Populli që Duam!

Postuar në 25 Tetor, 2020 02:21
Skerdilajd Zaimi

 

Komunikimi mes politikës dhe të tjerëve ka përjetuar këto vite një ndryshim që edhe në pikëpamje formale, është radikal. Ne jemi të vetëdijshëm se me sy të parë, “populli ynë i ka xhan ata Lart” edhe kur rastis t’i vijnë nga Ukraina apo Kina. Por edhe në kësi raste tubimet masive kanë dëshmuar së paku një element natyral që i justifikon: Kuriozitetin.

Edhe liderët politikë të tranzicionit që morën qeverisje pas një regjimi të drejtuar me raporte komunikime fetare e ku Enver Hoxha u natyralizua brenda rolit publik të Profetit, ia dolën të krijojnë disa raporte formale të pranueshme: Berisha është akuzuar si populist, por turma përballë tij ishte skenografi e sinqertë pse në të vërtetë z. Berisha ashtu edhe e nisi karrierën.

Fatos Nano nuk ishte njeri i turmës, por ai krijonte kimi me njerëzit e krahut të vet politik dhe duhet të themi se nuk e katandisi asnjëherë veten që si politikan të fliste për gjëra që i perceptonte se ishin poshtë kërkesës për trajtim teorik. Pra në mungesë të cilësive të tribunit, z. Nano konkuroi me Berishën në këtë drejtim me sharmin e një intelektuali qytetar.

Të përballosh raporte të tilla duhet së paku të kesh qetësinë e brendshme që të jep ose qartësia para një beteje, ose aftësia për të kontrolluar një raport që nuk mund të lihet peng i perceptimit të dobësive.

Gjërat ndryshuan me ardhjen në politikë të z. Rama, një njeri pa histori politike reale, por që ndërlikohej më shumë se çdo gjë nga karakteri i tij. Kush sheh sot z. Rama sesi zdërhallet nëpër qytete të Shqipërisë, apo sesi vë në skenë pamje fare banale duke ngrënë drekë fshatrave, që lëshon rromuze dhe bën ironi, mund t’i duket se ai është personi i lindur për këtë qenë mes njerëzve dhe t’i drejtojë ata. Por mjafton të shohësh video të vjetra të tij, të shohësh kontraktimin studiove televizive, të njohësh historinë e marrëdhënieve pas kuintave të tij me mediat dhe pronarët e televizioneve, të dish incidentet nga më qesharaket dhe mjeranet në udhëtimet e fillimit në bazën e PS-së, për të kuptuar ndryshimin. Është karakteri i këtij individi, sidomos frika e tij, sesa ndonjë strategji e mirëmenduar, që në të vërtetë artificializuan komunikimin dhe e shndërruan atë në monologun që shohim sot.

Është z. Rama që prezantoi takimet pa kamera, kasetat e gatshme, improvizimin e pyetjeve të kontrolluara më parë dhe të “incidenteve” komike me popullin si ndonjë batutë diku, apo ndonjë këngë në një vend tjetër. Në fund të fundit, edhe atij iu desh të pranonte për statistikë diçka që është e vërtetë sa bota: që populli ka mençurinë e tij. Dhe kjo e vërtetë duhet në shfaqje të tilla edhe për t’i justifikuar ato si diçka reale.

Erion Veliaj ka shkuar një hap më tej në këtë drejtim. Zoti Veliaj, në dallim nga udhëhqeësi I tij të cilin e saboton duke iu servilosur, ka pak interes apo merak për atë që thotë. Jo pse është spontan për një zgjedhje komunikuese, por e ka budallallëkun e gafave apo nivelit që përcjell diçka të natyrshme që vjen e mbështillet me teknikën e djalit të rrugës që z. Veliaj ka zgjedhur të paraqesë. Në një takim në Dajt dje, Veliaj që ka nisur fushatën elektorale për PS-në në Tiranë ka ndërtuar një skenë tipikë për të: Ervin Bushati si I PS-së, Qefaliaj si i zonës, Iva Tiço si “karamele zana vjen nga Tirana”, pra si prurje e atyre që quhen njerëz të suksesshëm në parti dhe në fund, z. Veliaj. Duhet të themi se ky i fundit spikat në raport me të tjerët dhe këtë mund ta shohë kushdo duke dëgjuar fjalët përkatëse. Por kjo mund të jetë edhe një ndarje pune që nuk e kuptojmë dot!!!

Puna është se te ajo çfarë synohet të transmetohet së takime të mbyllura, të përditshme platesh të organizuara si në studio televizve: të gjithë duartrokasin. Për hallet dhe problemet e tyre nuk pyetet më publikisht. Jo. Takimi është kinoprovë unike: nuk ka gabime dhe lajthitje. E vetmja lajthitje vjen nga z. Veliaj. Ose më saktë luhatje. Teksa thotë me të madhe se PS-ja ka vetëm listën e halleve të tyre prioritet, ai vazhdon të shtojë dozën në tonin e vet kur thotë se për herë të parë PS-ja është e vetme në zgjedhje pa asnjë të majtë kundër saj, por me 5 parti të djathta. Pa kuptuar se kështu zotëria na thotë diçka që do të duhet të trajtohej ndryshe: PS-ja e ka më të lehtë kësaj radhe, ndaj nuk ka pse të shqetësohet. Pse vallë duhet të jenë zgjedhje të tilla që shpallen sit ë fituara me siguri?

Kjo që po ndodh është diçka e paprecedentë: TED Talk politik në komunën Dajt është diçka e parakohshme. Por e panatyrshmja dhe kotësia, gënjeshtra dhe cinizmi janë pjesë e të vetmes broshurë që njeh ky njeri. I cili për fatin e tij të keq nuk arrin dot të prodhojë një diskurs politikani, por vetëm një fjalosje pa kokë ku ai është kryefjalë dhe kallëzues. Pasioni i tij për ta zeruar nga skena  zërin e atij që mendon, është mbi pasionin që ai deklamon se ka për zgjidhjen e halleve të popullit. I cili ekziston si konservues suksesi mediatik.

Këtu është shumë shqetësuese të shohësh ata njerëz, sidomos në moshë të re që shkojnë e i bëjnë hosanna dikujt që lëviz vetëm për shoun personal. Sigurisht që janë në lojë disa interesa, por nëse këto interesa gjenerojnë këto enklava të heshtura të cilat i ka kaq për zemër z. Veliaj, atëherë ne kemi një problem si shoqëri. Por kur ato bëhen kulturë – z. Veliaj mburret se socialistët e bëjnë zap shtëpinë e tyre – atëherë ne kemi pranuar të vëmë në diskutim të ardhmen tonë demokratike.

E imagjinon kush këtë njeri në karrigen e kryeminstrit? E imagjinon kush dikë që ka zgjedhur modele të së shkuarës që të jetë duke çuar përpara reforma për një vend si ky që e ka emergjencë kalimin drejt shekullit ku jetojmë? Këtu nuk është fjala për sektin e bashkisë së Tiranës, por më gjerë. Në fund të fundit mbyllja e gojës, me dëshirë apo jo, cedimi në të drejta sepse nuk i kupton ato, janë sinjale po aq alarmante sa edhe marrja e tyre me dhunë. Dhe këtë model po kultivon z. Veliaj, i cili në dallim nga udhëheqësi i tij nuk e duron kundërvënien jo nga komplekset e veta për kushedi se çfarë historish të së shkuarës, por sepse thjesht aq nivel ka. Dhe këtë mangësi nuk mund ta kompensosh përherë duke qeshur sa për foto, edhe sepse z. Veliaj përfaqëson të brezin e ri në politikë, por edhe të Vjetrën. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.