Xhinset përtej Bllokut Lindor, rasti i veçantë i Jugosllavisë komuniste  

Postuar në 26 Tetor, 2020 14:44
Jonathan Bousfield

 

Jugosllavia e dikurshme mund të mbahet mend si shteti i Europës Lindore që ka mbajtur marrëdhënie të veçanta me bluxhinsin. Vendi ka mbajtur pozicion unik jashtë bllokut lindor dhe larg sferës së ndikimit të Bashkimit Sovjetik.

Jugosllavia u krijua si shtet komunist pas Luftës së Dytë Botërore, por më pas refuzoi të bëhej një shtet satelitor i Bashkimit Sovjetik të atëhershëm dhe u orientua drejt Perëndimit. Deri në shpërbërjen e saj në 1991, Jugosllavia mbeti një nga vendet më moderne dhe më të aksesueshme komuniste në Evropë.

Kjo do të thoshte që qytetarët ishin të lirë të shikonin filma të prodhuar nga Perëndimi në kanalet televizive shtetërore dhe në kinema, të lexonin libra të huaj, të argëtoheshin me revista të huaja, të dëgjonin hitet më të fundit të muzikës dhe të ndiqnin skenat e artit në zhvillim të Evropës dhe SHBA pa ndonjë kufizim të dukshëm. Më e rëndësishmja, qytetarët e Jugosllavisë ishin të lirë të udhëtonin në Perëndim, në kontrast të plotë me qytetarët e pothuajse të gjitha vendeve të tjera komuniste që nuk mund të kalonin përtej asaj që njihej si Perdja e Hekurt.

Pikërisht në këtë atmosferë, pra në vitet 1960, xhinset mbërritën në Evropë.

Ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme, xhinse filluan të hynin në Jugosllavi. Në fillim, Levi's visheshin nga ata që kishin të afërm që jetonin në Perëndim. Me raste, xhinset gjendeshin në dyqanet "Komision", ku shteti shiste mallin e konfiskuar nga kontrabandistët gjatë kontrolleve doganore. Sidoqoftë, këto mallra kishin çmime shumë të larta.

Megjithatë, gjithçka ishte shumë më e komplikuar sesa në pjesën tjetër të Evropës perëndimore. Jugosllavia dhe fqinji i saj perëndimor, Italia, mbajtën një marrëdhënie të veçantë. Në vitin 1954 të dy qeveritë nënshkruan marrëveshje të shumta dypalëshe që lejuan bashkëpunim më të ngushtë dhe të drejtën e lëvizjes së qytetarëve drejt vendeve përkatëse. Në pak kohë, miliona njerëz e kaluan kufirin.

Gjatë vizitës së tij në 1965, kryeministri italian Aldo Moro e përshkroi kufirin me Jugosllavinë si një nga më të hapurit në botë. Qyteti italian më afër kufirit ishte Trieste, që u bë destinacioni kryesor i jugosllavëve, por gjithashtu italianët nisën të vizitonin Jugosllavinë, qoftë për pushime, apo për të blerë verë dhe djathë të lirë.

Për qytetarët e Jugosllavisë, Trieste ishte njëfarë showroom-i ku mund të gjeje gjithçka të padisponueshme në anën tjetër të kufirit: dyqane, pasuri dhe i vetmi simbol i Perëndimit që qëndronte mbi të gjithë të tjerët- xhinset blu.

Në fillim të viteve ‘60, sipërmarrësit italianë shfrytëzuan dhe hapën një treg në sheshin “Ponte Rosso”, posaçërisht për jugosllavët. Mijëra udhëtonin çdo fundjavë në Ponte Rosso për Pazar, por me t’u kthyer në shtëpi, doganat jugosllave lejonin vetëm importimin e jo më shumë se dy palë xhinse dhe disa kilogramë kafe.

Në përpjekje për t’iu shmangur këtij rregulli, burrat vishnin disa palë xhinse mbi njëra-tjetrën, dhe vajzat i vishnin ato nën funde të gjera. Ndalimi nuk kishte të bënte dhe aq me ideologjinë siç mund të mendohej, por më shumë me arsye ekonomike. Jugosllavia kishte gjithmonë pak valutë të huaj, kështu që qytetarët ishin të detyruar nga rregulloret doganore që me aq sa valutë mund të kishin, të blinin mallra të huaja.

Levi’s, Ërangler dhe Lee ishin zgjedhjet kryesore të të gjithëve, por për të përballuar kërkesën u shfaqën edhe marka italiane. Një i tillë ishte Rifle Jeans, xhinset më të lira dhe me gjasë më të shiturat në Trieste. Rifle konfirmoi se në kulmin e popullaritetit të saj gjatë fundit të viteve 1970 prodhonte plot 50 000 palë në ditë.

Rifle u bë aq popullore si markë, saqë emri i saj u kthye në sinonim për xhinset. Termi mund të haset në përdorim në Europën Lindore edhe sot.

Sipas disa vlerësimeve, më shumë se 3 milion palë xhinse shiteshin çdo vit në dyqanet e Triestes. Shumica dërrmuese e tyre përfunduan në Jugosllavi, por edhe vende të tjera prapa Perdes së Hekurt përmes kontrabandistëve që i çonin atje.

Xhinse blu kanë shenjuar një brez të tërë jugosllavësh. Xhinset gjenden në shumë romane, filma dhe këngë të kohës. Një episod i vitit 1975 i shfaqjes televizive jugosllave "Grlom u Jagode" paraqet adoleshentë që i modifikojnë xhinset për të krijuar modelin e grisur.

Por, përkundër popullaritetit të tyre, xhinset në Jugosllavi janë parë për shumë kohë si element subversiv dhe dekadent nga Perëndimi. Ato ishin rreptësisht të ndaluara në shkolla për shumë vite.

Aktivistët e rinj komunistë krijonin patrulla në rrugët e disa qyteteve, për të mos i lejuar të rinjtë të vishnin xhinse të ngushta.

Por ndikimi vazhdoi të rritet dhe në 1983, kur korporata shtetërore Varteks nga Varaždin (tani në Kroaci) filloi prodhimin e Levi's nën licencën e Levi Strauss & Co. Prodhimi filloi në 1984 dhe shumë pronarë pretenduan se këto xhinse të veçanta ishin më të mirat ndonjëherë. Më mirë se homologët italianë!

Të gjithë mund të blinin xhinset 501 origjinale në vendin e tyre, shumë vite më parë se pjesa tjetër e Evropës Lindore.

Sot, xhinse cilësore mund të blihen kudo, por udhëtimi drejt Perëndimit për pazar mbetet një pjesë e kulturës në vendet e ish-Jugosllavisë, edhe nëse koncepti i perëndimit është zhvendosur për të përfshirë vendet e ish-bllokut lindor, të tilla si Hungaria ose Rumania.

Ka edhe një efekt më interesant të blerjeve në Trieste. “Sipërmarrësit" italianë filluan të prodhonin dhe shisnin xhinse të falsifikuara në tregun e zi. Kjo mund të ketë qenë përvoja e parë me mallrat e falsifikuara për konsumatorët e Evropës Lindore.

Kjo shërbeu si frymëzim për fillimin e një "modeli biznesi" të ngjashëm, veçanërisht në qytetin e Novi Pazarit, Serbi. Deri në vitin 1990 ka pasur qindra fabrika të vogla që prodhonin Levi’s të rreme. Sot, shumë nga këto fabrika ekzistojnë ende dhe vazhdojnë të prodhojnë xhinse me cilësi të lartë nën etiketat e tyre.

Burimi: Calvert Journal

Përktheu: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.