Tragjedia e Kalimit Diatlov, mister edhe pas 60 vjetësh

Postuar në 08 Tetor, 2020 02:20

Më 1 shkurt 1959, në rajonin e Svjedllovksut në Urale ndodhi një incident me pasojë vdekjen e 9 alpinistëve që u bë i njohur si Insidenti i Kalimit Diatlov. Ngjarja ka thuajse një njohje të gjerë edhe për shkak të popullarizimit në internet, por fakt është se hetimi i saj e ka shtuar edhe më tepër misterin. Nga raportimet zyrtare u identifikua se katër viktima kishin vdekur nga hipotermia, ndërkohë që të tjerët kishin traumë fizike. Në raport flitet për një forcë të pëpërballueshme të natyrës, por askush nuk di të thotë se çfarë ndodhi realisht edhe pas konsultimit të dokumenteve zyrtare. Në vitin 2019 Rusia rihapi hetimet për të përfunduar se shkak i vdekjes ishte hipotermia si pasojë e një kombinimi faktorësh: orteku dhe shikueshmërie të ulët.

Nga ana tjetër, përfundime kaq të thata dhe racionale nuk arrijnë të sfidojnë një mister 60 vjeçar. Gazetarja polake, Alice Lugen ka publikuar një libër mbi këtë ngjarje, pasi ka konsultuar dosjet. Dhe përtej çdo shikimi konkluzioni i saj  -përcjellë edhe në këtë intervistë - se dosjet shumëfishojnë pyetjet në vend se t’i shterojnë, është më kuptimploti për të kuptuar të gjithë këtë forcë magnetike të asaj ngjarjeje që mbetet pa një shpjegim bindës.  

***

Si ratë në gjurmë të këtij rasti?

Mësova për të në mediat ruse të cilat i ndjek rregullisht dhe që nga fillimi iu qasa me kujdes të madh. Informacioni i deklasifikuar dukej i pabesueshëm dhe thuajse absurd. Ajo që ishte më befasuese ishte se hetimi ishte mbikëqyrur nga Leonid Urakov – zv.prokurori i Përgjithshëm I Bashkimit Sovjetik. Në publikimet mbi incidentin mund të shihen emra të politikanëve të lartë si Nikita Hrushov, Boris Jelcin, Andrej Kirilenko(i caktuar si pasuesi i mundshëm i Brezhnjevit) dhe Nikollai Stakhanov, ministër i Punëve të Brendshme. Kjo është arsyeja pse në fillim mu duk e pamundur që citimet e përcjella nga gazetarët rusë të kishin si burim dosjet e çështjes në fjalë.

Në çfarë konsistonin këto citime?

Ato përfshinin p.sh disa spekullime për ndalimet e shamanëve, malin e shenjtë të popullsive Mansi dhe legjendat vendase. Në dëshminë  tij, babai i një prej viktimave flet për ndryshimin e trajektores së një rakete. Ushtarë dhe dëshmitarë të tjerë përmendin teste ushtarake dhe objekte që lëviznin në qiellin e Uraleve. E gjitha dukej e pabesueshme, për çka edhe vendosa ta verifikoj vetë.  Rezultoi se ato citime ishin me të vërtetë në dosje. Sa më shumë kërkoja në këtë çështje, aq më shumë pyetje dhe dyshime kisha. Tani bëhen 7 vjet që nga momenti kur u përfshiva në të.

Le ta nisim nga fillim: kush ishin viktimat?

Ishin studentë dhe të diplomuar nga universiteti shumë prestigjoz, Instituti Politeknik i Uraleve, me qendër në Svlerdllovsk, e që sot njihet si Universiteti Shtetëror Teknik i Uraleve në Ekaterinburg. Ekipi drejtohej nga Igor Dyatlov dhe mes pjesëtarëve të tij ishin Zina Kolmgorova dhe Juri Doroshenko, që kishin qenë të lidhur, por ishin ndarë pak përpara udhëtimit. Në ekip bënin pjesë edhe dy anëtarë të tjerë: Aleksandër Kolevatov, që punonte në Institutin sekret 3394 të Moskës(ndryshe truri pas Luftës së Ftohtë) dhe Ludmilla Dubinina. Ishin po ashtu edhe tre të diplomuar: Rustem Sllobodin, Nikollaj Thibo Brinjoll dhe Juri Krivonishçenko. Këta dy të fundit punonin në kompleksin bërthamor në Majak dhe Krivonishçenko kishte qenë përveç kësaj edhe përmbarues për fatkeqësinë e famshme të Kushtumit(katastrofa e tretë më e rëndë bërthamore e regjistruar  ndonjëherë ndodhur në vitin 1957 në Çeliabinsk).

Thibo Brinjoll nga ana tjetër rridhte nga aristokratë francezë që jetonin në Rusi. Ai ishte lindur në një kamp pune ku ishte izoluar i ati.

Përmendet tetë persona, por aty pati nëntë viktima…

Po, ishte edhe anëtari më i vjetër i grupit: Semjon Zollotarjov, lindur në vitin 1921. Por biografia e tij është më e komplikuar dhe e bën me dhimbje koke çdo kërkues. Një veteran lufte që punoi në shumë objekte turistike, ai u prezantua me emrin e rremë Aleksandër. Askush nuk ja ka idenë se pse ai këmbënguli për t’iu bashkuar ekipit Diatlov. Ai nuk ishte as student, as edhe i diplomuar nga Instituti Politeknik. Askush nuk e njihte dhe historianët kanë dyshime për përvojën e tij në luftë. Ai dyshohej se punonte për llogari të një shërbimi të huaj sekret. Informatorët e disa gazetarëve investigativë kanë rrëfyer disa histori të pabesueshme për të. Të afërmit e tij kërkuan që trupi i tij të zhvarrosej pasi përshkrimi i të vdekurit në raportin e autopsisë nuk përputhej me Semjonin. Pas zhvarrosjes më 2018, u kryen dy teste ADN-je. Njëri prej tyre konfirmoi lidhjen farefisnore me familjen Zollotarjov, kurse tjetri jo.

Na pëlqejnë shpjegimet e qarta; duam të dimë çfarë ndodhi dhe kush e ka përgjegjësinë. Kur nisët të punoni për librin, ju e dinit që nuk do të ishit në gjendje t’i përgjigjeshit këtyre pyetjeve. Si është të punosh mbi diçka që e di se është e pashpjegueshme?

Ka njerëz që kërkojnë prej 60 vjetësh për këtë tragjedi. Ata kanë përpiluar një listë të gjatë pyetjesh që mbeten ende pa përgjigje. Si një reporter që shkruan në Poloni për tragjedinë e Kalimit Diatlov, kam vendosur se detyra ime është e dyfishtë.

Së pari, duhet të vë në dukje se çfarë nuk është shpjeguar dhe pse. Së dyti, kam nevojë të raportoj se çfarë është provuar përtej çdo dyshimi, duke ofruar burime. Synimi im nuk ishte të sqaroj këtë rast – kjo gjë sot është thjesht e pamundur.

Ka shumë teori që janë sugjeruar mbi atë çfarë ndodhi dhe kush ishte fajtor. Një prej tyre pretendon se alpinistët u sulmuan nga të burgosur të arratisur nga kampet e punës në Urale; një tjetër, e cila u mor seriozisht në konsideratë, deklaron se ata u vranë brutalisht nga popullsitë vendase Mansi. E kotë të thuhet, kjo e fundit ishte më bindësja për qeverinë.

E drejtë. Kjo teori ishte më e kënaqshmja për partinë, sidomos qëkurse nuk i kishte me sy të mirë popullsitë Mansi. Ishte e vështirë të nënshtroje këta rebelë të Uraleve. Ata vetëqeveriseshin dhe zgjidhnin  një shaman, lider i komunitetit të tyre, me zgjedhje demokratike. Më tej akoma, vendet që banoheshin prej tyre ishin të pasura në burime natyrore. Le të mos harrojmë se aty ishte stacionuar Distrikti Ushtarak i Uraleve. Nëse do ja kishin dalë që të zhvendosnin pak më në veri popullsitë Mansi, do të ishin zgjidhur shumë konflikte territoriale. Vrasja rituale u propozua si teori nga sekretari i Parë i partisë së qytetit Ivdel, por u kundërshtua nga prokuroria. Mansit nuk ishin aty në momentin e incidentit. Ata nuk i panë alpinistët duke u ngjitur, vetëm gjurmët e lëna nga skitë e tyre. Ata nuk kishin asnjë interes në vrasjen e tyre për sa kohë që kohë që ngulimet e tyre vizitoheshin shpesh nga turistë rusë, të cilët në këmbim të ushqimit dhe një vendi për të qëndruar, do të jepnin produktet e tyre që gjendeshin me vështirësi në tajga: gozhdë, kripë, sheqer dhe ilaçe.

Një tjetër teori, më sensacionalja për fshin një spiun amerikan.

Kjo është si një fyerje si për CIA-n ashtu edhe për kundërspiunazhin sovjetik, por le ta ndjekim hap pas hapi. Sipas kësaj teorie, spiunë amerikanë, të cilët në vitin 1959 po endeshin rreth Distriktit Ushtarak të Uraleve(që në vetvete duket diçka tërësisht absurde) kontaktuan një nga anëtarët e gurpit: Juri Krivonishçenkon. Ai punonte në kompleksin bërthamor të Majakut dhe jetonte në të ashtuquajturin qytet i mbyllur ku nuk mund të hyje pa autorizim të të posaçëm. Është e vërtetë që ai mund të ketë qenë një aset shumë i rëndësishëm pasi kishte informacione për fatkeqësinë e Kushtumit të vitit 1957 – një ndër më të rënda në histori dhe që ndikoi kursin e Luftës së Ftohtë. Krivonishçenko besohet se është rekrutuar nga operativë të shërbimeve sekrete. Megjithatë, ata nuk donin prej tij ndonjë përshkrim të teknologjisë së zhvilluar në Majak, emrat e atyre që kishin përdorur këtë teknologji apo ndonjë dokumentim mbi katastrofën e 1957-ës. Ata më shumë kërkonin prej tij një palë pantallona të rrezatuara dhe një triko.

Kjo histori është përshkruar në novelën e famshme të Aleksej Rakitinit. Ai sugjeronte se tri viktima të incidentit të Kalimit Diatlov punonin për KGB-në dhe Krivonishçenko ishte përveç kësaj një informator i CIA-s. Ky nuk do të ishte një problem nëse libri nuk do të ishte një fikshën; atë libër e përpin menjëherë. Por protagonistët janë njerëz realë të afërmit e të cilëve janë ende gjallë.

Megjithatë, kjo është letërsi fikshën që i bindet rregullave të veta.

Po, por libri supozohej të hidhte dritë të re mbi tragjedinë. Si pasojë, lexuesit ishin të paaftë që të ndanin faktin nga fiksioni. P.sh autori sugjeron se Ludmilla Dubininës i kishin prerë gjuhën. Kjo nuk është e vërtetë. Trupi i saj, i gjetur në dëborë të shkrirë kishte nisur të dekompozohej, njësoj si trupat e viktimave të tjera të gjetura në të njëjtën ditë. Në raportet e autopsisë, përshkuhej në hollësi një dëmtim i konsiderueshëm i indeve të buta. Askush nuk kishte prerë gjuhën e Ludmillës, as edhe i kishin nxjerrë sytë të vdekurës.

Disa gjëra nuk mund të shmangen në momentin që një tragjedi bëhet pjesë e pop kulturës. Prirje të ngjashme vihen re në rastin e Çernobilit.

Këtu përplasen perspektiva të ndryshme. Sigurisht, autori ka të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mund të shkruajë një libër frymëzuar nga ngjarjet e Kalimit Diatlov. Askush nuk mund ta ndalojë atë dhe askush nuk duhet të përpiqet ta bëjë një gjë të tillë. Por në të njëjtën kohë edhe familjarët e viktimave kanë të drejtën të mos torturohen. Është e vështirë të gjesh një zgjidhje për këtë dhe unë nuk jam në pozitën ta ofroj një gjë të tillë.

Disa shpjegime përfshijnë gjithashtu ortekët dhe ujqërit...

Familjet e viktimave e njohin kontekstin e hetimit të vitit 1959. Ata kanë dëgjuar për një grindje të gjatë, tre mujore mes prokurorëve dhe liderëve të partisë. Ata janë në dijeni se hetimi u mbyll me kërkesë të partisë. Pse u shkrua raporti për çështjen në fjalë ga ministri i Punëve të Brendshme? Pse e mbikëqyri hetimin zv.prokurori i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik? Pse në vitin 1959 prindërve të viktimave iu kërkua të mos bënin pyetje dhe të rrinin urtë? Pse dosjet u dërguan në Moskë pa një numër reference dhe u mbajtën të klasifikuara? Pse nuk u lejua prokurori të shihte vendngjarjen pas shkrirjes së borës dhe pse dëshmitarët u zotuan të mbajnë heshtjen? Pse babai i Rustem Sllobodinit tha se do t’i merrej karta e anëtarësisë së tij nëse do të vazhdonte të rëmonte mbi atë ngjarje? As orteku dhe as ujqërit nuk i përgjigjen këtyre pyetjeve.

Kjo na çon më afër termit të gjerë, gostajna, që ka kuptimin e “sekretit shtetëror”. Është befasuese kur sheh se mes viteve 1959-1960 në malet e Bashkimit Sovjetik, vdiqën rreth 150 turistë. Duke patur parasysh përmasat e vendit, kjo nuk duket një shifër e lartë, por e rëndësishmja është se vetëm kjo çështje u klasifikuar konfidenciale: “të digjet pasi të lexohet”.

Duhet kujtuar megjithatë, se turizmi ishte shumë popullor në atë kohë në Bashkimin Sovjetik dhe mijëra të rinj kanë kryer këto udhëtime. Nuk është mbajtur asnjë statistikë zyrtare për aksidente të vogla si lëndime. Regjistrohej vetëm numri i vdekjeve. E megjithatë asnjë incident i këtij lloji nuk u trajtua nga njerëzit më të rëndësishëm të vendit. Asnjë dosje tjetër nuk u klasifikua dhe asnjë rast tjetër nuk u mbikëqyr nga zyrtarët lokalë të partisë. Tragjedia e Kalimit Diatlov ishte një përjashtim: zv.prokurori i Përgjithshëm i BS-së do të udhëtonin nga Moska në Sverdllovsk vetëm për të mbikëqyrur hetimin e Ivanovit.

Por hetimi i vitit 1959 u mbyll nga autoritetet lokale, jo nga prokurori i Përgjithshëm. Pse?

Më 28 maj 1959, Ivanovi e mbylli hetimin duke shpallur si shkak të tragjedisë një “forcë të papërballueshme natyrore”. Dokumenti po ashtu u firmos nga Stepan Lukin, kreu i departamentit të hetimt në zyrën e prokurorit në rajonin e Svjerdllovskut. Sot është bërë e njohur se ata u detyruan ta bëjnë një gjë të tillë nga Sekretari i Dytë i partisë në Svjerdllovk, Afanas Jeshtokin dhe zv. Sekretari i Parë, Andrej Kirilenko. Në mars të vitit 1959, Kirilenko shkëmbeu telegrame mbi tragjedinë në fjalë edhe me Nikita Hrushovin. Ne e dimë një gjë të tillë nga prokurorët.

Në vitet ’90, Lev Ivanov u kërkonte falje familjeve të viktimave. Pas leximit të librit tuaj, kam përshtypjen se për pjesën e mbetur të jetës së tij, ai ishte tërësisht i paaftë të përballej me atë që ndodhi.

Po e gërryente deri në ditët e fundit të jëtës së tij. Që nga vitet ’70 ai shkruante në gazeta në të cilat ai kujtonte hetimin e tij. Kur në vitet ’90 një gazetar e pyeti pse ishte mbyllur çështja, ai dha një përgjigje shumë të sinqertë: “Më ezauroi tërësisht”. Ivanov ishte i vetmi që kërkoi ndjesë. Ai ishte po ashtu i pari që përshkroi atë që ndodhte realisht pas quintave. Artikulli i tij i mpiu gazetarët – askush nuk kishte asnjë ide që kjo të dukej ashtu siç e sqaronte ai

Ju shkruani shumë për neglizhencën nga ana e alpinistëve dhe klubit turistik. P.sh ju përmendni se ekspedita u konsiderua si një “udhëtim zyrtar biznesi” në mënyrë që të financohej. A u mor njeri përgjegjës për një gjë të tillë?

Raporti që mbylli çështjen përfshinte një listë njerëzish të cilët dështuan për t’u kujdesur për formalitetet. Të gjitha ishin pjesë e klubit të sporteve, klubit turistik në Politeknikun e Uraleve dhe komisionin e itinerarit turistik. Kur alpinistët u zhdukën, askush nuk e kishte idenë se ku të kërkohej.

Ju vini në dukje se grupi i Diatlovit ishte me përvojë, pajisur me kompase dhe intuitë, por ata nuk kishin atë që ne sot do ta quanim një domosdoshmëri: një hartë.

Alpinistët nga Politekniku i Uraleve e dinin se hartat e Uraleve të Veriut mbaheshin konfidenciale sepse Distrikti Ushtarak ndodhej aty. Por Lev Gordo, kreu i klubit sportiv, nuk ia kishte idenë për këtë. Ai e mori vesh se qielli mbi Uralet veriore ishte  hapësirë e ndaluar ushtarale, vetëm pasi grupi u zhduk dhe kur një ekip civil shpëtimi nuk lejohej të shkonte në aeroportin ushtarak Idvel pa një leje paraprake të Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe hartat mbroheshin me kaq zell saqë as Ivanov nuk mund t’i shihte.

Cila është sipas jush teoria më e mundshme për atë që ndodhi në Kalimin Diatlov më 1 shkurt 1959?

Nuk ka ende prova të mjaftueshme për të dhënë një përgjigje definitive. Prokurorët që drejtuan hetimin në vitin 1959 ranë dakord se ishte një aksident ushtarak dhe shumë njerëz kanë prirjen ta besojnë një gjë të tillë - shumica e gazetarëve investigativë, familjet dhe miqtë e viktimave, ekipe shpëtimi si dhe prokurorët e sotshëm. Shumica e kërkuesve dhe Juri Judin(i vetmi i mbijetuar, që u tërhoq nga ekspedita më herë për shkak të nervit shiatik) ka ardhur në të njëjtin përfundim. Kjo teori, njësoj si të tjerat ka pikat e forta dhe kufizimet e veta. Ne duhet të kujtojmë se kemi të bëjmë ende me një hipotezë.

Nëse nis e gërmon në këtë çështje, është e mundur që të distancosh veten prej saj?

E pranoj se jam i angazhuar. Jo vetëm unë: kam folur me prokurorin që më tregoi se nuk mund të hiqte dorë nga kjo çështje sepse pa një fotografi të Juri Judin të vitit 1963 ku ai ngjitej në malin Otorten. Ky njeri me shtat gjigand rrëfeu se qau së fëmijë mbi këtë foto dhe se nuk mund të pushonte. Shumë kërkues dhe gazetarë kanë punuar mbi rastin për shkak të përfshirjes emocionale – disa prej tyre, si Pjetër Bartolomej dhe Sergei Sogrin, që nga viti 1959. Ata ishin miq të viktimave dhe pjesëtarë të grupeve të shpëtimit.

Ju keni shkruar po ashtu për dokumentimin e paorganizuar dhe paaftësinë për të gjetur burimet. Keni patur dëshirë të hiqnit dorë?

Jo, por shumë gazetarë kanë patur shumëçka dhe hoqën dorë. Kur lexova për herë të parë dosjet e këtij rasti, kisha 100 pyetje. Pasi i lexova ato 50 herë, kisha 1000 pyetje. Nuk është kaosi i vetmi problem. Dosjet janë plot me mistere inkosistente të pashpjegueshme. Ka p.sh një daktilografim të titulluar: “Një kopje e gazetës së Kolmogorovës”. Ndryshon shumë nga dorëshkrimi i shkruar me laps që prokurori i dha familjes së saj. Pyetja është se kush e shkroi atë në fakt? Pse mbulon ngjarje që nuk kanë ndodhur gjatë ekspeditës në Otorten?

Ka shembuj të shumtë si ky. Mund të gjesh dy variante të raportit përmbyllës hetimor dhe dhe pyetje të dëshmitarëve që datojnë më 6 shkurt, 21 ditë përpara sesa prokuroria të hapte hetimet. Hipostaza(livor mortis – depozitimi I gjakut në pjesët e poshtme të trupit për shkak të mungesës së qarkullimit dhe gravitetit) në trupat e katër viktimave nuk përputhet me pozicionet në të cilat ata u gjetën. Në dosje nuk thuhet se cili prokuror ishte ngarkuar me hetimin gjatë periudhave të caktuara. Mbetet po ashtu e panjohur se kur rasti u lëviz nga Ivdeli në Svjerdllovsk, apo se ku ndodhet dokumentacioni i përgatitur nga Vladimir Korotajev, prokurori I parë i çështjes. Vëllimi i dytë i dosjeve konsiston në korrespondencën e klasifikuar, shenjuar me shënimin “të digjet pasi të lexohet”. Thuajse çdo fjali aty shtron pyetje të panumërta.  

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.