Dy fjalë për "përgatitjet serioze" në Shqipëri

Postuar në 27 Gusht, 2020 03:26

Media në Shqipëri ka arritur të paktën një sukses që duhet t’ia njohim: ka prodhuar ekspertët e vet për çdo fushë.

Për kronikën e zezë kemi gazetarë që parathonë madje edhe vrasjet që do të ndodhin.

Për ekonominë dihet se kush del e flet sa harron se dita ka 12 orë vetëm, për reformën në drejtësi flasin të gjithë.

Ka edhe disa ekspertë për marrëdhëniet me jashtë që se kanë për gjë të thonë çdo gjë. Në këtë rreth të fundit ka edhe disa ekspertë që janë më ekspertë se të tjerë. P.sh për çështjen e kufijve detarë që duket nga jashtë si diçka më e ndërlikuar dhe fine se kufijtë tokësorë me të cilët po punon pa u lodhur arëndreqësi Artan Lame ka nja dy të deklaruar: Myslim Pashaj dhe Ksenofon Krisafi.

Puna e këtyre zotërinjve të nderuar nuk është në fakt edhe aq e vështirë. Çdo ndërhyrje e tyre nis me nënkuptimin se me grekun duhet kujdes. Ky nëntekst ta bën të lehë vazhdimin sepse presupozon se hileja është kapur dhe tani po mbrohet mëmëdheu nga gabimet e tmerrshme të së shkuarës. Lexon e lexon pafund shkrime të këtyre zotërinjve dhe asgjë konkrete nuk kupton. Në një ndërhyrje të sotme në gazetën “Dita”, Krisafi përsërit të njëjtën gjë duke marrë pozat e xhandarit të interesit publik:

Rinisja eventuale e bisedimeve me palën greke do të kërkonte fillimin e përgatitjeve serioze, duke iu akoruar atyre gjithë kohën e nevojshme, me qëllim që delegacioni shqiptar të jetë në gjendje t’i përballojë ato me dinjitet dhe të mbrojë me vendosmëri, me argumente të fuqishme juridike interesat e vendit të vet…

Palët nuk duhet të impresionohen dhe të nguten për të gjetur sa më parë dhe me çdo kusht një zgjidhje. Duhet mbajtur parasysh se bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme. Përvoja e shteteve të tjerë tregon se ata i kanë vazhduar negociatat me dekada, madje ka edhe raste që kanë kaluar shekullin, siç është rasti i negociatave ndërmjet ShBA dhe Meksikës që negociojnë prej rreth 118 vjetësh për një sipërfaqe të kontestueshme prej 2 km katrorë ose Norvegjia me Finlandën prej 100 vjetësh për 1 hektar e 400 metra katrorë.

Nëse gjatë negociatave mund të shfaqen vështirësi për shkak të ngurtësimit eventual të palëve në qëndrime të patundshme, mund të ishte një rrugëzgjidhje e përshtatshme kalimi i saj për trajtim në Gjykatën e Hagës ose në atë të Hamburgut, kur shpresohet të ketë më shumë objektivitet dhe paanësi, larg ndikimeve të politikës së çastit

thotë ndër të tjera z. Krisafi.

Po çfarë do të thotë konkretisht z. Krisafi me fjalët “përgatitje serioze”, “kohë e nevojshme”? Është e qartë që delegacioni shqiptar nuk është gati ndaj edhe kërkohen këto artifica, por për cilën arsye ky delegacion nuk u bë njëherë të vetme gati këtë nuk e kupton dot kush më. Nëse në mendje do të kemi rastet më ekstreme për cilat arsye duhet të negociojmë?

Dhe çfarë nënkupton zotëria me ndikime të politikës së çastit? Nëse ne do spekullojmë sadopak, është e sigurtë se do na e kapte mendja se ku rrahin këto këshilla profesori. Asnjë prej palëve në politikë nuk ka një variant në tryezë për atë që është e pranueshme dhe e papranueshme, për variantet e negociimit dhe atë që mund të lëshohet maksimalisht. Dhe nuk i kanë këto megjithë ndihmën që të jep vendimi i Gjykatës Kushtetuese që nuk mund të injorohet.

Nuk do shumë mend të kuptohet se lojëra të tilla fjalësh që ndjekin parimet filozofike të Nard Ndokës(pa fyerje, por ilustrim për thjeshtësinë e të thënit të të vërtetave që dihen) – po nuk e gjetëm vetë zgjidhjen e çojmë në gjykatë ndërkombëtare – janë mbulim sa për paaftësinë për t’i folur siç duhet opinionit publik, aq edhe axhenda politike ose që rrëshqasin drejt tyre. Përvoja e këtij shteti na ka mësuar se çështjet e koklavitura ja kanë zgjidhur të Tjerët sepse askush në politikë nuk merr përgjegjësitë që duhet, sikundër çobenjtë e patriotizmit nuk kanë munguar ndonjëherë në këto anë për të bërë gjullurdinë që i duhet kombit.

Të paktën të mos impresionohet më kush nga profesorët që përsërisin veten dhe në fund e dinë që askush nuk ua dëgjon fjalën. Thjesht ua japin fjalën kur duhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.