Gara e përditshme e tre të mëdhenjve: Kush është më i zgjuari?

Postuar në 22 Tetor, 2020 19:47

I ndiqni replikat ditore mes kryeministrit dhe rivalëve të tij dixhitalë, presidentit dhe kryetarit të PD-së? Ka media pranë kryeministrit që nuk përtojnë të raportojnë çdo përrce të Edit duke bërë edhe interpretime origjinale. 

Dita jonë mediatike nis me rrufetë e skandalit të radhës, vazhdon me kundër-skandalet e palës tjetër, merr pushimin e madh me ironitë e njërit e rromuzet e tjetrit për të arritur majat me editoriale që bëjnë moral apo emisione ku ka një sherr që nuk zgjidhet dhe vazhdon të nesërmen. Pjesë e kësaj loje, regjizor madje është patjetër kryeministri dhe bashkëpunëtorë janë media të caktuara. Që kanë përgjegjësi se me rolin e idiotit që kanë zgjedhur po ndikojnë në përçarjen e madhe të opinionit. Jetojmë në një kohë ku mediat e me to edhe gazetarët e kanë festë ardhjen e njërit politikan apo tjetrit, ndërkohë që teorikisht media, apo së paku gazetaria divergon me pushtetin.

Edhe si e tillë, shfaqja është mjerane jo pse shpërfaq aktorët e politikës për atë që janë, por pse ajo sugjerohet si spektakli më i mirë për ne që e shohim. Sepse sipas një intuite të atyre “Lart” zhurma shet, mashtrimi, ulërima dhe tallja janë gjellë të preferuara. Një qasje e tillë i ngjan atij muhabetit në tavolina ku 3 persona nisin e bëjnë viktimë të katërtin duke e vënë në lojë. P.sh kryeministri që pretendon se është publicisti, artisti dhe intelektuali më i mirë në Shqipëri e ripërkufizon horizontin e tij si individ në përditmëri duke përgënjeshtruar pretendimet e tij që i duken të stërholluara me gjallimin në kënetën politike.

Nis me një status përshëndetës, pastaj me takime ku ka patjetër vetëm lajme të mira dhe premtime të mbajtura, ecën më tej me foto dite dhe pasditeje. Vazhdon pa u ndalur me ironizime të njërit apo tjetrit për t’u kënaqur darkave me shfaqjet mediatike ku ai ka përherë zagarët e devotshëm të fjalës. 

Po çfarë lidhje kanë të gjitha këto me një kryeministër, një president, apo drejtues opozite? Si mundet që njerëz që premtojnë revolucione, kthesa, reformat të engledisen në këtë farë feje kaq të relaksuar? Dhe më tej, si është e mundur që jo fabul biheivoriste të ecë si çelës intelekti dhe seuksesi në këtë vend që është te buka? Ku na thuhet se janë vjedhur miliona euro vetëm në një aferë? Si mund të qeshësh me surrate të tilla?!

Sigurisht që politikanët janë njerëz të zgjuar dhe me intuitë dhe ata e kuptojnë mirë kodin e komunikimit të një shoqërie, vetëm se karagjozë të këtyre niveleve humbasin bastin me veten dhe me ambiciet e shtetarit. Sepse janë këta që kanë hehdur supeve samarin e progresit për të cilin kanë sa dekada që pëllasin e nuk dinë të ndalen.

Përtej "ironisë". Nëse një shoqëri e ka humbur busullën dhe e kupton politikën si diçka mes interesit konkret, vjedhjes dhe argëtimit me kryeaktor kryeministrin, është detyra edhe e këtyre diktatorëve të ndritur që ta marrin seriozisht këtë keqkuptim të madh dhe këtë mungesë serioziteti. Përndryshe z. Rama p.sh e di mirë se sot kakarisja e tij dëgjohet larg se ashtu e do karrigia. Nesër ai do jetë një barsaletë ndaj të cilav nuk snobon dot. Po fundja ky është horizonti që e përkufizon këtë politikan dhe gjithollog paredashës të tranzicionit që hyri dhe u rrit me filozofinë e Braushit që i bënte subversion regjimit me sjellje apo paaftësinë për t’u sjellë si duhet. Ndaj edhe është që është tallet me dy sekretarët e radhës.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.