Nuk ka siguri për një valë të dytë. Nuk ka krahasim me 1918-ën, sepse nuk kemi epidemi Gripi

Postuar në 27 Korrik, 2020 14:06
Intervistoi: Paolo Viana

 

Massimo Galli, president i Shoqatës Italiane të Sëmundjeve Infektive dhe Tropikale shpjegon për Avvenire situatën epidemike në Italinë fqinje, duke bërë thirrje që të shmangen krahasimet me përvojën e vitit 1918. Ndër të tjera edhe për një arsye jo të parëndësishme: Nuk kemi të bëjmë me Grip, as me virus gripi, por me një familje tjetër virusesh. Në këtë kuptim, vala e dytë është e pasigurtë nëse do të rishfaqet, por edhe nëse kjo ndodh, sipas Galli-t, sistemi shëndetësor është më i përgatitur dhe nuk do të shohim më pamjet e shkurt – marsit 2020.

Ju keni keni një jetë që i studioni viruset në të gjithë botën. A e imagjinonit menaxhimin e një pandemie në Itali?

Mendoj se jam pjesë e një klubi të ngushtë njerëzish që merret me mundësinë e disa ngjarjeve të tilla. OBSH ka folur për ca kohë për sëmundjen X...Le të shtojmë se italianët tashmë e kanë provuar një pandemi, edhe nëse e kanë hedhur pas krahëve. E kam fjalën këtu për virusin HIV-it në vitet '80. Ishte histori krejtësisht tjetër për sa i përket përhapjes, por kishte gjithçka që ekziston sot, përfshirë ekspozimin mediatik, i cili më pas u lidh me skandalin, me një stigmë të vërtetë, me pasojën që disa grupe shoqërore nuk konsideroheshin më persona, por "kategori në rrezik". Por ka një ndryshim të rëndësishëm: ai virus u dha mjekëve mundësinë të përshkonin një udhëtim me pacientin, të cilin e shoqëronin drejt vdekjes. Mbaj mend shumë fytyra që nuk i harroj as tani, pas tridhjetë vjetësh. Përkundrazi, në muajt e kaluar ne kemi trajtuar mijëra njerëz që kanë ikur pa na u dhënë mundësia t’i njohim. Vinin si valë, i shihje shpesh në kushte të tilla që nuk mundeshin as të flisnin, duhej të përpiqeshit të krijonit një marrëdhënie me anëtarët e familjes, të cilët shpesh jetonin në qytete të tjera ...

A jeni i shqetësuar që Covid 19 do ta rikthejë këtë përvojë në vjeshtë?

Virusi është i pranishëm në Itali dhe në vendet e tjera që kanë marrëdhënie të vazhdueshme me Italinë dhe mund të na japin probleme serioze, megjithatë nuk besoj se mund të arrijmë në një situatë të ngjashme me atë që kemi përjetuar në mes të shkurtit dhe prillit.

A është dobësuar virusi?

Ne jemi forcuar: sistemi shëndetësor është më i përgatitur ta njohë virusin dhe nuk do ta lejojë atë të qarkullojë i pashqetësuar për javë të tëra. Koronavirusi nuk ka ndryshuar shumë në nivelin gjenetik, nuk është as më shumë e as më pak i keq, por ka njerëz të infektuar që infektojnë të tjerët më pak dhe më pas ka superinfektues. Problemi është në thelb ata që shpesh janë asimptomatikë, por të aftë për ta përhapur virusin, dhe që ndoshta janë në origjinën e shpërthimeve të fundit.

Megjithatë gripi spanjoll pati një valë të dytë - dhe më vdekjeprurëse ...

Unë do të isha i kujdesshëm për të krahasuar Covid 19 me pandemitë e tjera ose me gripin. Gripi spanjoll lindi nga një rikombinim kompleks, në të cilin u shfaqën llojet aviane të gripit A; gripi spanjoll u manifestua me një valë të parë në pranverë dhe një valë të tmerrshme në vjeshtë, dhe përsëritja në vjeshtë dhe dimër është tipike për viruset e gripit. Koronaviruset janë të ndryshëm, gjithashtu në mënyrën se si ata përhapen: ne e përhapim gripin njësoj, për Covid ka supershpërndarës.

Pra, nuk i druheni një rikthimi në vjeshtë?

Unë e kaloj jetën time me një drojë të tillë dhe kjo është puna ime. Këtë nuk e bëj në mënyrë joracionale - shpresoj - por bazuar në elementët që mund të kem. Nuk e marr si të mirëqenë një emergjencë të re në vjeshtë (edhe nëse OBSH përsërit se e pret një të tillë), as ta krahasoj këtë sëmundje me gripin spanjoll ose tradicional. Shkurt, nuk është e "shkruar" që ky virus të kthehet në mënyrat që ne njohim, por është e rëndësishme të vazhdojmë të përdorim masat parandaluese.

Refugjatët që lëvizin me kamionë janë një problem epidemiologjik?

Ndër njerëzit që vijnë vijnë janë më të kontrolluarit. Disa u shpëtojnë kontrolleve. Shumë njerëz që vijnë nga vendet e Shengenit ku infeksioni është shumë i pranishëm e bëjnë këtë, madje i shmangen edhe karantinës. Udhëtarët ndërkontinentalë që vijnë nga zona ku epidemia është ende agresive duhet të monitorohen më mirë.

Çfarë mendoni për hipotezat që qarkullojnë për vitin e ri shkollor?

Mbajtja e distancës midis fëmijëve është një mision i pamundur dhe ideja e mbushjes së klasave me tavolina të padobishme është një humbje kohe dhe mjetesh financiare. Duhen protokollet shëndetësore: matja e temperaturës dhe testet e shpejta të përsëritura me kalimin e kohës, të mundshme nga evolucioni që testi i pështymës dhe testi nga sekrecionet e hundës do të kenë në muajt në vazhdim të cilat japin përgjigje brenda disa minutave dhe shpresoj se ata do të lejojnë identifikimin e shpejtë të pacientëve të infektuar.

 A e shihni të dobishme t’i vaksinoni italianët kundër gripit?

Më vjen keq për ata që janë kundër vaksinave  - në fakt, nuk më vjen keq aspak, nëse ka një gjë për të cilën më vjen keq është se ata dëgjohen aq shumë - por vaksinimi masiv do të lehtësonte kujdesin shëndetësor në dallimin e rasteve Covid-19 nga të tjerët. Unë e rekomandoj vaksinën e gripit për njerëzit mbi 65 vjeç, por do ta shtrija edhe te fëmijët dhe disa kategori punonjësish. Është e papranueshme që ata që punojnë në spital. p.sh,. të mos vaksinohen. Nëse do të më takonte mua, unë do të nisja një fushatë vaksinimi për gripin të lidhur me zbulimin e infeksionit nga Covid-19 dhe hepatitin C.

Pse saktësisht hepatiti C?

Para izolimit, Italia pati një shans për të ecur drejt objektivit të OBSH-së për të zhdukur hepatitin C deri në vitin 2030; ndihma duhet të rifillojë (gjatë bllokimit ajo ka rënë me 90%) dhe të favorizojë  trajtimin e personave me infeksion aktiv të HCV. Më 28 korrik do të festojmë Ditën Botërore të Hepatitit. Hepatiti B dhe C mund të kenë efekte veçanërisht serioze, ndonjëherë vdekjeprurëse; nëse bëhen kronike, ato shkaktojnë komplikime me kalimin e kohës, madje edhe fatale, siç është ciroza dhe kanceri i mëlçisë. Sidoqoftë, hepatiti B mund të parandalohet me vaksinën dhe hepatiti C me ilaçe efektive. Pa harruar hepatitin A dhe E.

Burimi: Avvenire

Përktheu për ResPublica: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.