Duhet një plan publik për Karaburunin që të mos lexojmë se u dha për 1 euro

Postuar në 02 Gusht, 2020 23:21

Në buxhetin e rishikuar për vitin 2020 është parashikuar një shtesë fondi prej 150 milionë lekësh për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për Tunelin e Llogorasë. Në total shuma që qeveria ka akorduar për këtë projekt llogaritet 750 milionë lekë. Tuneli llogaritet të ketë një kosto prej rreth 150 milionë eurosh për ndërtimin e tij.
Me këtë vepër aksi Orikum-Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta, ndërkohë që sot përshkohet për 55 minuta.

Ky është një njoftim i përcjellë sot nga Agjencia Telegrafike Shqiptare që e cilëson tunelin e Llogorasë si strategjik për turizmin. Termi strategjik mundet të jetë spekullim pasi ky tunel lidh një zonë me potencial të madh turistik si Gjiri i Vlorës me një zonë me potencial gati të ezauruar turistik si vija bregdetare Palasë-Himarë. 

150 milionë euro janë shumë për një vend si Shqipëria dhe përpara sesa të deklamohen strategjitë na duhen edhe llogaritë. Sa makina do të udhëtojnë në këtë tunel që lidh Vlorën me vilat e ndërtuara nga Samir Mane në Palasë? Këtë nuk e propagandon shumë njeri, pasi në të gjithë rrugët e Shqipërisë llogaria nuk del. Ne po zhytemi në një borxh të madh për hir të logjikës pa sens të lidhjeve me çdo kusht, ndërkohë që koha po na shtrëngon lakun e energjive dhe burimeve. 

Për lidhjen me Rivierën shqiptare të Jugut ka në veprim disa akse: akset ekzistuese që koha do t’i provojë si të pazëvendësueshme në përgjithësi, rrugën e Kardhiqit, rruga e Lumit. Nëse Saranda me Tiranën do të lidhet për 3 orë dhe rruga e Lumit shmang Vlorën për të dalë në Borsh p.sh cili është sensi I urgjencës së tunelit të Llogorasë? Sa janë kapacitetet hoteliere sot dhe lidhja me zinxhirin ekonomik bujqësor e blegtoral dhe të peshkimit që të justifikojë këtë projektim? Kush e di! 

Kur vjen puna te tuneli ka edhe një konsideratë tjeër. Për Vlorën është parashikuar një aeroport, është bërë një e ashtuquajtur Lungomare që parashikohet deri në Triport, por askush nuk flet për një plan zhvillimi të mbarë Gjirit. I gjithë bregu lindor i Karaburunit ku kalon një rrugë ushtarake nuk konsiderohet në asnjë plan si opsion turistik. E megjithatë ajo është në hapësirë me potenciale të mëdha që do ta shndërronte Vlorën në një nga qytetet kryesore në Adriatik në këtë drejtim. Mundet të ketë arsye për këtë injorim, pasi p.sh edhe Korfuzi, bregun verilindor e ka më të pazhvilluarin, por është sërish e pajustifikueshme që të përqendrohet investimi në një drejtim dhe të na bëjnë të besojmë se Karaburunin dhe bregun e tij e klasifikojnë ende kullotë. Pasi edhe ashtu atë nuk mund ta japësh te Çeti i radhës me 1 euro.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.