Dy-tre shtete pa bërë akoma një

Postuar në 28 Korrik, 2020 13:06
Jak Simoni

 

Kush nuk njeh dështimet  e tij është i destinuar të vazhdojë të dështojë; individ qoftë ai apo institucion, përfshi dhe ato që përbëjnë bazën e organizimit të një shteti. Ndonëse, të paktën në një pjesë të territorit ku historikisht jetojmë ne  shqiptarët, na u dha mundësia të bëjmë një shtet, më se njëqind vjet nuk mjaftuan që mundësia të takohet me aftësitë. Nuk është vendi as mundësia (nga ana ime) për të bërë  një histori të gjatë, por në çerek shekullin e dytë të sh. XX, kur filloi njëfarë konsolidimi i monarkisë, rezultati final ishte braktisja në momentin më të vështirë e vendit nga mbreti pa kurrfarë rezistence (qoftë dhe jo frontale)  ndaj  fashizmit italian.

Kujtojmë që fqinjët tanë grekë e përballuan dhe e thyen  këtë superfuqi të vetë deklaruar të kohës, duke pasuruar historinë e tyre dhe konsoliduar pozitat e tyre në të ardhmen, kur lufta do të mbaronte. Gjatë Luftës II Botërore  patjetër që u përfshimë, por viktimat më të shumta do të ishin nga radhët tona. Pas mbarimit të luftës në Shqipëri konsolidohet jo një shtet, por një regjim terrori i verbuar nga etja për të mbajtur me çdo kusht  pushtetin, që ua kaloi për nga egërsia dhe vendeve të lindjes nga ku ishte frymëzuar. Fatkeqësisht për shqiptarët ky regjim këtij qëllimi ia arrin më së miri për dyzetegjashtë vjet. Rezultati final ishte izolimi hermetik i vendit dhe varfërimi ekstrem e për rrjedhojë eksodi  i përmasave biblike në vitet 90 - të.

Mbushem, fillimisht rrugët e Italisë e te Greqisë, pastaj të mbarë Evropës me material të formës njerëzore shqiptare.  Po këto 30 vitet e lirisë çfarë bëmë? Ja vlen të bëjmë këtë pyetje, sepse dy  ‘fazat’ e para të lartpërmendura janë njëra pak a shume 20 dhe tjetra plot 46 vjet, kështu që i bie të jetë një fazë domethënëse në historinë pak më shumë se një shekullore  të shtetit të pavarur  shqiptar. Dhe për këto 30 vjet rezultati është braktisja e vazhdueshme masive e Shqipërisë, fatmirësisht kohët e fundit jo duke rrezikuar jetën.

Motivi i largimit: nuk ka punë ose pagat janë më të ulëtat në rajon dhe Evropë, nuk ka siguri, nuk ka drejtësi d.m.th nuk ka shtet. Justifikimi se nuk kemi pasur kohë apo se nuk na kanë lenë të bëjmë shtet nuk vlen më. I vetmi përfundim është se nuk kemi ditur ose nuk kemi mundur ta bëjmë. Por, në këtë periudhë, si rezultat i sakrificave të dhimbshme  të kosovarëve dhe i ndihmës së shteteve perëndimore, kryesisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pati dhe një ngjarje historike për shqiptarët, duke u realizuar aspirata shekullore e tyre, çlirimi i Kosovës.

Fillimisht kjo ngjarje ishte frymëzuese dhe shpresëdhënëse për të gjithë shqiptarët, por, ndonëse për shumë aspekte janë më mirë se këtu në Shqipëri, kohët e fundit nuk po bën shumë hapa përpara. Ndoshta problemi është se të aftët në luftë, nuk janë të tillë në kohë paqe.  Ndonëse, në ndryshim nga ne, votimet i bëjnë të rregullta, dhe kështu fillojmë të dyshojmë tek vëllazëria,  kur është fjala për korrupsion, kuptohet se jemi vërtetë  vëllezër; të paktën për sa lexojmë e dëgjojmë nga vetë kosovarët që takojmë.  Ndërsa këta të tanët këtu në Shqipëri e bëjnë me radhe tetë vjet ti tetë unë (ne mos e fillofshin me nga dymbëdhjetë), dhe shqiptarët  me gisht ne gojë, ata kanë shpikur një rokadë të re në shahun e diplomacisë, që i ngjan një ndërrimi vendesh të figurave të njëjta, duke e quajtur lëvizje. Kanë të njëjtën retorikë dhe problemet më të mëdha i lënë për atëherë kur ka kohë sa të duash; d.m.th. për nesër. Por tani, pas dështimeve në Shqipëri dhe Kosovë dhe pas zgjedhjeve në Maqedoni, kemi gjetur diçka tjetër për tu mburrur.  

Po mburremi me një kryeministër të mundur shqiptar. N.q.s. do  të jetë, do të jetë më maqedonas se shqiptarët, por  ndoshta mund të ketë një kryeministër maqedonas më shqiptar se shqiptarët. Problemi nuk qëndron atje, sepse pak a shumë i kanë zgjidhur problemet kur kanë lënë  armët dhe e kanë rrugën hapur e për në BE.  Faktikisht rrugën e kanë hapur vetë më punë, duke pastruar nga korrupsioni dhe duke forcuar institucionet e tyre.

Problemi  qëndron  tek Shqipëria  dhe Kosova për të cilat mbrapa nuk mund të kthehet historia, sepse koha ka një drejtim të vetëm, dhe para nuk bëjnë dot. Ndoshta i vetmi opsion ka ngelur të mendohet për bashkimin e forcave gjysmake të tyre me shpresën e vetme që matematika gausiane ti aplikohet gjeopolitikës ballkanike (prodhuese, sipas liderit të padiskutueshëm britanik Churchill, të  më shumë problemeve sesa mund të mbajë)  ku dy gjysma të bëjnë një të plotë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.