E tremb edhe inskenimi demokratik i PD-së

Postuar në 26 Gusht, 2020 18:58

Lulzim Bashës i dhanë partinë. Ia bënë gati dhe atij i duhej vetëm të qeshte. Sigurisht që fati personal dhe politik i këtij njeriu ka acaruar shumë njerëz, ka prodhuar shumë armiq. E megjithatë ai është konsideruar përherë si dhurata më e mirë për ata që e kalërojnë pushtetin në këtë vend duke vjedhur. Përfshirë njerëz në media që janë fshesa dhe koshi i mbeturinave te politikës. 

Sot Lulzim Bashën po e mësojnë sesi luhet skena e dytë  e dramës së pushtetit: në PD po inskenojnë demokracinë. Një proces i përzgjedhjes dhe kontrollit të kandidatëve që i është besuar disa njerëzve që fornalisht nuk mund të akuzohen se kontrollohen prej Bashës. 

Duhet pranuar se si fabul, kjo është një gjetje e mirë që aktualizon vendimmarrje thuajse të harruara në politikën shqiptare ku vendosin 4-5 njerëz. 
Rëndësia e këtij procesi që i paraprin vendimeve të njohura, të parashikueshme të kryeministrit qëndron jo vetë  tek aspekti procedurial që filtron dhe seleksionon, por te mundësia formale e një gare. Që mungon tërësisht në politikën shqiptare. Zoti Basha duket se ka pranuar që të krijojë një ekip që në një mënyrë apo tjetër ka një votë nga poshtë, element skenik ky i domosdoshëm për të mbrojtur nesër pasojat e çdo vendimi. 

Mundet që PD-ja të mos ketë sukses në këtë proces, por propagandimi i tij dhe argumentimi që po i bëhet ka shqetësuar kazermën personale të Edi Ramës që quhet Partia Socialiste. Prej disa ditësh qentë e sulmit të PS-së në media po godasin me fytyrën e vrerosur të skuthit dhe spiunit vullnetar duke gjetur dhe amplifikuar aksidente si refuzimi i Topallit, apo më qesharakja, një koment i Majlinda Bregut në rrjete sociale. Një askushi që u pompua nga manovrat e Edi Ramës. 

Duhet pranuar se sulmi nuk lidhet me frikën ndaj Bashës, pasi bota nuk është bërë ende kaq qesharake, por nga pesha e një procesi që krijon implikime. Deri dje pyetej dhe vazhdon të pyetet se çfarë përfaqëson Basha, por sot këto dilema kanë përgjigjen te një proces që po mbrohet mirë në media dhe po mbahet transparent deri diku dhe që në çdo rast qëndron shumë më mirë si opsion sesa histeritë e Erjon Braçes dhe Edi Ramës për socialistin e vërtetë. 

Patjetër që kjo nuk të jep fitore, por ama riintegron në diskurs nevojën që vota të ketë një vlerë sado formale, ajo të kushtëzojë disa gjëra që janë shndërruar në çiflig personal. Kjo nuk jep ndonjë garanci të madhe por ama tradhëton atë politikë personale që qeveris sot Shqipërinë, teksa hap një dritare përfaqësimi dhe pjesëmarrjeje. Demokracia duhet të funksionojë në mekanizmat bazë, ky është një mësim konstant qoftë edhe për të qarkulluar ujin e ndenjur të plaçkitësve të këtij vendi. Mjafton edhe sulmi i tanishëm për ta kuptuar sesa larg ka shkuar asgjësimi i demokracisë në partitë shqiptare, se çfarë lloj vendimmarrjesh kemi aty dhe për të kuptuar fytyrën e vërtetë pas dukjes në media dhe rrjete sociale. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.