Mallkimet dixhitale ndaj të pasurve si paralajmërim

Postuar në 24 Korrik, 2020 13:03

Mediat raportojnë një rast “të çuditshëm” të një gazetareje të WFLA tv në SHBA, filial i NBC-së. një shikues kishte parë raportimin e gazetares Victoria Price dhe i ka shkruar se pamja e jashtme e fytit të saj sugjeronte nevojën e një kontrolli.

Më kujton veten. Unë u diagnostikova me kancer. Kujdesu për veten

shkruan komentuesi.

Një muaj më vonë gazetarja njoftoi në tuiter se ishte diagnostikuar me kancer në tiroide dhe falenderonte shikuesin e vëmendshëm.

Rasti në fjalë është tipik për marrëdhëniet e dixhitalizuara të kohës sonë, por me dallimin se ato zbulojnë një incident fatlum për gazetaren.

Dhe ky incident sepse përkon me një tjetër incident që shohim në Shqipëri. Biznesmenia VIlma Nushi shkruante sot përmes gazetës më të lexuar shqiptare një letër drejtuar “atij që më ka mallkuar, atij që mendon se duhet të vdes meqë më di të pasur”.

Zonja Nushi thotë se ka marrë me mijëra urime nga njerëz që i njeh dhe që sipas saj thotë se u ka bërë mirë, por letra i dreojtohet atij që e mallkon.  Sepse njësoj si gëzimi dhe solidariteti I disave, mallkimi është bashkëudhëtar po aq legjitim në këtë kapitalizmin e paudhë shqiptar. Mallkimi është shprehja e impotencës sonë të përbashkët për të korrigjuar dhe ndryshuar gjërat, për të kufizuar pushtetin e dikujt në shërbim dhe zbatim të të drejtave tonë.

Sepse ky lloj kapitalizmi na ka sugjeruar ose përjashtimin, ose histori suksesi që kërkojnë si haraç kompromisin dhe dorëzimin e dinjitetit. Pa folur për fakin se produkti i këtij suksesi vihet përherë në pikëpyetje nëse është apo jo e mirë publike.

Zonja Nushi, sikundër ministrja Balluku që para disa ditësh ankohej në një status në Facebook për përdhosjen e emrit të saj në mediat sociale kanë në fakt një të drejtë: një mallkim, urrejtja në vetvete për gjithçka që ti përfaqëson është shumë më impresionuese dhe shqetësuese për njeriun se të gjitha urimet. Se nuk ka imunitet mesa duket në botën e të pasurve ndaj frikës nga zilia dhe urrejtja, por edhe një frike që lidhet me faktin se shumëkush është në vendin e gabuar.

Sa përfaqëson kjo urrejtje farën e një konflikti që nesër mund të shkrumbojë çdo arritje të sotme të një klase që po bën çmos të diferencohet nga bota, nga njerëzia dhe e zakonshmja? Sa është kjo institnkt malinj I internetit dhe sa frymë që po vjen e po rritet?

Në Shqipëri të pasurit si zonja Nushi që mburren se kanë bërë pasuri duke punuar, kemi kohë që i shohim si bashkëpunëtorë, klientë, apo miq të çdo pushteti në akte problematike si shërbimet publike, tarifimet e ndryshme, apo kontrata ekskluzive. Zonja Nushi vetë zotëron një kontratë të tillë nga e cila vjel të ardhura edhe nëse nuk ofron shërbime, siç është akuzuar disa herë publikisht. Është një kontratë që në fakt merr nga paratë e të gjithëve ne dhe e zbeh apologjinë e letrës së sotme të kapitalistit që teksa mbron dhe parashtron legjitimitetin e pasurisë dhe pasurimit të vet, “harron” si pa dashje se ajo pasuri nuk ka sjellë zhvillim. Nuk e përfaqëson dot të ardhmen e këtij vendi, por potencialin e ngurtësimit të një statusi social dhe ekonomik të një kaste që ka pushtetin dhe nuk pranon të lëshojë asgjë prej tij.

Afëria me këtë lloj pushteti ka kompromentuar karakteristikën kryesore të botës së kapitalit që është ndryshimi, konkurenca dhe për pasojë zhvillimi. Askush nuk mund të shpresojë se nga njerëz si zonja Nushi, Mane, apo Kastrati të mund të gjenerohen projekte për vendin. Përkundrazi ata përfitojnë projekte të vendit të paguara me para publike. Padyshim që janë njerëz me merita dhe rëndësi dhe nuk duhet të shumëzojmë me zero kontributet e tyre. Por ky rrugëtim i iniciativës së tyre të lirë konvergon tashmë me interesat e një pushteti politik që është problemi themelor i këtij vendi dhe për pasojë konflikton me nevojën për ndryshim imediat.

Ndaj ai mallkimi ndaj zonjës, padyshim shumë i shëmtuar si gjest verbal, është thellësisht shqetësues. Dhe është i tillë edhe pse fryma e përgjithshme po kthehet kundër të pasurve, ndonëse jo më si dikur edhe kundër pasurisë. Thirrja në fjalë është në protestat e fundit në SHBA dhe reflekton atë frikë të madhe nga pabarazia që ka mbi një dekadë që vihet në dukje në analizat e të gjithë ekspertëve.

I vetmi minioritet që po shkatërron Amerikën: Të pasurit!

Diçka ka kapur fundit në kohezionin e shoqërisë, diçka që nuk e toleron dot më as këtë litaninë moralizuese të mediave, të shndërruara edhe këto në riprodhuese të retorikës së lexuar në letrën e zonjës Nushi që mëton të sqarojë se pas pasurimit të saj qëndron Puna. Një Punë që është për t’u vlerësuar, por që nuk duket asgjëkundi në shpjegimin e historive të suksesit që shohim në vendin tonë. Është një këputje, apo keqkuptim serioz që parathotë diçka të rëndë për shoqërinë dhe me gjasë kjo elitë nuk ka më instrumentet për të korrigjuar veten.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ne Shqiperi pune quhet edhe droga, edhe vjedhja, edhe vrasja me pagese, edhe prostitucioni, edhe, edhe, edhe....

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.