Vetëzbulimi si kryeheroi i “Kështjellës”

Postuar në 03 Tetor, 2020 19:13
Skerdilajd Zaimi

 

Shumica në pushtet ka nisur të asimilojë idenë se një mandat i tretë është shumë i mundshëm. Ideja në fjalë është hedhur në fillim nga kryeministri aktual që ka ende llogari për të rregulluar me firmat e veta dhe siç mund të merret me mend dhe të kuptohet, ajo nuk lidhet me realizimin e ndonjë vizioni apo projekti. Jo. Ajo është grepi rekrutues dhe korruptues i një grupimi ekonomik me militantë nga pas të cilëve u është rigjallëruar shpresa se do të vijojnë ta shtyjnë kështu si dollibashët e një dasme që e paguajmë ne. 

Kjo ambicie që del nga llogjika informale e tranzicionit të Tiranës – i tillë që nga 1912 – e dy mandateve që dalin e teprojnë, ka gjetur avokatinë e vet në media, mbështetur kryesisht në akrobaci propagandistike dhe malinje që synojnë të evidentojnë tanimë se edhe në rrafsh psikologjik Edi Rama, ky gjeni i artit të kotësisë, qëndron më afër fitores sesa kundërshtari i tij. Ja se çfarë shkruan ndër të tjera një nga gazetarët e majtë, Lorenc Vangjeli: 

Dikush duhet t’ua thotë armiqve të kryeministrit se shumë urrejtje dhe shumë mohim pa pohim, rrezikojnë të kthehen në të kundërtën e tyre. Alkimia e pabesueshme njerëzore i shndërron ato në aleatin më të mirë të Edi Ramës për t’i mundur përsëri. Për t’i mundur të gjithë dhe për të pohuar aksiomën e sapozbuluar në politikë: armiqtë që jetojnë vetëm nën shenjën e urrejtjes janë gjithmonë fatkeqë! Sepse humbasin gjithmonë. Edhe kur kundërshtari nuk meriton të fitojë

Po kush e urren Edi Ramën vallë? Lulzim Basha, Ilir Meta, Sali Berisha? Këta nuk e njohin më këtë ndjesi, ata janë në Pazar me Edin, me të cilin po përgatiten të bashkëqeverisin. Thikat e tyre mediatike janë taktika, jo shprehja e urrejtjes siç po na gënjen, apo gënjen veten Lorenc Vangjeli që krijon përshtypjen se është eksituar nga ideja se ka zbuluar Edin e Tij si kryehero të “Kështjellës”, brenda dhe jashtë së cilës vendos ata që i leverdis. Një qokë kjo e lezetshme për një vanitoz të dashuruar me veten si ky që kryen detyrën e kryeministrit në këto anë të nëmura të Europës. 

Natyrisht, mund të thuhet se strategjia e nxitjes së urrejtjes ndaj Ramës mund të jetë e gabuar dhe nuk shndërrohet detyrimisht në vota kundër tij, por kjo nuk ka të bëjë aspak me arsyetimin se ky është shkaku që opozita nuk fiton. Opozita nuk fiton sepse nuk di të jetë opozitë, sepse bën sikur nuk kupton dhe sepse i duhet që të sforcohet në ekstrem që teksa të prezantohet si alternativë e re, të mund të integrojë brenda saj edhe përgjigjet për pyetjet që kanë të bëjnë me Berishën, Metën dhe axhendën e tyre. 

Opozita nuk jep shenja se mund të fitojë sepse kryetari i saj nuk shkëputet dot, apo nuk do të shkëputet nga hija e paraardhësit, ai nuk po di të krijojë historinë e vet, ai po vret energjitë në vend se t’i mobilizojë. Dhe për ta bërë këtë nuk ka nevojë për urrejtje ndaj Edi Ramës. I cili është një njeri që për nga zullumi e ka vendin në regjimin 41 Bis Bis Bis. I duhet vetëm të mos gënjejë, të mos dredhojë, të mos bëjë sikur nuk kupton. 
Ne patë, rastin të shihnim sesi shqytarët e mazhorancës u shndërruan në kalorës të fytyrës së vrerosur, sapo PD-ja, ashtu siç është, në mjerim të plotë, denoncoi me LETRA transfertat 1 miliardë të dikujt që po ta gërmosh pak fare, mund të na çojë te gjeniu I Ballkanit. Mundet. 

Në këtë kuptim, ky profilizim psikologjik i Edi Ramës është asgjë më shumë sesa panegjirik i dikujt që lëpirjen e ka filozofi jete, ose dikujt që për kompleks apo defiçencë në percpetim sheh të ardhmen të lidhur me rehatinë që sjell ky reanimacion politik i pafundëm. 

Edi Ramën e urrejnë ata 600 mijë shqiptarë që nuk votojnë, sepse besojnë se ai është një hajdut dhe kryepërfaqësues I hajdutërisë, e urrejnë edhe të vetët brenda. Edi Ramën e urren kushdo që e do këtë vend, sepse ai është një sëmundje e përhershme e këtij vendi që shfaqet më forma të ndryshme dhe me një simptomë: masturbimin me vesin dhe padrejtësinë, të vetmit afrodiziakë për impotentët e vërtetë të politikës. 

Këtu vlen të sillet një copëz historie nga viti 2010 kur një ndër drejtuesit e PS-së, kritik i tredhur i Edi Ramës, kur u pyet në mes të sulmeve se të njëjtën gjë bënin socialistët edhe me Nanon, pra e sulmonin, por më pas e votuan, tha: ah po. Socialistët nuk e braktisin siglën e tyre.

Ndaj të mos e lëmë këtë tumor që kutërbon era plehra të na shitet për recetë triumfi moral. Sepse është po ai që na ka lënë të fundit dhe që I ka bllokuar një pjese atë horizont, ku në vend se të shohë apo ëndërrojë të ardhmen, shikon e shikon pa fund teatrin e shpifur të një njeriu dhe tufës korale që e mbështet. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.