Një betejë që nuk prodhon heronj

Postuar në 18 Korrik, 2020 23:56

Hashim Thaçi është kthyer në Kosovë pas katër ditësh intervistim në Prokurorinë Speciale në Hagë. Një institucion të cilin ai e ka dekretuar dhe para të cilit përgjigjet sot. Me imunitetin e Presidentit, jo me besimin e një qytetari që respekton angazhimin e tij. Sot ai ka bërë një hap pas në krahasim edhe me Rambujenë, në kështjellën e së cilës hyri me kredencialet e një luftëtari, pasi në këtë rast Presidentit të Kosovës nuk po i kërkohet informacion një firmë për paqen, por i kërkohet llogari për aktet e tij gjatë luftës.

Por z. Thaçi që ka nisur të moralizojë në fjalimet e veta njësoj si miku i tij në Tiranë, Edi Rama, gjuha monotonte dhe e njohur e të cilit ka nisur të ndihet edhe në paraqitjet e presidentit të Kosovës. Në fjalën e vet pas kthimit nga Haga, Thaçi ka tentuar të rikualifikojë një proces hetimor ndaj Tij, si një zhvillim politik që po merr në gjykim të gjithë Luftën dhe pasojat e saj politike.

E para: siç e kam thënë edhe para se ta kapërceja pragun e gjykatës, historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush!

Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush!

E dyta: ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet.

Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik

ka thënë Thaçi.

Në të vërtetë Historia shkruhet e rishkruhet vazhdimisht dhe nga ky rregull nuk përjashtohet dot kush. Vlerat që rrjedhin nga momente të caktuara, apo nga interpretimi i tyre historik mund të mos modifikohen lehtësisht, por epsiodet dhe mitizimet janë patjetër nën presionin e kërkimit të vazhdueshëm. Hashim Thaçi nuk është lufta e Kosovës, ai është një pjesëtar aktiv I saj. Akuzat e tij nuk janë akuzë mbi luftën në tërësi, por mbi episode të saj. Ndaj kjo propagandë e pistë e dekonspiron veten që në momentin kur i apelon emocioneve dhe jo arsyes. Zoti Thaçi nuk ka ndonjë arsye të druhet, pasi ai nuk është në pozicionin e një viktime me të cilën mund të luash lehtësisht dhe si të duash. Ndaj është i pakuptimtë dhe errësues ky solidaritet “gjthëkombëtar” për të cilin flet Hashim Thaçi, ndërkohë që interesi ynë edhe moral dhe etik e kërkon sqarimin objektiv të kësaj çështjeje, në të cilën  presidenti i Kosovës po kërkon triumfin e vet populist dhe të pamerituar.

Prandaj, duke ju falënderuar nga thellësia e zemrës për këtë respekt dhe solidaritet gjithëkombëtar, dua t’ju lus të gjithëve që ta vendosni Kosovën mbi dallimet politike partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme

shtoi Thaçi që është po ai njeri që orkestroi puçin ndaj qeverisë legjitime të Kosovës pak muaj më parë.

Kosova në të vërtetë ka dhënë prova mençurie qëkurse në vitin 1999-2000 nuk u gënjye të votonte njerëzit e luftës për menaxherë të shtetit të ri. Nuk rendi pas momentumit të uniformave që erdhën nga mali të cilët po e shohim se çfarë produkti politik po kanë në drejtim. Këtë produkt e kemi parë edhe te heronjtë shqiptarë të Maqedonisë, pa folur për përvojën e Shqipërisë së 1944-ës, një përvojë që e provokoi rëndë historinë dhe të ardhmen me piedestalin e parrëzuar ende të atyre që merita dhe cilësi të caktuara i shndërruan në prerogativë për çdo zullum në këtë vend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.