Të mbyllësh shkollat nuk është zgjidhja më e mirë

Postuar në 01 Nëntor, 2020 17:25
Antonello Maruotti

 

A është e vërtetë se shkolla dhe fëmijët tanë që e jetojnë përditë atë, të jenë shkaku kryesor i kësaj vale të re të infektimeve dhe të krizës sanitaro-ekonomike që pason? Nëse do të ishte kështu, shkollat do të duhet të mbylleshin menjëherë. Por a jemi të sigurtë se duke ndaluar aktivitetin e rregullt shkollor, siç u bë me aktivitete sportive dhe rikrijuese, kemi dhënë një zgjidhje? Në mediat sociale dhe në gazeta secili po thotë të vetën, sepse të gjithë, në një mënyrë, jetojmë përditshmërinë e shkollës.

Por çfarë na thonë të dhënat? A është me të vërtetë e mundshme të identifikosh një marrëdhënie shkak- pasojë mes rihaphjes së shkollave dhe rritjes së infektimeve? Kërkuesit italianë dhe të huaj po provojnë të japin përgjigje mbi këtë çështje, në mënyrë që zgjedhjet politike të mbështeten nga të dhënat empirike dhe të mos jenë fryt i opinioneve, interesave të grupeve dhe vlerësimeve përafruese.

Kërkimet e ndryshme mbi këtë temë, megjithatë nuk orfrojnë përfundime univoke. P.sh Richard Beesley, duke elaboruar të dhëna për vende të ndryshme, del në përfundimin se mes 4-8 javëve pasuese nga rihapja e shkollave, është regjistruar një shtim i infektimeve. Është një rezultat objektiv, i verifikueshëm në mjaft vende, por a mjafton kjo për të mbështetur mendimin se kërcimi i rasteve është shkaktuar nga rihapja e shkollave?

Përgjigja është: Jo. Në Itali p.sh, në muajt e fundit kaluam nga kryerja e 30 mijë tamponeve në ditë në 200 mijë. Kjo ka patjetër një ndikim të qartë mbi numrin e rasteve të reja pozitive: sa më shumë kërkoj, aq më shumë gjej. Ndërkohë, në një kohë me shkollën u rihapën zyrat dhe u kthyem në jetën normale. Pse atëherë të ngarkosh shkollën me një përgjegjësi që nuk është provuar?

Kërkuesit gjermanë arrijnë në përfundime diametralisht të kundërta: rihapja e shkollave nuk ka rritur  numrin e rasteve me CoVid-19, në rastet kur janë zbatuar masat e duhuara higjenike dhe dezinfektuese. Ka marrë një vëmendje të madhe mediatike një artikull i shfaqur në prestigjozen “The Lancet: në të cilin, duke analizuar të dhënat – përherë në nivel të agreguar – e 131 vendeve, rezulton se mbyllja e shkollave redukton rrezikun e infektimeve. Më në fund një kërkim i publikuar në një revistë prestigjoze na thotë se çfarë duhet të bëjmë: të mbyllim shkollat!

 Po pra, por duhet duhet të dish të thellohesh në kërkimet shkencore pa u ndalur në përmbledhjen e tyre. P.sh: si janë mbajtur parasysh karakteristika(i ashtuquajturi heterogjenitet) i 131 vendeve? Dhe më tej: supozimet në themel të këtij modeli përfaqësojnë dukurinë që po analizohet? Për atë që nuk është mësuar me statistikën, mundësia e aplikimit të një modeli me synim analizimin e të dhënave, i duket një aktivitet pa vlerë, por çdo model bazohet mbi supozime. Për fat të keq artikulli i publikuar nuk jep informacione për vërtetësinë e supozimeve të modelit, i domossdoshëm ky në mënyrë që të besohen rezultatet. Problemi është që treguesi Rt(i përdorur për të kuptuar sa shpejet përhapet virusi), mbi të cilin bazohet kërkimi, nuk është një sasi që e vëzhgojmë, por një vlerësim dhe si të gjithë vlerësimet sjell me vete një pasiguri. në faqen 10 të raportit të fundit të Institutit të Lartë të Shëndetit, lexohet p.sh se në Molise, Rt vlerësohet afër 1.5, por me një interval besueshmërie që varion nga 0-3. Lexuesi do ta kuptojë se të konsiderosh vlerësimin e saktë të Rt si vlerë referimi për kryerjen e çdo analize, duke injoruar pasigurinë/variabilitetin e tij, mund të jetë çorientuese. Si statisticien nuk do të mund të pranoja kurrë një artikull që injoron tërësisht një aspekt kaq me rëndësi dhe krucial.

Si është e mundur që një kërkim i tillë të jetë publikuar në një revistë kaq prestigjoze? Për fat ketq qëllimet e mira që qëndrojnë pas vullnetit për të ofruar baza shkencore për vendimet politike, e kanë kthyer botën e kërkimit në një rrjet social të madh. Sensacionalizmi dhe kërkimi i skupit kanë infektuar revistat shkencore. Komunikimi në këtë mjedis është bërë lajm i zakonshëm, “shpejt” dhe në disa raste, udhëhiqet nga dëshira për vëmendje dhe popullaritet. Një punë shkencore me cilësi, që të ketë një ndikim, ka nevojë për një shkallë të lartë besueshmërie dhe në përgjithësi, kërkon shumë kohë, shumë punë, ballafaqim dhe një shkëmbim të madh të dhënash.

Jemi pranë sërish në pikën e nisjes, duke kërkuar ende evidenca për ndikimin që ka shkolla në përhapjen e epidemisë. Të punosh duke shfrytëzuar të dhëna aggregate nuk ka rezultuar e dobishme, për shkak të diferencave të mëdha mes vendeve” ka shumë heterogjenitet për t’u marrë parasysh dhe të dhënat në dispozicion nuk janë optimale për këtë lloj analize. Të japësh një përgjigje ndaj pyetjes sonë mbi dobinë ose jo të mbylljes së shkollave kërkon pra të dhëna joagregate, individuale dhe kërkime mbi zona të vogla që dhen realizuar përmes pyetjeve dhe monitorimit.

Në nivel europian ka shtysa interesante nga punimet e Vlachos etj., dhe Head etj. të dy artikujt përfundojnë se vlerësimin e një rritjeje të rrezikut të infektimit për mësuesit, duke veçuar kështu një kriticizëm tjetër, shpesh të lënë në heshtje. Naga ana tjetër megjthatë, ndikimi i mbylljes së shkollave në funksion të frenimit të frenimit të epidemisë, vlerësohet si e barabartë me atë të mbylljes së vendeve të punës dhe mbi të gjitha, distancimit fizik. Pse të mbyllësh shkollat atëherë nëse distancimi fizik çon në të njëjtat rezultatet? Është e pashmangshme: çdo masë për frenimin sjell kosto ekonomike dhe sociale dhe zgjedhja bëhet kështu në thelb politike.

Ndalimi i aktivitetit shkollor sjell kosto të qarta në të ardhmen, të cilat nuk i kuptojmë menjëherë, por që nuk mund t’i injorojmë.  Është evidente që të bllokosh vendet e punës do të thotë të bllokosh sërish ekonominë, e vënë tashmë në provë të vështirë me valën e parë dhe është objektivisht e papraktikueshme, por po kaq nuk është edhe të imponosh apo të bësh të respektohen masat e distanicimit. Mbylljet territoriale, që presupozohen me afat të shkurtër, mund të kenë  efekte thelbësore në frenimin e epidemisë. Mbyllja e shkollave pa patur një mbështetje shkencore për rezultatet e këtij vendimi në frenimin epidemik, sjell vetëm pasoja negative në terma afatgjatë.

Kërkojmë përgjigje “të sigurta” por pa të dhëna është e vështirë, në mos e pamundur. Është i nevojshëm një tjetër model për shpërndarjen e informacionit. Disponibiliteti i të dhënave është baza për të ndërtuar modele metodologjikisht korrekt dhe u mundësojnë qeverive të marrin vendime mbi informacion. Të mbyllësh shkollat nuk është zgjidhja më e mirë, por është padyshim më e thjeshta, mbi të gjitha për të mbuluar inefiçencat e një aspekti tjetër.

Burimi: Avvenire

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.