Teza e "re" amerikane(perëndimore): Kufijtë nuk janë të rëndësishëm

Postuar në 01 Gusht, 2020 12:28

Nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson ka deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke i përgatitur qytetarët për vendime të vështira në lidhje me çështjen e Kosovës.

Unë e përshëndes ndihmën e presidentit Vuçiç në përgatitjen e Serbisë për këtë proces dhe për negociatat. Një bisedë e sinqertë me publikun është më se e nevojshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, për faktin se do të ketë vendime të vështira dhe kompromiset janë të domosdoshme…Unë jam i impresionuar nga kjo dhe shpresoj që kjo është vetëm një pjesë e procesit të përgatitjes së publikut për disa vendime. Ajo për të cilën ne po flasim është se kufijtë në rajon duhet të jenë më pak të rëndësishëm dhe mendoj se kjo marrëveshje mund ta shpejtojë një gjë të tillë, por duhet që të dyja palët të bien dakord për këtë, dhe ne nuk do të diktojmë diçka të tillë. Këshilli Atlantik po i sheh dhe mbikëqyrë të gjitha këto, por as Shtetet e Bashkuara të Amerikës as Bashkimi Evropian nuk do të diktojë asgjë

tha Wilson.

Pozicioni i tij reflekton formalisht një tërheqje nga agresioni diplomatik i stilit Grenell tani që Europa ka arritur të imponojë një rrjedhë të zhvillimeve në Kosovë dhe të pezullojë vullnetet për rishikim kufijsh.

Nga ana tjetër të deklarosh në Europë se kufijtë nuk janë edhe aq të rëndësishëm është disi e pavend sa kohë që konfliktet në përgjithësi dhe historikisht kanë qenë territoriale. Ajo që duhet vënë në dukje edhe në këtë deklaratë të përfaqësuesit amerikan është interpretimi se Serbia po mban barrën kryesore në proces, duke harruar jo vetëm karakterin e angazhimit amerikan në rajon, por duke vendosur një pozitë pabarazie që ushqehet vetëm nga komplekset e lderishipit shqiptar. Këtu nuk është puna për të analizuar vlerën e një territori apo një tjetri, por për të parë se kur dhe nga kush aktivizohet ideja e shkëmbimit të territoreve që në asnjë rast nuk është origjinale shqiptare. Ajo është vendosur në tryezë nga të tjerë dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ndërmjetësim, por me imponim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.