Bëhuni edhe njëherë zyrtarisht bashkë!

Postuar në 03 Gusht, 2020 18:19

Në fund të fundit Edi Rama duket se kishte të drejtë. Aty ku ai ka përherë të drejtë: në frikën e tij. Që është aq e thellë, aq e madhe. Frika është e vetmja mundësi sinqeriteti te kryeministri aktual që tentoi bashkëqeverisjen në vitin 2017, por padashur prodhoi një hipermazhorancë që e detyroi atë ta mbante timonin vetëm. 
Më pas protestat gjysmake të opozitës parlamentare që gjeneruan bojkotin. Atë bojkot të cilin z. Rama u përpoq ta ndalte pasi e provokoi. 
Ajo që po shohim aktualisht është konfirmim I frikës së z. Rama se skena bosh do të mbushet nga forca të reja. Të cilat nuk kanë dalë ende në skenë – përveç Vetëvendosjes – por frymën ama e kanë krijuar. 
Nuk mund të mos kuptohet se tashmë në Shqipëri ideja për një parti të re, për ndryshim të klasës politike si të tërë, është më e fortë se kurrë. Ajo është pajtuar me perceptimin se këta që janë aktulalisht, janë njësoj, hajditë, banditë dhe të korruptuar. Dhe këtë perceptim nuk e korrigjon dot më as propaganda, as premtimet e një opozite karikaturë si ajo e Ilir Metës dhe Lulzim Bashës. 
Z. Rama mund të inaugurojë rrugë, tunele dhe fasada, të flasë për reforma e të marrë edhe çmime. Por Shqipërinë ai nuk e pikturon dot siç do të donte, pasi bojkoti I z. Basha pa dashur hoqi mbulesën e fundit mbi trupin lakuriq të politikës së vjedhjes që përfaqëson kjo klasë politike. Rotacioni I siglave nuk përfaqëson më asgjë në kuptim të shpresës dhe kjo është goditja më e madhe që z. Basha mund t’I jepte status quosë, pa pretenduar ai vetë ndryshimin. 
Çfarë ndodhi? Si shpjegohet që teatri I dy partive gjeneroi këtë krizë? Një përgjigje është te shpërndarja e pasurisë dhe mënyra e menaxhimit të saj. Te mbyllja e lojës dhe te narrative që përjashton shumëkënd. Në këtë kuptim bojkoti duhet përshëndetur si një akt që tejkaloi synimet e veta. I iniciuar nga një personazh që iu bind presioni të opinionit, ky akt provokoi rëndë sistemin politik duke konfirmuar frikën e z. Rama, që sot qeveris Shqipërinë duke patur kundër thuajse të gjithë shqiptarët. Edhe ata që janë në PS. Sepse asnjë shoqëri, sado apatike dhe e mbytur në dëshpërim nuk mund t’ia mohojë vetes shpresën. Dhe herët apo vonë kjo shpresë do të materializohet në subjekte të reja për t’I dhënë fund këtij tranzicioni karnevalesk që ia mori shpirtin një vendi të tërë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.