Bën apo nuk bën Luli?

Postuar në 26 Korrik, 2020 22:38

Është e “çuditshme” ngjashmëria mes atyre që mbrojnë dhe promovojnë cilësitë e Lulzim Bashës me ata që bënin të njëjtën gjë dikur me Edi Ramën. Puna e këtyre është e njëjta: si ta mbrojmë kryetarin sa herë dështon

Dështonte edhe Sali Berisha, por pas tij njerëzit i çonin më shumë elementë emocionalë dhe “ideologjikë”. Dështon Lulzim Basha në vazhdimësi, por pas tij qëndrojnë apologjetët e karriges së nesërme, sepse asnjë logjikë, asnjë moral nuk të mbështet në idenë: Basha alternativë ndryshimi. 
Marrëzia e interesit çon larg. Basha po shpallet si projektimi i fundit të tranzicionit. Lënda e parë e kësaj (a)logjike? Ai është e kundërta e të gjithëve që e kanë paraprirë. Ai është ndryshe. As ka lidhje me krimin, as me militanizmin ekstrem. Janë të vërteta këto padyshim. I kemi shkruar këto gjëra. Po shtojmë edhe diçka që zoti Basha duket se e ka cilësi të brendshme: nuk është ekstremist. Nuk ka shfaqje ekstremizmi në asnjë rrethanë, sepse nuk vuan nga deliret si të tjetët para tij.

Por kjo nuk të bën lider, sepse p.sh qysh tani mund të themi se z. Basha nuk di të krijojë ekip, as të ketë bashkëpunëtorë. Ai është i paaftë të besojë në diçka, madje edhe të pëlqejë diçka, duke qenë i vendosur vetëm në inkosistencën e tij. Përmbi të gjitha zoti Basha frekuenton të njëjtat modele të ushtrimit të pushtetit. Kunati është bërë nga akuzatorët e tij heraldika e pushtetit ekonomik të opozitës së sotme jashtëparlamentare. 
Imagjinoni nesër në karrige.

Biznesmenët e këtij vendi janë pranë këtij zotërie, siç thuhet duke financuar deputetë, deklarata për shtyp, nisma të ndryshme, por edhe tërheqjet e caktuara nga kauzat publike. Pra kanë kalibruar axhendën e tyre brenda opozitës. Në PD mundet të të shpjegojnë edhe se kush deputet del për gjoba, kush për iks biznesmen, e kush për tjetrin. Mund të jenë spekullime dhe të pavërteta, por klima e një mjedisi politik varet shumë edhe nga mënyra si drejton. P.sh Sali Berisha u mbrojt nga 1997 deri më 2005 me alibinë e ndershmërisë personale, ndër të tjera. 

Nuk po përmendim këtu nismat antikorrupsion dhe antimafie të z. Basha, letrat e tij për bankat, pa emër e mbiemër, pa adresë: një opozitë që funksionon me letra anonime. 

Të thuash se ky përfaqëson fundin e tranzicionit duhet të jesh ose naiv, ose beson se të tjerët hanë bar. Zoti Basha përfaqëson djalin e urtë, por jo liderin parimor. Ndaj për ata që e mbrojnë dhe e promovojnë, që e këshillojnë tani që i ka kapur zegali se po vijnë në pushtet, është e udhës që të mësojnë të gënjejnë me lezet, se për premtimin për të vjedhur me lezet ua ka zënë vendin Shalsi. Do të ishte më e besueshme të thuhej se z. Basha mund të mbetet pa dashje në karrigen e kryeministrit dhe të rilindë aty si tjetërkush, të tjetërsohet për mirë, të tregojë atë që nuk e shohim dot tani. Ka ndodhur në histori. Por që ai na ka bindur se është ndryshe këtë nuk e besojmë dot, edhe pse në mirëbesim e pranojmë se jemi me fat që kemi kryetar opozite që është qiraxhi. Po xhanëm kështu ishte edhe Edi që desh e çoi Shqipërinë matanë Evropit. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.