Polonia gjobit Gazpromin me 6.5 miliardë euro për projektin Nord Stream 2

Postuar në 08 Tetor, 2020 19:23

Polonia ka gjobitur gjigantin rus të energjisë Gazprom me 6.5 miliardë euro për ndërtimin e tubacionit të gazit Nord Stream 2.

Autoriteti i Konkurrencës së Polonisë thotë se projekti do të rrisë padrejtësisht dominimin e firmës në tregun polak, me pasoja potencialisht serioze për ekonominë e vendit.

Gazprom po udhëheq projektin e tubacionit të Detit Baltik, i cili do të lejojë Gjermaninë të dyfishojë importet e saj të gazit nga Rusia.

Kompania thotë se do të apelojë vendimin. Ajo këmbëngul se nuk ka arsye për gjobë dhe e cilëson gjobën një masë të motivuar politikisht për të kënaqur qeverinë e SHBA.

Qeveria gjermane ndërkohë po tregohet shumë e kujdesshme lidhur me vënien në pikëpyetje të këtij projekti, edhe pse marrëdhëniet e saj me Moskën janë aktualisht në një pikë të ulët.

Një nga shkaqet e tensionit aktual është vrasja e një veterani çeçen Zelimkhan "Tornike" Khangoshvili në një park në Berlin nga një operativ i pretenduar i agjencisë federale ruse GRU, gjyqi i të cilit filloi të mërkurën në kryeqytetin gjerman.

Helmimi i liderit të opozitës ruse Alexei Navalny - i cili u trajtua në një spital të Berlinit - gjithashtu ka acaruar marrëdhëniet mes dy shteteve. Heiko Maas, ministri i Jashtëm gjerman, sipas “Bild” në shtator është shprehur se shpresonte që Rusia "të mos na detyrojë të ndryshojmë pozicionin tonë lidhur me Nord Stream".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.