Droga në Shqipëri, Hoxha: Jemi në situatën e alarmit të kuq

Postuar në 09 Gusht, 2020 16:18

Ish-shefi i Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Arjan Hoxha, e sheh shqetësuese situatën e  drogës në Shqipëri. Në një intervistë për TvT, Hoxha thotë se vendi është në një situatë alarmi të kuq, për shkak të kultivimit, por edhe të shndërrimit të tij në vend tranzit për drogërat e forta.

Pas vitit 2016 kemi kanabizim total të territorit të Shqipërisë dhe më e keqja, vendi është kthyer në vend tranzit, magazinimi për lëndët e forta narkotike. Sidomos zona e Elbasanit si nyje lidhëse. Sa i takon alarmit, nuk jemi më në një situatë protokalli. Është një situatë e kuqe, për të cilën institucionet duhej të kishin vënë dorë”, shprehet ai.

Angazhimin e ministrit Sandër Lleshaj për të mos lejuar kultivimin e asnjë rrënje kanabis, Hoxha e sheh si të pamundur për t’u përmbushur.

Kultivimi është tepër i lartë. Kemi parë ministrin që merr përsipër që nuk do të ketë asnjë rrënjë. Unë kam shërbyer 20 vite në Policinë e Shtetit nuk mund të siguroj në asnjë moment që nuk do të ketë asnjë  rrënjë kanabis. Policia i ka kapacitetet të kufizuara, pa marrë parasysh faktin që shumë punonjës të policisë janë të përfshirë dhe bashkëpunojnë me kultivuesit”, shprehet ai.

Operacionin Forca e Ligjit dhe zbatimin e tij përgjatë muajve të fundit, Hoxha e sheh si fasadë. Sipas tij, kjo vjen sepse së pari institucionet që kryejnë të njëjtin funksion kanë qenë ekzistuese dhe së dyti, nuk ka rezultate konkrete përfundimtare.

OFL në fund të fundit është thjesht një emër i ri. Ato institucione kanë ekzistuar. Në opinionin tim, OFL është thjesht një fasadë. Nuk kemi deri tani asnjë procedim penal serioz, që të ketë vënë para përgjegjësisë individë me të kaluar kriminale dhe që pasuria e tyre të jetë nën sekuestro përfundimtare, pasi vieht vetëm sekuestro preventive. Krijohet përshtypja sikur të gjithë kata që kalojnë në filtrin e OFL kanë pasurit të ligjshme. Asnjë polici edhe më e avancuar se e jona nuk kanë mundësi që të kryejnë në një kohë kaq të shkurtër kaq shumë procedime për njerëz që kanë pasur aktivitet kriminal disavjeçar”, shprehet ai.

Lidhur me pastrimin e parave të ardhura nga aktivitete të jashtëligjshme, Hoxha sheh si sektorin më efektiv ndërtimin, që sipas tij mund të shtrihet deri në investimet e mëdha me partneritet publik-privat.

Sektori i ndërtimit dhe ai i investimeve partneritetit publik-privat kanë potencial për pastrimin e parave. Investitorë të ndryshmë, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, dhe me investitorë anonimë, mund të marrin përsipër një investim publik. Ata bëhen investitorë fillestarë dhe mund të krijohen opinion se po bëhet shumë punë, por në fund të fundit jemi ne të gjithë që do të paguajmë për këto investime”, thotë ai.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.