Propagandimi i një takimi pa objektiva reale

Postuar në 12 Shtator, 2020 13:33

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet në Athinë në cilësinë e drejtuesit të presidencës shqiptare të OSBE.

Pavarësisht kësaj zyra e komunikimit e Edi Ramës ka përhapur gënjeshtrat e radhës përmes atyre që quhen interpretime iluzive në media. Lexoni se çfarë raporton televizioni Top-Channel që referon burime teper te besueshme: 

Burimet sqarojnë se Athina është e interesuar që me Tiranën zyrtare të ketë një dialog gjithëpërfshirës, madje është e vendosur që të lëshojë pe në disa prej problemeve të hapura mes dy vendeve, mjaft që edhe Tirana zyrtare të dëshirojë një zgjidhje të drejtë të problemeve mes dy  vendeve.
Mbas përkeqësimit të marrëdhënieve me Turqinë, Athina ka synuar ngritjen e një fronti europian, por edhe ballkanik që do të tentojë të pakësojë influencën turke në rajon,ndaj mbështetja greke ndaj integrimit europian të Shqipërisë pritet të jetë e pa kufizuar.
Në këtë kontekst, Athina zyrtare pritet të bëjë disa lëvizje diplomatike në rajon, ku synon të rrisë mbështetjen e saj ndaj forcave pro europiane në Ballkanin perëndimor, madje Athina është e vendosur të ketë një qasje të re me faktorin Shqiptar në rajon, duke parë që ky i fundit, është kthyer në faktor qeverisës ne Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut edhe më gjerë.
Kjo qasje e re, mund të konkludojë deri në formimin e një marrëdhënie të re të besimit mes grekëve dhe shqiptarëve në rajon,me pikë kulmore të saj, njohjen e Kosovës nga Greqia

Është një raportim propagandistik që nuk i përgjigjet të vërtetës. Qëkurse erdhi në pushtet, qeveria e Mitsotakis pati vetëm një akt të asaj që mund të quhet politikë balllanike: njohja dhe zbatimi i Marrëveshjes së Prespës. Përtej kësaj Athina zyrtare është përqendruar në atë që mund ta quajmë politikën detare të energjisë si rrjedhojë e së cilës ajo ndodhet sot përballë Turqisë në marrëdhënie gati lufte.

Nëse shohim rendin e gjërave dhe lëvizjeve diplomatike të Athinës, Shqipëria është e fundit në listë dhe qeveria e Mitsotakis iu dorëzua inercisë dhe konsensusit të përbashkët europian në qëndrimet ndaj vendit tonë lidhur me procesin e integrimit. Lidhur me marrëveshjen detare, Shqipërisë thjesht i ka ardhur radha pasi Greqia përfundoi marrëveshje me Egjiptin dhe Italinë.

Nëse qeveria e z. Rama do të kishte me të vërtetë vullnet ajo do të ndërmerrte iniciativa vetë, ndërkohë që ne sot shohim se për marrëveshjen detare, kryeministri përbetohet se nuk ka negociata dhe se madje Grupi Negociator duhet ndryshuar. Pa folur këtu se jemi para zgjedhjeve të përgjithshme. 

Nga ana tjetër Greqia nuk i ka kapacitetet për të ndjekur atë që në raportim quhet mbështetje e forcave proeuropiane. Qoftë për specifika historike, qoftë sepse vijon të jetë nën peshën e një prej krizave më të mëdha ekonomike që ka kaluar ndonjëherë. 

Fjalia më djallëzore e raportimit të TCh është ai që flet për njohjen e Kosovës që do na ardhka si pasojë e një klime të re besimi mes grekëve dhe shqiptarëve.

Është nga ato mashtrimet tipike të Edi Ramës. Greqia e njeh shumë mirë gjeopolitikën e brendshme të shqiptarëve dhe e di se bota shqiptare është policentrike. Sess e vërtetë është kjo mjafton të shihet rezultati i zgjedhjeve në Malin e Zi ku ndodhi e kundërta e asaj që kërkoi z. Rama. Këto zgjedhje janë një lakmues për të ashtuquajturin ndikim të Tiranës te shqiptarët në rajon. 

Është një tjetër koniunkturë ajo që mund të çojë në njohjen e Kosovës nga Greqia. Analisti i çështjeve ndërkombëtare, Januz Bugajski, veçonte këtë gjë nga samiti i Uashingtonit në analizën e tij publikuar.nga gazeta “Dita”: 

Një tjetër hap i madh është se Uashingtoni ritheksoi angazhimin e tij për të zgjeruar numrin e vendeve që njohin shtetësinë e Kosovës.

Njoftimi brenda Shtëpisë së Bardhë se Izraeli do të njohë pavarësinë e Kosovës ishte një zhvillim i rëndësishëm, veçanërisht pasi Kosova e shikon veten e saj si të ngjashme me Izraelin, si një vend i krijuar pas gjenocidit për të mbrojtur popullin shqiptar

Dhe kriza në Mesdheun Lindor patjetër që do të japë mundësi për shkëmbime diplomatike tani që vende si Greqia kanë nevojë për mbështetje. Pax Mediterranea e propozuar nga Macron nuk është e mundur pa Turqinë ose një superfuqi detare si ShBA. Në këtë kuadër do të përcaktohet edhe e ardhmja e rajonit dhe Kosovës për të cilën z. Rama nuk ka asgjë në dorë veçse të tundë kokën siç ka bërë deri më sot.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.