Një Kryeministër shqiptar për Maqedoninë e Veriut tingëllon si provokacion

Postuar në 18 Korrik, 2020 16:05

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut kanë prodhuar një moment pozitiv për shqiptarët. Partitë e tyre kanë marrë 33 mandate në një parlament prej 120 vendesh, nga të cilat 15 Bashkimi Demokratik për Integrim. 

Ky rezultat ka ushqyer një ambicie të re që është ideja e kryeministrit shqiptar të Maqedonisë së Veriut. BDI e Ali Ahmetit ka propozuar Naser Zyberin, ish-zv.kryeministër për këtë post, ndërkohë që mediat shqip në MV raportojnë se BDI do ta shtrojë këtë tezë në negociatat për krijimin e qeverisë së re, krahas tezës për kryeministra me rotacion. 

Ka media shqiptare që po e quajnë këtë “ëndrra shqiptare” dhe nuk dihet se nga rrjedh kjo ëndërr. Në politikë mund të ketë vizione, ambicie, por ëndrrat janë disi personale. Ndaj në analizën e politikës është themelore të mbahen parasysh interesat. Me aq sa kuptohet ekzistenca dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut janë në interesin e shqiptarëve në tërësi, pasi në një areal kryesisht sllav si Ballkani, shqiptarëve u leverids që shtet si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, apo edhe Bosnje-Hercegovina të jenë funksionale. Leverdis edhe për kultivimin e një përvoje të harruar historike të bashkëjetesës jashtë suazës së një perandorie, edhe pse shtete të tilla dihet se janë nën kujdestari. 

Në këtë kuptim, ide të tilla si kjo e një kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në rastin kur nuk janë taktikë politike, mbeten të jenë provokacione. Idje ae nje kryeministrintë propozuar nga partitë shqiptare është edhe më provokative. Vërtet BDI mund të kërkojë të luajë teatrin e një partie që maksimalizon ambiciet publikisht, duke kushtëzuar solidaritetin shqiptar për të, por kjo lloj oferte politike nuk mund të kthehet në kusht bashkëqeverisjeje me sllavët. Është shumë e pakujdesshme të pretendosh të drejtosh vendin kur shumica është e ndryshme dhe dallueshme nga ty. 

Në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Ballkan nuk ka ende figura mbinacionale dhe lojëra të tilla nuk shërbejnë veçse për të dëmtuar edhe atë klimë të mbetur normaliteti. Nga ana tjetër vetë shqiptarët nuk janë gati për këtë rol dhe për këtë mjafton të shohim incidentin e fundit me qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti. Një ministër që jep llogari te partia, bëri kundërdeklaratë ndaj kryeministrit duke çuar në ndryshim politik në vend. Të imagjinojmë tani se çfarë ndodh me një kryeministër shqiptar në MV, për të cilin del garant Ali Ahmeti dhe që ka një sy nga Tirana e Prishtina. 

Ndoshta koha e mrekullive ka ardhur, por me një gjykim normal e të ftohtë, shqiptarët në MV kanë shansin që të përmirësojnë statusin e tyre realisht, në fushën e të drejtave dhe atë ekonomiko-politike. Ndaj ta përdorësh këtë moment me shashka si kjo e kryeministrit ngjan nga ato aventurat e zakonshme në Ballkan që krijojnë atë bindjen se këtu e mira nuk vjen kurrë.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Vrapimi pas dukjes dhe jo thelbit eshte karakteristike e dallkaukeve! Ka mundesi qe Ali Mehmeti te jete i tille! I intereson duket me shume popullariteti tek turmat pa idera, se sa e ardhmja e tyre!

Submitted by X (not verified) on

BDI e Ahmetit ka 15 deputete. 13 deputete kane partite e tjera shqiptare nga votat e veta dhe 4 deputete i ka levizja Besa brenda koalicionit te Zaevit! Koalicioni VMRO-DPMNE ka 44 deputete dhe koalicioni i Zaevit 46 deputete ku 4 jane te Beses.

BDI i ka zene mat te gjithe persa i takon numrave dhe pozicionimit. Eshte partia me e madhe shqiptare, per ceshtje qe lidhen me shqiptarine shqiptaret e kane natyrale te jene me njeri tjetrin perpara se te jene me maqedonasit dhe BDI po e shfrytezon momentin.

Fundja kjo eshte politika, kur ke momentin shfrytezoje! Nuk mund te fajesohet BDI per nismen e vet, paradhenie. Politikisht BDI po kerkon dicka krejt normale.

A do ti dale me sukses? A do percahen shqiptaret? A do krijohet nje situate konflikuese mes maqenonasve dhe shqiptareve? Keto kane ca pasoja qe mund te jene shume problematike dhe duhet patur kujdes ne cdo hap.

Por edhe te pranoje shqiptari inferioritetin apriori dhe te mos shfrytezoje situaten, nuk do ishte mire!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.