Biznesmeni Leka: Niviciotët nuk kanë asnjë dokument të vlefshëm për Kakomenë(dhe një vendim i 2008-ës)

Postuar në 14 Tetor, 2020 23:07

Biznesmeni Luan Leka ka reaguar sot publikisht për çështjen e krijuar në Kakome, ku ai ka marrë në pronësi mbi 100 ha për të zhvilluar një kompleks turistik. Reagimi i mëposhtëm e z. Leka nis me faktin juridik se gjykatat kanë rrëzuar pretendimet e banorëve, se zhurmën po e bëjnë 4-5 familje, se procedura e provtizimit nga shteti ka nisur pas zgjidhjes së problemit gjyqësor etj.. Më tej z. Leka vë në dukje një fakt sipas të cilit:

Në vitet 2005-2006 punimet për fillimin e ndërtimit u penguan nga ndërhyrjet e dhunshme të disa banorëve të fshatit Nivicë të cilët kishin pretendime për pronësinë e truallit. (për ata që nuk e dinë Nivica është një fshat malor i ndodhur rreth 7 km larg Kakomesë)....Pra aktualisht, asnjë banor i fshatit Nivicë nuk ka një dokument të vlefshëm pronësie për tokën në Kakome. Thjesht kemi të bëjmë me një përpjekje të një grushti njerëzish, që të gjithë së bashku pretendojnë 3% të pronës dhe që u bëjnë presion organeve të drejtësisë dhe investitorëve me qëllimin e vetëm për të rrëmbyer diçka që nuk u takon

Ky element ha diskutim pasi në të vërtetë banorët që ankohen nuk po sulmojnë edhe aq z. Leka dhe kryeministrin, por gjykatat. Pikërisht ato gjykata të cilat vetëm dy ditë më parë z. Rama u cilësonte si kokën e korrupsionit në Shqipëri. Për ta kuptuar se mbi cilat akte ecën gjoja shteti shqiptar, por edhe për të sqaruar mënyrën sesi ai vlerëson dokumentacionin të cilin e skualifikon këtu edhe z. Leka, po sjellim një pjesë nga vendim nr. 71253 u viti 2008, marrë nga Gjykata e Tiranës në të cilin thuhet shprehimisht se pretenduesit, pra banorët kanë paraqitur dokumente të regjistrave të vjetër kadastralë. Të kohës osmane. Por këto gjykata u ka çmuar si ta paqena sa kohë sipas arsyetimit të bërë “shteti Otoman nuk ka pasur dhe nuk mund të kishte asnjë tagër pronësie mbi sendet e paluajtshme që paditësit pretendojnë se kanë blerë prej tij…Veprimi juridik i shitjes nga ana e qeverisë otomane është një veprim juridik contra jus, nul(ab initio) dhe që nuk mund të sjellë kurrë pasoj juridike”.

Në këtë kuptim rregullimi juridik i pronësisë në Shqipëri kalon nga dëshira e njërit apo tjetrit dhe ne kemi parë sesi kanë dalë pronarë edhe të detit, siç ka qejf të tallet kreu i Kadastrës. Por ky arsyetim i gjykatës ha shumë diskutim, pasi kështu p.sh edhe pasuria e italianëve që u krijua, ble dhe shit gjatë kohës kohës së Burbonëve nuk krijon asnjë pasojë juridike. Tjetra: Si atëherë u rishpërnda pronësia me krijimin e shtetit shqiptar? Dhe a janë të vlefshme dokumentet e kohës së vjetër në këtë vend që mesa duket ka zaptimin si parim të trashëgimisë?

Le të shtojmë këtu se ClubMed u largua pikërisht këto marifete juridike me pronën dhe ndoshta nuk është aq pa kuptim që në këtë vend nuk para vijnë nga nashtë investitorë seriozë në fushën e turizmit.

***

Më poshtë reagimi i plotë i z. Leka:

Në të katër shkallët e gjykimit u njoh Pronësia E SHTETIT MBI TRUALLIN E KAKOMESË duke rrëzuar çdo pretendim të banorëve të Nivicës. (U paraqitën në gjykim edhe dokumente te kadastrës së shtetit të vitit 1929 përveç faktit që banorët e Nivicës nuk paraqitën asnjë dokument për pretendimet e tyre) Mbas mbylljes se konfliktit gjyqësor shteti aplikoi procedurën e privatizimit në bazë të ligjit nr. 10186 dt 05/11/2009 "Për rregullimin e pronësisë në zonat me përparësi turizmin", ligj mbi bazën e të cilit kalohej në privatizimin e detyrueshëm të fshatrave turistike, gjerësisht i aplikuar në vend.

Meqenëse në atë kohe sapo kishin rifilluar punimet dhe ishin ndërtuar vetëm shtretërit e rrugëve, pusetat dhe kanalizimet, shoqërisë :Riviera Kakome Shpk" iu kërkua pagesa e kalkuluar për privatizimin e plotë të truallit të ndërtimit prej 29 ha apo 290.000 m2. Mbi bazën e kontratës së shitjes të dt. 23/03/2012 ndërmjet shtetit shqiptar të përfaqësuar nga ALUIZNI dhe shoqërisë "Riviera Kakome shpk" prona u regjistrua me 16/04/2012 ne ZRPP Sarandë në emër të shoqërisë.

Por për fat të keq, pa filluar punimet u ndodhëm para një veprimi sabotues të Këshillit Bashkiak Himarë. Ky këshill, me 26/05/2017, në mënyrë plotësisht antiligjore, u dha tetë akte pronësie trualli, me sipërfaqe rreth 1000 m2 secila tetë familjeve fshatit Nivicë. Nuk përcaktohej saktë ku ishin këto prona, vetëm i klasifikonin brenda sipërfaqes prej 290.000 m2 ku investitorët "Riviera Kakome shpk", Luan Leka dhe Dritan Çelaj bëheshin gati për të filluar projektin e përbashkët me Blu Serena Resort. Këto akte pronësie antiligjore asnjëherë nuk u pranuan nga ZRPP Sarandë. Por, mjaftuan për të shkaktuar trazira te organizuara nga 4-5 familje para portës së Kakomesë. Për më tepër iu bënë edhe kërcënime për jetën bashkë investitorëve italiane të cilët braktisën projektin për bashkë investimin.

Shoqëria "Riviera Kakome" paraqiti kallëzimin penal për autorët e këtij akti antiligjor dhe sabotues. Në përfundim te gjykimit u dënua për "shpërdorim detyre" Drejtori i menaxhimit të tokave Himarë, z. Jerasimo Bashi për vendimin e dt. 26/0572017, për dhënien e tetë akteve antiligjore të pronësisë.

Në vitet 2005-2006 punimet për fillimin e ndërtimit u penguan nga ndërhyrjet e dhunshme të disa banorëve të fshatit Nivicë të cilët kishin pretendime për pronësinë e truallit. (për ata që nuk e dinë Nivica është një fshat malor i ndodhur rreth 7 km larg Kakomesë)....Pra aktualisht, asnjë banor i fshatit Nivicë nuk ka një dokument të vlefshëm pronësie për tokën në Kakome. Thjesht kemi të bëjmë me një përpjekje të një grushti njerëzish, që të gjithë së bashku pretendojnë 3% të pronës dhe që u bëjnë presion organeve të drejtësisë dhe investitorëve me qëllimin e vetëm për të rrëmbyer diçka që nuk u takon.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Niviciotet nuk kane dokumenta, por Kakomeja njihej si zone e tyre. Here e me te ralle bagetite e tyre shkonin asaj ane, deri prane detit. Por zona ne fjale, megjithate duhet te rrije ne dore te shtetit dhe te mos lejoje ndertime nga banoret e zones, (te cilet nga lashtesia e deri ne vitet 90 nuk e kishin pare kurre ate zone me sy), ne te kundert nuk do te ndalet shkaterrimi me ndertime private. Shteti duhet te nise konkurs per projekte te ndryshme per zonen ne fjale dhe jo t'ia japi biznezmenit me te pare. Dhe projekti me i mire duhet pranuar nga nje komision prej te pakten 20-30 njerez te shkences, arkitektures, urbanistikes, biologjise, e pastaj turizmit, politikes, etj. Zona ne fjale eshte nje gji jo i madh, i cili nuk lejon turizem masiv.
Pervec kesaj, te gjitha resortet turistike te vogla e te medha ne detin Jon nuk kane kryer akoma perthithjen e ujrave te zeza permes tubacioneve dhe filtrimin dhe derdhjen e tyre ne largesi nga deti; por gjithshka shkon poshte tokes dhe del ne det. Deti Jon ka nisur te qelbet si deti Adriatik!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.