Duhet shkruar proza e plaçkitjes, që nesër të mos ta lexojmë si histori progresi

Postuar në 24 Gusht, 2020 15:51

Nëse lexon Agjencinë Telegrafike Shqiptare – ka që e lexojnë akoma nuk ka pse çuditemi – të përplaset në fytyrë progresi, zhvillimi ekonomik, Shqipëria e bukur, turizmi që nuk ndalet. Mund të mendosh që në fund të fundit kjo është detyra e një agjencie qeveritare, të flasë mirë për punët e qeverisë. Sepse ATSH është e tillë, ajo vetëm emrin ka shqiptare.

Nëse kalon nga Facebook i kryeministrit, aty lexon për kantieret e punës anembanë atdheut, për shkollat e rindërtuara pas tërmetit, për “rrugët që u lanë rrugëve” dhe tani po sistemohen, për turizmin, video me muzikë optimiste. Etj..

Po pse xhanëm nuk e shohim dhe ndjejmë të gjithë këtë zhvillim, këtë ndryshim, këtë shndërrim të vrullshëm? Pse vallë nuk ecin këto statistika në mendjet tona? Pse e kemi kaq të vështirë, të pamundur madje të pranojmë Rilindjen e vendit tonë, ta shpresojmë atë te vizat e bardha, fasadat, rrugicat e rindërtuara etj? Apo edhe te fytyra të vrerosura nga meraku për mbrothtësinë tonë si ajo e z. Veliaj?

Pse nuk e ndjejmë më si tonin leksionin historik të z. Rama për figura të pavarësisë, apo historisë? Pse loja e tij për ta dashur Shqipërinë prodhon të kundërtën, dëshirën për ta braktisur atë?

Pse na dërrmon vetëm ideja se na duhet të dëgjojmë duke e paguar me paratë tona këtë narrativë pozitive? Se duhet të durojmë këtë gërrhimë të përditshme të shakaxhinjve të përparimit?

Ndodh kjo sepse Shqipëria reale ulëret lakuriq me varfërinë e saj, zhgarravitjen që po i bëjnë territorit dhe me plaçkitjen absurde. Ajo ka tjetër fytyrë dhe shëndet nga matriksi demagogjik i qeverisë dhe politikës; ajo është shumë më e varfër dhe më e thjeshtë sesa luksi i z. Rama dhe ministrave të tij. Më e rëndësishmja: ajo është shumë ndryshe nga estetika prej servi e këtyre që i kanë mbërthyer qafën e nuk e lënë të lëvizë.

Vilat e tyre, ecja, mbllaçitja, veshja, mobilimi, e gjithë mënyra e këtyre është kopjuar gjetkë e nuk ka gjë të përbashkët me frymën e këtij vendi. Pasuria e tyre është arna më e shtrenjtë mbi trupin e një vendi, mballoma e dallueshme e të vetmit profesion që nuk mbeti kurr pa u ushtruar këtu. Sepse hajdutë ka, por edhe për t’u vjedhur nuk po i lënë kusur.

Po këtë kush do ta tregojë? Kush do flasë, shkruajë, filmojë e fotografojë për vjedhjet, plaçkitjet, për bejlurçinën e shekullit të 21-të në këtë vend, ku edhe shpendët migratorë një ditë do të kenë probleme pronësie dhe territori aty ku tash e miliona vjet çukisin ndonjë farë e gjerbin ndonjë pikë ujë. Sepse çdo specie mund të zhduket, vetëm kjo farë nuk lëviz nga istikami në këtë qoshe të nëmur të dynjasë.

Kush do ta hartojë prozën e batërdisë që të ketë edhe ky vend pasqyrën e duhur nesër e të mos i lejojë edhe njëherë vetes që fëmijët e tij të ushqehen me narkozën e këtyre batakçinjve të paskrupullt? E imagjinoni që nesër këto paçavure të turpshme mediatike, dixhitale dhe qeveritare të postohen pushtetërisht në tekste librash zyrtarë historie të konvertuara në shembuj zhvillimi, reformimi dhe pse jo Rilindjeje të Dytë? Sepse këmbëngulja kokoforte në këtë lloja mashtrimi lidhet edhe me këtë histori të shkruar nesër.

Mund të arratisemi nga vendi ynë, ta lidhim veten aty vetëm me varrin e ndonjë të dashuri, të kthehemi këtu me sy mbyllur sa për të parë fytyrat e atyre që nuk janë më, ta harrojmë edhe gjuhën, ose të bëjmë sikur nuk e dimë. Sikur nuk e kuptojmë. Por si të arratisesh nga historia e përbashkët, nga fakti se përjetuam një kohë të konsesnsusit për të vjedhur? Sikurse ata para nesh kohën e konsensusit për të vrarë? Kohë që sot na rrëfehen si hop revolucionar, si ndryshim thelbësor? Kohë që rrëfehen vetëm me “histori pozitive”.

Si të bësh sikur kjo nuk ekziston e të pranosh përrallat me dron e muzikë fëshfëritëse për bukuritë e fushave dhe maleve që na shiten si meritë e një programi dhe jo dhuratë e natyrës? Si të durosh emrat e kriminelëve nëpër rrugë, të shokëve dhe miqve të partië nëpër shkolla, të shohësh buste individësh që kanë meritën se kanë lënë pas pasuri sa për të blerë prezencën post mortum?

Kjo patjetër duhet shkruar në mënyrë që kjo brengë që vazhdon me breza këtu, të mos vazhdojë të jetë një histori personale përkundrejt një historie zyrtare që ua mbush kokën fëmijeve me arritje dhe buçitje, me figura të shquara dhe trima të pashoq, të gjithë së bashku hunj dhe dordolecë të historisë së vërtetë të këtij vendi. E cila as nuk është shkruar ndonjëherë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.