Lajmi i mirë i bastisjes së shtëpisë së "të paprekshmit" Hashim Thaçi

Postuar në 06 Nëntor, 2020 12:40

Misioni europian për ligjin në Kosovë, ka kryer sot procedura kontrolli në shtëpinë e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Media e Kosovës i quan këto procedura 'bastisje' dhe nga raportimet e ndryshme ka rënë në sy anormaliteti procedurial i tyre pasi qoftë për Thaçin, qoftë për Veselin, hetimet quhen të përmbyllura dhe nuk ka arsye për kontrolle të mëtejshme.

Përtej këtij aspekti, interes parësor këtu ka statusi i ri i këtyre njerëzve në raport me Drejtësinë dhe ligjin. Ndalimi dhe deportimi i tyre po bëhet për akuzën e krimeve të luftës, një ngjarje kjo për të cilin shumë kosovarë nuk duan të hapet asnjë dosje dhe për të cilën duan ta rrëfejnë si diçka që shkon në kufijtë e legjendës.

Aktakuza lidhet me një temë për të cilën sovraniteti kombëtar dhe shetëror nuk vlen. Të paktën jo në këtë rend ndërkombëtar që njohim dhe në këtë pikëpamje, askush nuk ka të drejtë të japë gjykime politike mbi një proces që nga një pikëpamje është i domosdoshëm. E rëndësishme është që në turinjtë e politikës kosovare ka ardhur një grusht real që ka vlerën e vet madhore edhe në aspektin viziv. Është gjë e rrallë në një shtet të korruptuar që zgjedh presidentin me sms, të shohësh bastisje në shtëpitë e njerëzve që janë vetëshpallur të paprekshëm. Aktakuza për korrupsion dhe banditizëm nga ana tjetër është e përditshme dhe e gjithanshme ndaj këtyre njerëzve dhe enturazhit të tyre, por ajo nuk i çon asnjëherë ata pas hekurave. As edhe mundëson ndonjë shqyrtim ligjor. Kjo është një aktakuzë që i forcon dita – ditës sepse korrupsioni përhapet në të gjithë drejtimet.

Ata që sot vajtojnë se Kosova po goditet, se lufta e saj po merr goditje, ose nuk kuptojnë, ose fshihen pas gishtit. Kosova ka sot fatin të shohë të shprishur atë raportin thuajse të parashkruar si Kushtetutë informale se politika nuk preket. Sot Kosova sheh Hashim Thaçin që shoqërohet në qeli si çdo qytetar tjetër. Ja një e mirë e Protektoratit në vende që nuk arrijnë dot të thonë se e bardha është e bardhë. Imagjinon dot kush që nesër, një prokuror, apo një polic të mësyjë në shtëpinë e Edi Ramës në Surrel me akuzën e thjeshtë si kristali e të cilën e beson edhe ai vetë me gjasë: Je i korruptuar dhe do gjykohesh? Apo atij zuzarit në Presidencë që po ngjan përherë e më shumë si ata të lajthiturit e çdo qyteti që vijnë vërdallë e si dëgjon kush?

Jo, sepse në Shqipëri konspiracioni më i madh është ai i mosbesimit tek e nesërmja.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

"...ka rënë në sy anormaliteti procedurial i tyre pasi qoftë për Thaçin, qoftë për Veselin, hetimet quhen të përmbyllura dhe nuk ka arsye për kontrolle të mëtejshme."

Po nxjerrja e dokumentave te prokurorise dhe gjykates eshte mbyllur si hetim, meqe thoni qe quhen te permbyllura hetimet?!

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shko pyete Hashimin dhe Kadrine, e jo redaksine.
"Permbylljen" nuk e mendon Redaksia por ata dy. Shume keq qe cdo shkrim te Republikes e kupton anapolla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.