Kujt i flet z. Ruçi dhe PS?

Postuar në 13 Nëntor, 2020 16:07
Skerdilajd Zaimi

 

Shoqëria shqiptare ka përpara probleme shumë të mëdha duke parë se cilie është regjistri elektoral që përdorin partitë kryesore politike. Gramoz Ruçi, një ndër figurat kryesore të Partisë Socialiste, ka ngritur në piedestal sot nga Fieri, kryetarin e partisë së tij, kryeministrin Edi Rama.

E para është vizioni, e dyta ambicia dhe e treta energjia. Jemi krenar që kemi lider Edi Rama, lideri duhet të kenë vizionin, ambicien dhe energjinë. Ne kemi me çfarë të ballafaqohemi me liderin tonë, pasi nuk ka konkurrentë të tjerë, është vendi i parë Rama, shumë vende bosh dhe më pas dikush që do të kandidojë.

Ne jemi krenarë për subjektin politik që përfaqësojmë, e këtë krenari na e jep puna që kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë. Sigurisht që është e kotë ta përsëris që gjetëm një vend tërësisht në reanimacion  dhe e shpëtuam në mandatin e parë.  Në mandatin e dytë gjithë Shqipërinë e kemi ngritë në këmbë, pavarësisht tërmetit të vitit të kaluar apo pandemisë që kemi nëpër këmbë. Asnjë komunë nuk kishte asfaltim. Jemi këtu pasi ka mbaruar asfaltimi i të gjithë fshatrave. Kishte mbi katër dekada që fermerët nuk mbillnin dot, pasi kanalet nuk ishin zënë me dorë

tha Ruçi.

Zotëria ka mbi 30 vjet në politikë dhe ka qenë në detyrë edhe para regjimit pluralist. Në këtë kuptim zoti Ruçi e di shumë mirë se të paktën vizioni nuk është pjesë e ndonjë aspekti të qeverisjes së z. Rama, që mundet të jetë një takticien I mirë për intriga korridori, apo përn të dëmtuar kundërshtarët e vet politikë, por nuk është në asnjë rrethanë ndonjë vizionar. Të flasësh për vizion dhe ta ilustrosh atë me sipërfaqe asfaltimi është kontraktim logjik, sepse vizioni me aq sa dimë ka të bëjë me përfytyrimin se ku do të orientosh vendin, apo veten. 

Por në një pikë z. Ruçi ka të drejtë kur flet kështu. Dhe mesa duket këtë e ka kuptuar edhe z. Rama. Mënyra sesi ata flasin, sesi zgjedhin fjalët dhe se çfarë thonë, në të vërtetë është një apel për një pjesë të shoqërisë që ose kanë nivel të ulët arsimor, ose kanë interesa të caktuara punësimi, ose naivisht besojnë se çdo fasadë është një nder dhe begenisje që qeveria po u bën. Në të vërtetë qeveria e Shqipërisë drejton një vend që mbetet rregullisht në vend të fundit për cilësi jetese dhe në vend të parë për korrupsion.

Për të arritur këtë status duhet fare pak: të vjedhësh dhe të lësh të vjedhin. Ndaj vizioni nuk shihet kund veç në mos qoftë një projekt për të marrë në pronësi mbarë Shqipërinë. Në këtë kuadër zotëria nuk flet për ata që janë kundër, për ata që ngrenë dyshime dhe kundërshtojnë. Jo, këta partia i ka vënë në listën e kuqe. Ai flet për kategorinë tjetër që sa vjen e kupton përherë e më pak, por pikërisht përmes këtij procesi thirret përherë e më shumë të jetë rol në jetën politike. Pushteti si ky i z. Rama, kombinuar me sektarizmin që kultivojnë njerëz si z. Ruçi dhe indiferencën që provokon një gjoja opozitar si Lulzim Basha, arrin patjetër të korruptojë shumëçka dhe të neutralizojë sin irelevante një pjesë që mbetet. E bën atë të duket pa zë dhe si e huaj në një hapësirë ku ligjërimi uniformizohet me nevojat për suksesin imagjinar.

Më tej akoma, ky pushtet për të cilin nuk ke nevojë të lodhesh për ta mbajtur, korrupton edhe percpetimin e vet, duke deformuar perspektivën mbi gjërat dhe zhvillimet, pse në fund fare, të qenit i pacenueshëm ushqen iluzionin se je i vetëm dhe i gjithëfuqishëm. Madjem legjitim pikërisht në këto cilësi që nuk ka sesi të konkurohen e lëre më të sfidohen. Nëse do të ishte ndryshe, z. Ruçi nuk do të mund të fliste kështu, ndërkohë që z. Rama i cili shkumëzon kundër mediave, do të ishte shumë më i kujdesshëm në romuzet dhe cinizmin e tij, të cilat aktualisht i ka më tepër simptoma të një sëmundjeje personale psikologjike ndaj mediave sesa problem real.

E vërtetë, fusha është bosh. Por ky cilësim prej një politikani të vjetër ka rrezikun se e vendos partinë e tij që ka bërë shumë dëme në këtë vend përballë një domosdoshmërie historike për ta luftuar deri në asgjësimin e plotë, madje nxjerrje jashtë ligji nëse do të duhej, për shkak se ajo po përcakton me mënyrën sesi akaparon burimet njerëzore një mënyrë të menduari dhe bindjeje politike që i vendos shumicën e qytetarëve në raportin e rajsë përkundrejt një bejlurçine që shërbehet për paradoks si alternativa më e mirë. Nëse është vërtet se Shqipëria kaq mund të prodhojë, deri këtu mund të shkojë vizioni i rinisë dhe elitës së saj, atëherë na duhet të pranojmë katastrofën dhe dështimin si brez dhe të urojmë më të mirën për shqiptarinë jashtë kufijve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.