Sagllami në krye të OSBE-së

Postuar në 20 Gusht, 2020 16:51

Kryeministri i Shqipërisë ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të deklaruar se si kryesuese e OSBE-së, Tirana zyrtare po bën më të mirën për krizën në Bjellorusi. Zotëria ka preferuar një apelativ rruge për të përmbledhur përgjigjen tij që e jep vërdallë nëpër Facebook: 

Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë!
Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.

Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.
Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë

Përgjigja shkon për Veton Surroin në Kosovë dhe Genc Pollon në Tiranë, dy njerëz që kanë prishur rehatinë e tyre dhe kanë shkruar analiza për mosangazhimin e Shqipërisë në Bjellorusi. 

Këtu vëmendjen tërheq përdorim i epitetit ‘shqipe’ që i jep shpreje sa ironisë për ata që merren me politikën e madhe e që z. Rama i ka bezdi sepse “mes shqiptarëve ai është politika e madhe”, aq edhe përfshirjes së Surroit kosovar në  mesazh meqenëse ‘shqipe’ është një zhargon që origjinon prej Kosovës. 

Mesazhi informal i z.Rama stonon jo vetëm pse ‘shqipe’ tingëllon si zhargon rruge mes njerëzisht që pikasin intutivisht tjetrin si shqiptar, por edhe pse shqetësimi i ngritur në shkrimet e dy personave në fjalë do të duhet të përcillen zyrtarisht nga kryesia e OSBE-së. Zoti Rama si muhabetçi i thekur që është kur ka nevojë, ka zgjedhur komunikimin personal, pse si personale e sheh ai këtë mundësi të re për të dhënë teatrin e radhës. Nuk ka kush iluzione se do qullosë gjë, fundja gjithçka prek me dorë ky njeri nuk ecën mirë, por është irrituese të mendosh se njeriu që përfaqëson të ashtuquajturën qeveri, zhvendoset nga një zhargon në tjetrin, nga rrumpallhania e Tironës, ke qofte ke daja, e deri te denatyralizuesi ‘shqipe’ si e si për të bërë pak politikë (zullum)madhe e për të na kujtuar se përveçse katolik, ortodoks, kroat, venecian, mirditor, beratas, shkodran, vlonjat dhe refugjat, ai mundet të bëhet edhe pak kosovar. Kështu thjesht sa për t’i shtuar suxhukut identitar pikanten që i  mungon.
 

Shqiptaria e kësaj fare hipokritësh është në triumfin e vet sot dhe ne mund ta dëshmojmë këtë edhe në paradën e statuseve të z. Rama në Facebook ku ngre dhe lartëson figura të ndryshme mbi kriterin e shqiptarizmit kokfort, që u mbijetoi veseve dhe huqeve të atyre shqiptarëve të tjerë të prapë që e sulmuan dhe e goditën. Me siguri që në këtë galeri po don ta shtijë vedin edhe z. Rama pse kështu ndihet më mirë dhe më i sigurtë për hyrjen në historinë e prapësisë dhe gënjeshtrës ku ka vlerë çdo alibi dhe “huq”. 

Nuk ka pse të na çudisë kjo filozofi kaçaku për historinë, pse jetojmë në një shtet të themeluar prej 108 vjetësh dhe kemi njohur vetëm një tradhëtar konsensual: Esad Pashë Toptanin. Të tjetët e kanë gjetur marifetin për t’i bërë vetes një bythë vend në historinë e këtij vendi ku hajduti dhe banditi mjafton të valëvisë nja dy herë flamurin dhe i falet çdo gjë. Ndoshta Esadi ishte më i sinqertë, donte flamurin e vet.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

O.S.B.E. eshte nje organizate e tille qe dhe Lukashenko mund te kishte kryesimin e rastin te vinte nje Shqiperi per zgjedhjet.

Submitted by Enver Hoxha (not verified) on

Me qene kryetari i OSBE eshte si me te ra bafti ne ven te taftit, dmth te gjitheve u vjen rradha. E kam fjalen qe edhe Lukashenkos mund ti vinte rradha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.