, z. Rama ka edhe aftësinë e tenderimit të besimit dhe mirënjohjes së kujtdo që i afrohet. Janë paratë publike ato që shpërblejnë lëvizje të tilla që duket se janë sinjale të një ambicieje personale që do ta bënte Shqipërinë të pajetueshme pse do të vendosej nën një narrativë të monopolizuar dhe kryekëput të gënjeshtërt. Dhe kjo kryesisht sepse e djathta shqiptare ka pushuar së ekzistuari.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.