Rama riciklon Bushatin, e propozon në detyrën e Komisionerit të Medias

Postuar në 19 Shtator, 2020 12:01

Kryeministri Rama, i cili drejton presidencën e OSBE-së, ka propozuar ish-kreun e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, në detyrën e Komisionerit për Lirinë e Medias.

Rama e ka vlerësuar Bushatin si kandidati më i mirë për të zëvendësuar Harlem Dezir, duke shtuar se Shqipëria është krenare me këtë nominim.

I propozuari i Ramës në detyrën e Komisioneri për Lirinë e Medias nuk ndan të njëjtat pikëpamje me maxhorancën lidhur me paketën antishpifje. Në një nga seancat e fundit të vitit të kaluar, ish-ministri Bushati kërkoi rregullime në draft, që të mos cenohet liria e medias.

“Po nxitohemi që po bëjmë një ligj të tillë, është në kundërshtim me KiE, që nuk e ka kërkuar këtë ligj”, ka thënë Bushati.

Qëndrimet e ndryshme nga kryeministri në lidhje me çështje të caktuara, siç është shprehur vetë Bushati, i kushtuan atij postin e ministrit në fillim të vitit 2019.

Në janar të 2019, ai u shkarkua nga detyra e ministrit të Jashtëm, të cilën e mori vetë Rama, pas mbështetjes me 78 vota në Parlament.

Shkarkimi nga detyra për Bushatin u pasua edhe nga largimi si drejtues politik i socialistëve të Shkodrës. Në korrik 2019, kjo detyrë iu besua Valdrin Pjetrit.

Nuk ka ende një konfirmim nga ana e Bushatit në lidhje me këtë rivlerësim nga ana e kreut të socialistëve.

Përfaqësuesi i medias në OSBE zgjidhet me konsensus nga 57 vendet anëtare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.