Dështojnë në treg, kompanitë private propozojnë sigurim të detyrueshëm për tërmetet

Postuar në 18 Tetor, 2020 18:51

Revista “Monitor” ka publikuar pak ditë më parë një shkrim me titull: Sigurimi për fatkeqësitë/Do të presim edhe një tërmet tjetër?

Shkrimi vjen në një hark kohor kur nis diskutimi për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe për ta nxjerrë idenë e titullit janë marrë në prononcim përfaqësues të kompanive të sigurimeve. Nisur nga tërmeti i fundit është konstatuar se vetëm 5% e pronave të dëmtuara ishin të siguruara. Kompanitë kanë paguar 33 milionë euro që siç vihet në dukje “erdhi pothuajse i gjithi nga pronat e lëna si kolateral për kreditë bankare dhe provoi se shqiptarët e sigurojnë pronën vetëm kur janë të detyruar”

Kompanitë vënë në dukje se megjithë tërmetin e 26 nëntorit kultura e shqiptarëve nuk ndryshoi, sigurimi i pronës u rrit me 1.2% krahasuar me një vit më parë. 

Në tetë muajt e parë të vitit, çdo shqiptar ka shpenzuar mesatarisht më pak se 2.6 euro për të siguruar pronën nga fatkeqësitë natyrore. Këto shifra janë të mjaftueshme për të treguar se tërmeti nuk e ka shkundur aspak vetëdijen tonë si shoqëri për rëndësinë e sigurimit të pronës

thuhet në shkrim. 

Dhe pikërisht me këtë shqetësim, me dorën në zemër për shqiptarët kompanitë e sigurimeve propozojnë atë që nuk e fitojnë dot në treg: bërjen të detyrueshme të sigurimit nga fatkeqësitë natyrore. 

Revista shkruan se projektligjit që po shqyrtohet aktualisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i janë shtuar edhe përmbytjet, duke krijuar “një lëmsh” të clin sigurisht që do të duhet ta paguajnë qytetarët. 

Por, shtimi i rreziqeve të mbuluara do të sillte edhe rritjen e primit të detyrueshëm dhe rrjedhimisht shpenzimin e detyrueshëm për shqiptarët. Rritja e barrës e vendosi qeverinë përballë dilemës për t’u përballur me një kosto politike nga miratimi i ligjit. Kjo ka bërë që projekti të qëndrojë pezull, nuk dihet ende deri kur 

shkruan revista. 

Në këtë kuadër është interesant të shihet sesi kompanitë e sigurimeve nuk ndihmojnë, por vetëm ngrihen në kor për të kërkuar sigurim të detyrueshëm.

Argumenti është gati: nuk mund të rrezikojmë.

Në nivel shifrash ngjan se çdo gjë është e lirë: 60 euro në vit prim për një shtëpi me vlerë 100 mijë euro. (nuk dihet nëse kompanitë kanë marrë parasysh procesin e rivlerësimit). 

Të njëjtën gjë propozon p.sh Eurosig dhe Atlantik, ky I fundit madje propozon që si formë e vjeljes mund të jetë qoftë tarifa, qoftë taksa, qoftë PPP. 

Ideja në fjalë ka vlerën e vet, por kompanitë e sigurimit kanë problemin e seriozitetit në treg. Ato janë përkufizuar zyrtarisht si oligopol dhe operojnë me praktika që kanë sjellë ofertë të unifikuar. 
Nga ana tjetër Shqipëria është një vend me gjeografi të diverisifikuar ku fakteqësia merr forma të ndryshme në zona të ndryshme.

Tërmeti është një fatkeqësi me incidencë shumë të ulët, pa lënë mënjanë këtu faktin se banesat e dëmtuara ishin vlerësuar si jashtë standardit në një pjesë. A sigurojnë këto kompani banesa të tilla? 

Për fatkeqësitë do të duhet që të ketë studime zyrtare që japing disa parashikime të pranueshme në mënyrë që komunitetet të riorganizohen përpara sesa t’u çojnë një faturë në derë, e hartuar patjetër për të mirën e tyre. 
Është e lehtë të referosh vend të tjera kur propozon legjislacion, por çështja është se këto vende kanë edhe kontrollin e duhur, por edhe një treg funksional.

Një rast i mirë këtu p.sh do të ishte sesa këto kompani kanë mbuluar sigurimin shëndetësor të personave të prekur nga CoVid-19 dhe që janë në terapi intensive, për të kuptuar edhe të tjerët dobinë e sigurimit.

Mirëpo si të sigurohesh në një vend ku këshilla më e mirë që të thonë është: ik jashtë! Ja p.sh një pyetje për këto kompani që pasi kanë bllokuar tregun duan tani zë në buxhet me forma nga më të ndryshmet, diçka që ndodh patjetër në vende si yni ku edhe ide të vlefshme kompromentohen nga hileja me të cilën prezantohen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.