Veliaj thotë se "kauza" e PD-së me inceneratorët është gjoba e papaguar nga kompania

Postuar në 15 Tetor, 2020 21:17

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj Veliaj është përgjigjur sot ndaj akuzave të Partisë Demokratike për çështjen e inceneratorit. Në fakt z. Veliaj ka zbardhur apo përsëritur atë që thuhet lart e poshtë nëpër Tiranë: kauzat e PD-së janë një mënyrë për të vënë gjobë. Kështu që në vend se të përgjigjet si kryebashkiak, z. Veliaj ka replikuar si subjekt në tentativë i gjobvënies. Përgjigja e tij ndër të tjera:

Pyetja është, nëse gjërat janë më mirë dhe në vend të plehrave që digjen tani, është një fushë me 10 mijë plepa dhe nga plehrat do të prodhohet energji, ku fle lepuri këtu? Për çfarë janë të mërzitur këta? Jua them unë pse janë të mërzitur këta. Pse nuk protestojnë më për bulevardin, çfarë morën këta nga kompania e bulevardit që të linin protestat?

Ju kujtohet që rreshtoheshin këtu dhe thanë – Ne do shtrihemi këtu dhe “Bulevardi i Ri” nuk do bëhet. Ne do shtrihemi dhe do sakrifikohemi këtu se po u bë “Bulevardi i Ri” nuk do ketë më PD. Ne do shtrihemi dhe do japim jetën këtu, e do t’i dalim fadromave përpara, se po nuk bëmë këtë dhe po u bë “Bulevardi i Ri” ne do shkrihemi si forcë politike. Ja ku është “Bulevardi i Ri”. Pse e lanë protestën, çfarë morën që e mbyllën gojën?

A ju kujtohet kur digjnin “Rrugën e Kombit” dhe thanë – Po u vendos aty postblloku me pagesë – që në fakt është për të bërë punën që ata lanë përgjysmë, për të bërë urat e reja, për të bërë të gjitha rrugët që kanë qenë me 1 korsi dhe që kanë qenë burim aksidentesh, ata thanë – ne do ta djegim sa herë që të vendosen.

Krejt papritur mbaroi protesta, çfarë morën? Çfarë malli morën në shkëmbim që ata lanë protestën? A ju kujtohet Astiri? Ne do shtrihemi këtu, ne do vdesim këtu, o Klevis, o hero në zemrat tona ti jeto, a e patë atë? Sa ishte vlera e makinës për të lënë protestën? E dini cila është përgjigja për plehrat, thjesht nuk kanë gjetur gjuhën e gjobës që duhet të paguajë kompania, që PD ta lërë atë dhe të merret me një temë tjetër, se këta çdo proteste i vënë një çmim. E vute re që dolën për kullën, për hotelin e ri ngjitur me Hotel Tiranën, doli në lajme, pastaj e fshinë nga facebook-u, e hoqën edhe nga lajmet, e gjetën gjuhën

Në fakt edhe brenda PD-së flitet se nja tre zëra që dalin në konferenca për shtyp janë caktuar për gjobvënie, por kjo nuk faktohet dot. Çështja është se perceptimi mbi këtë parti është ndotur dhe është përgjegjësi e saj ta pastrojë. Nëse do kuptohet, se mund të jemi duke folur pa sens.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.