Piktura e nacionalistit, falas nga Beogradi

Postuar në 02 Tetor, 2020 18:51

Beogradi zyrtar i ka ardhur sot në ndihmë kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke luajtur naivin në një lojë politike fare banale dhe të qartë. Mediat në Serbi përcjellin aktualisht vetëm një gjë nga mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë: deklaratën e Edi Ramës se porti I Durrësit do të vihet në dispozicion të Kosovës.

Më tej, ministri serb i Mbrojtjes, Alexander Vulin, ka paralajmëruar se ky është një hap drejt Shqipërisë së Madhe, ndaj edhe serbët duhet të bashkohen në një shtet që paqja në Ballkan të mos kërcënohet. Sa vite u bënë me këtë muzikë që përsëritet e përsëritet kaq trashë? Sa mbledhje qeverish janë bërë, sa deklarata në hava, sidomos para zgjedhjeve?

Vetë Beogradi ka qenë promotor i Shengenit Ballkanik duke folur për hapje, bashkëpunim rajonal pa përjashtuar askënd. Si vallë sot një ide që është formalisht në përputhje me Shengenin Ballkanik të Novisadit rezulton si përpjekje për Shqipërinë e Madhe?

Patjetër që Vulin, që ka marrë urdhërin të flasë sot, e di shumë mirë se çfarë po thotë. Ai po kap një qëndrim retorik të Edi Ramës për të bërë në media rezymenë e një kryeministri shqiptar nacionalist që duhet ndalur. Për Serbinë qëndrimet e palës kosovare zëre se nuk ekzistojnë, madje vetë ajo si palë është aneks i Shqipërisë.

Pala serbe e di shumë mirë se ky imazh i leverdis Edi Ramës tani që po afrojnë zgjedhjet, sidomos pas goditjes që mori me pjesëmarrjen me sens konspirativ për ndarjen e Kosovës. Ndaj nuk duhet besuar se Beogradi po shqetësohet nga lëvizjet e sofistikuara të Tiranës. Jo. Ai po ndihmon një iks politikan në Shqipëri dhe kaq.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.