Një fitore pa alternativë për të cilën nuk po gëzon kush

Postuar në 06 Nëntor, 2020 00:55

Bindja se Joe Biden po shkon drejt Shtëpisë së Bardhë, referuar votave të numëruara deri më tani, duket se është përfundimtare. E pagjasa ka ndodhur por pa sjellë përmbysje: përpara se Biden të fitojë, është Trump që ka humbur. Dhe forca e lajmit ka vlerë kushtëzuese me çdo fitore në botën e sotme.

Media kundërshtare të Donald Trump befas janë “kthjelluar” për të marrë në analizë arsyet se pse ai nuk u mund bindshëm. Pse Trumpizmi arriti të mbledhë kaq shumë vota duke zvogëluzar fitoren eventuale të Biden. Edhe gazeta “The Guardian”, një thuajse armike e presidentit amerikan, thuajse në të njëjtin nivel me revistën e njohur gjermane “Spiegel”, shkruan se Biden përfaqëson një moment çlirues për atë që përjeton perëndimi, por jo korrigjues.

Duke e akuzuar kandidatin demokrat si një përfaqësues të korporatave si Hillari Klinton, si dikush që nuk ka pranuar politika të majta si ato për shëndetin publik, duke injoruar votuesit me origjinë latine, autori Nathan Robinson vë në dukje se sforcoja e pasuksesshme e demokratëve ka mangësi strategjike:

Po, Trump mund të mposhtej tërësisht, por 2016 provoi njëherë e përgjithmonë se establishmenti i demokratëve thjesht nuk ka një mesazh efektiv që të mund të përballin Trump. Lidershipi i partisë injoroi mësimet që duhet të kishte mësuar në katër vitet që lamë pas. Në vend të kësaj, strategjia e demokratëve është përkufizimi më i mirë i marrëzisë: bëj të njëjtën gjë sërish dhe sërish duke pritur një rezultat të ndryshëm

Duke konsideruar se rezultatet e vitit 2016-2020 dëshmojnë se “diçka shumë shqetësuese po ndodh me Partinë Demokratike”, e cila në vend se të nxirrte jashtë loje një njeri si Trump, ndodhet sot në kushtet kur fitorja e saj është e sfidueshme në çdo moment. Një parti si kjo e sotmja nuk është alternativë dhe ky pohim paszgjedhor provon sesa i njëanshëm ka qenë qëndrimi i të gjitha mediave kryesore në botë. Të cilat mbështetën një alternativë nominale kundër Trump, duke ditur se nuk është një alternativë politike. Mundet të tingëllojë si një detyrë patriotike dhe në funksion të demokracisë, por tërësisht jashtë misionit të deklaruar të medias dhe një simptomë e një krize realisht të rëndë ku media luan si parti më vete.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.