Glorifikimi i të ashtuquajturit "Shpëtimi i Hebrenjve" në Shqipëri

Postuar në 29 Tetor, 2020 13:23
Skerdilajd Zaimi

 

Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, organizuan dje Forumin e parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, 2020. Nismëtar i aktivitetit raportohet se ka qenë Taulant Balla, një ndër drejtuesit e shumicës parlamentare, dhe në të kanë marrë pjesë Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe në lidhje online, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Siç mund të merret me mend fjalët në aktivitete të tilla priren të glorifikojnë heroizimin dhe humanizmin e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që sipas një fabule të propaganduar gjerësisht shpëtuan hebrejtë nga nazizmi.

Ne, shqiptarët, historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë dhe humanizmin. Lidhjet kulturore e njerëzore midis hebrenjve e shqiptarëve kanë mbi dy mijë vjet histori. Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore

tha ndër të tjera Gramoz Ruçi që më tej ka dhënë garanci që dalin tej mundësive të tij:

Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do ta çojë deri në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit

Kryeministri Edi Rama ka folur me të njëjtat tone, por në një krah tjetër:

Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë e bashkëjetesës sonë mesdhetare në rrjedhën e qindra viteve. Nuk është vetëm e shkuara, është po ashtu dhe e tashmja, e cila vlen shumë për ne, si një e tashme ku duhet të vijojmë e të luftojmë çdo formë antisemitizmi si kërcënim jo thjesht për hebrenjtë apo për Izraelin, por si kërcënim për vetë civilizimin tonë, për vetë vlerat tona e parimet në të cilat vendet jetojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Pak muaj më parë, ne me shumë krenari inauguruam një memorial dedikuar kujtesës së Holokaustit në Tiranë

Taulant Balla ka folur në emër të të gjithë shqiptarëve duke evokuar një historiografi që shtron pikëpyetje nëse është Histori:

Shqiptarët, të bashkuar, qëndruan përkrah bashkatdhetarëve të tyre hebrenj. Populli shqiptar bëri një zgjedhje historike duke iu bashkuar aleancës më progresiste të kohës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sjellja unike e shqiptarëve ndaj hebrenjve ka konfirmuar një cilësi të shkëlqyer të pikëpamjeve të tyre mbi botën dhe një virtyt popullor që është pjesë e imazhit të një vendi të përparuar. Ky kapitull i shquar dhe kryesisht i patreguar i historisë së Shqipërisë nuk është një episod i rastësishëm. Ndjenja e nderit, besimit dhe respektit mes shqiptarëve, pavarësisht fesë apo besimit, është rrënjosur në strukturën etike dhe morale të Shqipërisë. Kjo është pjesë e një kodi shekullor të njohur si “besa”, një kod nderi. Ndaj, shpëtimi i vëllezërve tanë hebrenj nga tmerret e nazizmit nuk ka qenë thjeshtë një akt i veçantë heroizmi gjatë kohërave më të errëta të njerëzimit

Këto qëndrime që artikulohen në emër të shqiptarëve vuajnë nga një lloj hagjiografie për besën dhe nderin e shqiptarëve që as kanë ekzistuar ndonjëherë kështu si përshkruhen. Në planin historik ne nuk e dimë me siguri nëse mund të flitet për një Shpëtim të Hebrenjve në Shqipëri dhe numrat mes pranisë së tyre para luftës me atë pas lufte nuk shpjegohet me të ashtuquajturin heroizëm të shqiptarëve. Qoftë sepse ishin disa familje që kryen mbrojtje të hebrejve, qoftë pse në Shqipëri, regjimi i okupacionit nazist ishte juridikisht me tipare të veçanta(si në Kroaci). Në Shqipëri funksionoi një Regjencë e cila siç raportohet kishte një marrëveshje atipike për kohën për mos deportimin e hebrejve!!! Shaban Sinani në një punim të tijin për këtë temë të shpikur, thotë se kërkesën gjermane për hebrejtë e kundërshtoi Mehdi Frashëri që drejtonte Regjencën. 

Në këtë kuadër herozimi apo së paku humanizmi për shpëtimin e hebrejve i shkon Mehdi Frashërit, që në termat e historiografisë shqiptare konsiderohet një bashkëpunëtor i Nazizmit dhe kështu vijmë te një paradoks të dyfishtë: një bashkëpunëtor i nazizmit që shpëton hebrejtë, viktimat par excellence të regjimit hitlerian dhe shprehja  e humanizmit në këtë kuadër vjen nga një qeveri që bashkëpunon me nazistët për motive ideologjike.

I ashtuquajturi “Shpëtim i Hebrejve” është një temë e aktualizuar pas viteve ’90 dhe në të ka shumë elementë arbitrarë, abuzivë dhe sipërfaqësorë. Patjetër edhe Interesa. Zygmunt Bauman shkruan në shpjegimin e vet të Holokaustit se edhe vetë gjermanët nuk bashkëpunuan me nazistët për asgjësimin e hebrenjve, më tepër ata qëndruan indiferentë përballë organizimit të një genocidi të pashembullt në histori. Ndaj të flasësh për heorizëm të shqiptarëve të bashkuar është asgjë më shumë sesa dëshmi e një injorance dhe abuzimi që neglizhohet në vende me histori të shpikur si Republika e Shqipërisë, por edhe doktrinës së Qokave për të mëdhenjtë që udhëheq dhe shpjegon deri diku mitin tjetër mes shqiptarëve: atë të Mbijetesës.

Sesa e re është kjo temë dhe sesa politikë është bërë mbi të duke dëmtuar kështu edhe të vërtetën e atyre shqiptarëve që duhen çmuar për atë që bënë, e ilustron edhe një pjesë e vogël e dokumentacionit në arkivat e Shqipërisë. Përmes këtyre dokumenteve mund të kuptohet menjëherë, se komunistët e Enver Hoxhës kishin një politikë të qartë kufizuese dhe me sens kontrolli ndaj besimeve fetare që në vitin 1945 dhe aty provohet se ekipi që erdhi në pushtet dinte dhe kishte përvojën të vepronte në mënyrë të strukturuar mbi një temë të tillë. Kur vjen puna për hebrenjtë, që quhen Izraelitë, regjimi i Enver Hoxhës, "kapet në befasi" për ekzistencën e tyre dhe kjo provohet nga një dokument i vitit 1951, kur pas një letre drejtuar Ministrisë së Tregëtisë nga një shtetas hebre për zhdoganimin pa tarifë të një sasie gruri që dërgohej për “Komunitetin Hebre” në Shqipëri me rastin e një feste fetare, Komiteti Klerikal përgatit një relacion titulluar: “Mbi Izraelitët në vëndin t’onë”.

Relacioni është përgatitur nga anëtari i Komitetit, Xhoke Prifti pas një urdhëri të Adil Çarçanit që vë në dukje se “nuk ka Komunitet hebre në Shqipëri”. Pra në sensin institucional dhe juridik. Në relacion Xhoke Prifti shkruan se izraelitët “janë ata që kanë ndjekur Krishtin, të cilët nuk e njojtën por e ndoqën(çifutët)”.

Pasi vë në dukje se ata nuk kanë faltore në Shqipëri “as më parë ashtu dhe sot”, se “nuk kanë patur organizim në Shqipëri si Komitet etj. por me dihet këta vareshin nga Janina ose Korfuzi”, zyrtari i regjimit të Hoxhës shton se:

Politika që ndjekin këta besimtarë është Anglo-file përkrahin shtetin që merret me tregëti…Përfqësuesi hebre i këtij komuniteti është Avraham Kohen, banues në Vlorë, i cili del se ka lidhje me Komitetin Izraelit të Janinës në Shtetet e Bashkuara

Prifti konkludon me këtë sugjerim për Komitetin që varej nga nën-kryeministri Mehmet Shehu, por që njoftonte thuajse për çdo gjë Enver Hoxhën:

Të shkoj në Vlorë për të marë të dhëna të sakta mbi këta besimtarë, tue punue me organet kompetente të Vlorës, e duke punuar dhe indirekt dhe në fund duke marë takim dhe personalisht me t’interesuarin për të ditur me hollësi punën e tyre, dhe aktivitetin që këta kryejnë në vëndin t’onë

Pra komunistë shfaqen këtu në mosnjohje të plotë të “çështjes hebreje” duke ilustruar se edhe gjatë luftës përvoja e tyre politike nuk e kishte konsumuar një çështje të tillë. Kemi të bëjmë pra qartë me një akt heroik të disa shqiptarëve dhe një “heroizëm të shqiptarëve të bashkuar” e ca më keq me “Shpëtimin e Hebrenjve” si komunitet.

Kjo në një farë mënyre provohet nga raporti që vetë përfaqësuesi Isak Kohen përgatit me kërkesë të Komitetit Klerikal mbi komunitetin që banonte në Shqipëri e që konsistonte në 177(172) njerëz(57 me nënshtetësi  të huaj), i titulluar: Shënime të marra nga Isak Koen. Në këtë dokument të fundit nuk përmendet në asnjë rast shpëtimi i hebrejve në Shqipëri, ndërkohë që Ko(h)en thekson se komuniteti ka vepruar me mirëkuptim duke adresuar çështjet e veta pranë qeverisë. Një ndër këto çështje është p.sh siç shkruan ai:

Shkatërrimi i varrezave

Për të shtuar në fund se drejtues informalë të komunitetit janë Ai, pra Kohen dhe:

Xhoke Vituli ku sot gjindet në punë në Tiranë në Ministrin e Bujqësis si Shef Kontabël

Është pra shumë e vështirë të kuptosh sesi një regjimi që kalonte në vëzhgim cdo gjë dhe kishte trajtimin biografik si kriter vlerësimi t’i ketë shpëtuar kjo epope e Luftës së Dytë Botërore që shitet e stërshitet sot ndaj shqiptarëve për të vetmen arsye sepse fabula e një populli mysliman që shpëton hebrejtë është skenar ideal për të propaganduar idenë se hebrejtë pranohen edhe në ato shoqëri me besimin mysliman me të cilat Izraeli ka probleme sigure dhe ekzistence. Ose kishte. Dhe është kjo politikë që shtyn një kryeministër si ky i tanishmi të deklarojë se:

Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë e bashkëjetesës sonë mesdhetare në rrjedhën e qindra viteve

Izraeli është sot me përkufizim kushtetues(Deklarata e Pavarësisë):

Një shtet çifut(jewish) dhe demokratik

Ai konsiderohet si një ndër demokracitë liberale në Lindjen e Mesme, por përkufizimi etnik i këtij shteti multietnik sfidon karakterin e pretenduar demokratik. Kjo është një temë e rrahur gjerësisht edhe në mediat izraelite. Është shumë e ekzagjeruar, në mos fare e papërgjegjshme dhe groteske të cilësosh Izraelin si “shtyllë të bashkëjetesës”, ndërkohë që “civilizimi hebre” ndoshta është një sprovë personale e z. Rama pasi pak e vështirë të kapësh të dhëna për qytetërimin e një populli që u krijua në diasporë për arsye të një historie të veçantë.

Për ta mbyllur: është e pritshme që një qeveri në Shqipëri të formulojë politika të vetat dhe të mbajë qëndrime apo të rreshtohet në skakierën e kombeve, por është e shëndetshme që një herë të vetme në historinë e këtij gjoja shteti, kjo të bëhet pa gënjeshtra kaq të trasha. Respekt dhe nderim për ata shqiptarë që shpëtuan bashkëqytetarët e tyre, por përrallat e heroizmit dhe besës duhen lënë pas, pasi në plan të parë është mirë të dalë humanizmi që nuk shpjegohet me këto pseudoformula historike dhe zakonore të cilat vetë qenia jonë, Shqipëria e përjetshme, i përgënjeshtron përditë. Ky humanizëm shpjegohet shumë më mirë dhe madje mund të aktualizohet si një mesazh i përjetshëm për tolerancën – një tjetër poçe e shpuar në Shqipëri – me një besimtar si Mehdi Frashëri, sesa me këta zorzopët e tranzicionit që bëjnë mik këdo që u lejon një foto.

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Pergezime Redaksi. Shkrim tejet i qarte dhe me fakte. Ky takim i ketyre sorrave te kujton mitingjet qe ben plaka Roxhave Maryam e kampit Ashraf ne Manze. Vetem valevitja e flamujve te Israelit iu mungon.
Te ishte Ilir Meta do te kishte valvitur tre flamuj ( si ne miting kundra Rames).

Submitted by Gjeto (not verified) on

Fakte të mbledhura me kujdes, por me një gabim të rëndë logjik.
Nëse nuk ekzistonin më bashkësitë fetare të tjera, të cilat fillimisht u ndanë nga shteti dhe u shpronësuan; pastaj u ndaluan me ligj e kushtetutë, me cilën logjikë do të ekzistonte bashkësia hebraike? Pfff!

Submitted by Anonymous (not verified) on

Bashkesite fetare u shpronesuan ne 1967. Pra, ne fillim vitet e pas luftes egzistonin. Keshtu qe llogjika juaj duhet te kthjellohet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.