Ambasada e SHBA reciton vjershën e vjetër të konsensusit pasi kryeministri shpalli reformën që donte

Postuar në 23 Korrik, 2020 16:34

Parlamenti ka miratuar sot të ashtuquajturën Marrëveshje të 5 qershorit përmes së cilës kthehen në ligj kërkesat e Partisë Demokratike për Kodin Zgjedhor. 97 vota pro kanë mjaftuar për të përcjellë dhe konfirmuar se negociata e Edi Ramës me opozitën parlamentare ka qenë e suksesshme në kalimin e një reforme të debatuar.

Në fjalën e vet, Kryeministri ka premtuar se tanimë mbeten ndryshimet kushtetuese për listat e hapura dhe koalicionet që sipas tij do të jenë kthyer në formë ligjore brenda 30 korrikut. Nëse kjo ndodh, Edi Rama mund të deklarojë një negociatë të përmbushur tërësisht dhe me synime elektorale të qarta. Me njërën dorë ai përmbushi konsensusin e 5 qershorit, ndërkohë që nga ana tjetër përmbush kërkesën e opozitën parlamentare.

Në këtë situatë ku kryeministri ka vepruar me zhdërvjelltësi ka ardhur një deklaratë e ambasadës amerikane, e cila ka ndërmjetësuar marrëveshjen e 5 qershorit:

Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian. Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore.

Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike

thuhet në deklaratë.

Siç shihet ambasada tallet hapur me opozitën jashtëparlamentare duke sugjeruar që për ndryshimet kushtetuese të arrihet konsensusi. Ky apel i jep një kredi politike shtesë z. Rama që riciklon amendimet që dëshiron me miratim ndërkombëtar. Përpjekja e PD-së për ta paraqitur nismën e ndryshimeve kushtetuese si prishje e konsensusit mbetet jetime përderisa ambasada e SHBA arrin e tall veten me mbështetjen që u jep atyre që për çudi i quan “reforma të mëtejshme zgjedhore”, ndërkohë që shpalli si arritje konsensusin e 5 qershorit. Në çdo pikëpamje ta shohësh këtë, z. Rama veproi me disa porta duke vënë para faktit të kryer edhe selinë diplomatike në fjalë së cilës nuk I ka mbetur veçse të recitojë vjershën e vjetër të konsensusit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.