Lali të sjell policinë

Postuar në 28 Shtator, 2020 22:04

10 ditë pas tentativës për të shembur një vilë dykatëshe, pronë e familjes Pustina në rrugën "Qemal Stafa" dhe një garazh pranë saj, inspektorët e Mbrojtjes së Territorit u rikthyen sërish për të përfunduar aksionin, këtë herë me mbështetjen e Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit. Ndërhyrja u kundërshtua sërish nga familja Muharremi, që është e strehuar në një shtëpi përdhese pas vilës në fjalë dhe pronari i garazhit që ndodhet ngjitur me këtë godinë. Në debat me këtë të fundit, kryeinspektori i IMT-së, nuk arriti të paraqesë një dokument për shembjen e objekteve.

Dy metra larg pallatit s’të lë ta prishësh, s’e prish pallatin dhe prish pronën tjetër aty. Këtu punët bëhen me lezet dhe jo me dhunë. Nëse do me dhunë, hajde e bëjmë me dhunë. Tani unë me shtetin nuk hahem, por kur është jashtë ligjit edhe hahem ...”-u shpreh pronari i garazhit.

Ndërkohë përfaqësuesi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit iu përgjigj: “Sipas deklaratave që kanë bërë pronarët, të cilët janë dakord për prishjen e objekteve të tyre, duhet të zbatohet vendimi i kryetarit. Vila një dhe pjesa tjetër, por jo pjesa mbrapa që është në proces gjyqësor.”

Debati nuk u ndal këtu, teksa pronari i garazhit iu përgjigj kryeinspektorit të IKMT-së: “Kryetar homeseksual keni. Vendimin e prishjes edhe pastaj prisheni. Përse vini privatësisht?”

Përplasja vijoi me shoqërimin e 6 personave në komisariat. Më pas me ndihmën edhe të policisë, punonjësit e bashkisë prenë me frezë një lidhëse metalike që ishte vënë në portën hyrëse të oborrit nga banorët që kundërshtonin prishjen.

TVT kontaktoi edhe me pronarët e vilës Pustina për të mësuar versionin e tyre lidhur me konfliktin, por këta të fundit nuk pranuan të japin shpjegime. Në këtë zonë, Bashkia e Tiranës ka dhënë leje për ndërtimin e një pallati shumëkatësh pas dakordësisë së firmës me pronarët e vilës së viteve '30. Banorët e banesës ngjitur refuzojnë të dalin nga shtëpia me pretendimin se ndërhyrja është e paligjshme pasi gjykata u ka dhënë të drejtë për pronësinë e banesës ku jetojnë. Godina sipas familjarëve është ndërtuar që në kohën e komunizmit dhe  pas viteve 90 u përshtat si shtëpi banimi, duke u futur në proces legalizimi  që për momentin ka mbetur pezull i përplasjeve me institucionin e Kadastrës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.