Presidenti detyrohet një sqarim që të mos e marrim për karagjoz

Postuar në 08 Gusht, 2020 12:31

Sot presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shpërndarë një mesazh me rastin e 29 vjetorit të ikjes së anijes “Vlora” e cila hapi siparin e eksodit të marsit 1991.

Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë.

Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi.

Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur.

Në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, është koha të ankorojmë shpresën në vendin tonë dhe të përmbushim ëndrrën e çdo qytetari, për një Shqipëri si gjithë Europa!

Koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre! Koha për ta ndërtuar Europën këtu! Koha për t’i thënë KURRË MË çdo projekti izolues dhe shpopullues!

shkruan Presidenti.

Kryetari i shtetit ndan me qytetarët shqetësimin për ikjen masive nga vendi, por ai duket se di diçka më shumë se ne të tjerët për atë që e quan projekt izolues dhe shpopullues.

Në Shqipëri ka disa kohë që qarkullon ideja se ka një projekt për të na dëbuar nga vendi dhe për të na zëvendësuar me sirianë, një ide që nuk dihet se nga ushqehet. Presidenti i vendit duket se e mbështet këtë pikëpamje që e shpjegon ikjen me një projekt spastrimi, por ai nuk na thotë asgjë më shumë. Këto janë pohime shumë të rëndësishme, në mos të rënda dhe do të duhet që të sqaroheshin mirë për të gjithë. Sepse Shqipëria – të paktën deri më tani – nuk është e Ilir Metës, Edi Ramës apo ndonjë tjetri. Është edhe e atyre më shumë se të tjerëve, por përkundrejt këtij prag spastrimi siç na thotë z. Meta ne kemi të drejtë të dimë më shumë. Qoftë edhe për të mos u vënë nesër përballë faktit publik dhe të paekuivok se kemi një president karagjoz, ose palaço që përdor klimën e momentit për të fryrë përrallat politike të vetat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.