Qipro ndërpret programin e shtetësisë përmes investimeve pas skandalit të publikuar nga Al Jazeera

Postuar në 13 Tetor, 2020 12:39

Qeveria qipriote ka ndërprerë në “mënyrë të papritur” programin e vet të dhënies së nënshtetësisë për shtetas të huaj në këmbim të investimeve. Zëdhënësi i saj, Kyriacos Koushos ka sqaruar se vendimi do të hyjë në fuqi pas 1 nëntorit të këtij viti dhe ai merr në konsideratë propozimin e ministrit të Brendshëm, Nicos Nouris dhe atij të Financave, Cosntantinos Petrides. Koushos ka shtuar po ashtu se skema e re për dhënien e pasaportës qipriote do të rishikohet pas rezultateve të një hetimi që do të kryhet.

Vendimi në fakt pason një investigim të publikuar në rrjetin Al Jazeera që ka transmetuar video të fshehta që zbulojnë atë që duket të jetë një skandal i vërtetë.

Në Letrat Qipriote(Cyprus Papers Undercover) Al Jazeera zbulon sesi rangjet më të larta politike të vendit kanë vullnetin të ndihmojnë dhe inkurajojnë kriminelë me dënime që të marrin shtetësinë qipriote, duke i siguruar atyre akses në tregun e brendshëm të BE-së dhe udhëtim pa viza. Mes tyre janë kryetari i Parlamentit, Demetris Syllouris dhe deputeti Christakis Giovanis që është një nga biznesmenët kryesorë në real estate

raporton Al Jazeera.

Sipas këtij rrjeti që nga nisja e programit në vitin 2013 Qipro ka fituar më shumë se 7 miliardë euro. AL Jazeera ka zbuluar se ka përdorur një operativ me emrin e koduar Billy që është shtirur si biznesmen kinez i dënuar me 7 vjet për pastrim parash, dënim të cilin nuk ua ka fshehur zyrtarëve qipriotë dhe që ligjërisht do të duhej të skualifikohej nga programi.

Lajmi në fjalë ka një rëndësi të caktuar edhe për Shqipërinë, pasi në nëntor të vitit të shkuar, kryeministri aktual, Edi Rama, njoftoi nga Londra se do të përfshinte edhe vendin tonë në këtë skemë. Deri më tani nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këtë çështje, ndërkohë që media të Edi Ramës kanë disa ditë që akuzojnë Presidentin e Republikës që jep shtetësi jashtë kritereve ligjore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.