Uashingtoni çon Kosovën në Samitin e Minishengenit  

Postuar në 28 Tetor, 2020 17:09

Samiti i radhës për Minishengenin nuk do të ketë risinë e vetme faktin që do të zhvillohet online, për shkak të pandemisë së Covid-19. Kësaj radhe, atij do t’i bashkohet edhe Kosova. Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi sot se do të marrë pjesë në takimin e liderëve ballkanikë.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit vjen si pasojë e marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë mes Prishtinës dhe Beogradit. Një nga pikat e marrëveshjes së firmosur nga kryeministri Avdullah Hoti në Uashington është edhe ulja në tryezën e bisedimeve të Shengenit Ballkanik.

Ndryshe nga dy takimet e mëparshme në kuadër të Shengenit Ballkanik, të mbajtura në Nish dhe Ohër, samiti i radhës mbahet përmes platformës Zoom javën e ardhshme.

Në dy samitet e mëparshme, Kosova nuk ka marrë pjesë. Në samitin e parë, ku morën pjesë krerët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova nuk u ftua. Ndërsa në samitin e Ohrit, një vit më parë, pjesëmarrja u refuzua nga presidenti Thaçi, një refuzim që gjeti mbështetje në klasën politike të Kosovës.

Mospjesëmarrja në “Mini-Shengenin” ballkanik ishte një çështje që i ndau Prishtinën dhe Tiranën. Presidenti Thaçi tha se kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë përsa kohë Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa Albin Kurti, në atë kohë në pritje për të marrë detyrën e kryeministrit, e cilësoi nismën një rikthim të ish-Jugosllavisë. Tashmë në opozitë, Vetëvendosje mban të njëjtin qëndrim në lidhje me këtë samit, pavarësisht marrëveshjes së Uashingtonit, të cilën gjithashtu e ka kritikuar.

“MiniShengeni ose MiniNovisadi, sepse është krijuar në Novisad të Serbisë, i mundëson Serbisë realizimin e një ëndrre të kamotshme për të krijuar tregun e përbashkët me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky është një favor i jashtëzakonshëm për Serbinë, që të krijohet brenda kësaj hapësire ku jetojnë shqiptarët, një pozitë dominonte në treg dhe ekonomi. Kosova dhe Shqipëria do përfundojnë si koloni tregtare të Serbisë”, u shpreh pak ditë më parë në Tiranë nënkryetari i VV, Glauk Konjufca.

I diktuar nga situata e pandemisë, samiti i tretë i Minishengenit Ballkanik ul në të njëjtën tryezë (virtuale) liderët e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe për herë të parë edhe atë të Kosovës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.