Kur Moravia rrëfente Amerikën e ditëve të sotme

Postuar në 03 Nëntor, 2020 17:35
Paolo Di Stefano
 

Është e habitshme se sa lëndë mbi të cilën duhet reflektuar edhe sot, në ditët e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, del nga leximi i reportazheve të Alberto Moravia-s në Shtetet e Bashkuara. Nuk mbarojnë kurrë analogjitë në këto shkrime, të  botuara midis 1936 dhe 1969, që tani janë mbledhur nga Alessandra Grandelis në “Amerikën e ekstremeve”. Për shembull, a do të jetë akoma e vërtetë ajo që Moravia shkroi në 1937: "Aspekti më i rëndësishëm i Amerikës është e ardhmja e saj"?

Përgjigja vjen pothuajse njëzet vjet më vonë, në vitin 1955, kur Moravia specifikon se në SHBA "disa aspekte të së ardhmes janë tashmë të pranishme", dhe kanë të bëjnë me "makinerinë që i shndërron njerëzit në makina për t’u bërë të mundur jetesën", ndërsa nga ana tjetër njerëzit shndërrohen në pjesë të makinerisë për ta bërë të funksionojë këtë makinë që i bën ata të jetojnë”.

Paradoks marramendës, i cili i ngjan marrëdhënies sonë me teknologjinë. Sërish lidhur me të ardhmen. "Amerika - shkruan Moravia - është teatri i pamasë dhe i papërgatitur i një drame apo komedie (...) aktorët e së cilës nuk kanë lindur akoma": në vitin 1937 Reagan ishte një aktor njëzet vjeçar që ende nuk kishte hyrë në politikë, ndërsa Trump do të lindte nëntë vjet më vonë, por ndoshta Moravia e parashikoi ardhjen e tij: dramë apo komedi?

Sigurisht më shumë njëra se tjetra. Në një farë mënyre të vjen të qeshësh me konstatimin e hollë të një mospërputhjeje me Evropën në mënyrën e ndryshme sesi koka e dushit lëshon ujin, në Nju Jork është "një hedhje e furishme", ndërsa në Kontinentin e Vjetër është një “përkëdhelje”. Ose ku Moravia ndalet për të treguar mungesën e grave "me të vërtetë të bukura", të cilat ndryshe nga europianet mendojnë pak për dashurinë dhe "bëjnë rolin e të ftohtës”.

Një copëz Pazolini nuk mungon në vitin 1968, kur Moravia percepton në ajër një punë "manipulimi" për të "bindur njeriun të bëhet një njeri mesatar" dhe thekson skandalin e qyteteve të pasura dhe vitale që janë së bashku, në shumë lagje, "të rrënuara, të shkërmoqura". Për të mos përmendur "dhjamin e bollshëm" dhe iluzionin ose mashtrimin që "barazon lumturinë me konsumin", kështu që biznesi dhe "hedonizmi masiv" kanë shkatërruar çdo mundësi revolte. Me përjashtim të "revoltës së zezë", e cila kërcënonte të radikalizonte racizmin tashmë ekzistues. Dyshimi është se e ardhmja e Amerikës, pra e tashmja jonë, ishte e gjitha atje, në të kaluarën.

Corriere.it

Comments

Submitted by xz (not verified) on

Artikull vertete i perzgjedhur mjaft interesant. Ia vlen te lexosh artikuj te tille

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.