Italia afrohet me Turqinë për situatën në Libi

Postuar në 08 Korrik, 2020 13:40

Pas nënshkrimit të marrëveshjes detare me Greqinë, Italia duket se po shikon një qetësim relativ të raporteve me Turqinë. Mediat raportojnë se ministri italian i Mbrojtjes, Lorenzo Guerini ka zhvilluar një vizitë një ditore në Ankara, gjatë së cilës është takuar me homologun turk, Hulusi Akar. Ky i fundit e ka përshkruar takimin me tone pozitive duke vënë në dukje rolin e dy fuqive si Italia dhe Turqia në Mesdhe:

Më lejoni të them se po flasim për Italinë dhe Turqinë, dy vende të mëdha dhe të rëndësishme në rajonin e Mesdheut. Ne besojmë se bashkëpunimi efektiv mes dy vendeve në të gjitha zonat, sidomos në atë të mbrojtjes dhe të sigurisë, si në sektorin civil dhe atë ushtarak, do të sjellë përfitime të mëdha jo vetëm për vendet tona, por për rajonin si të tërë

citohet Akar.

Ministri turk ka shtuar se të dyja palët “ndajnë pikëpamje të ngjashme për shumë çështje”, çka sipas tij përbën një premisë të mirë për të zhvilluar aktivitetete në mbrojtje të interesit të të dyja vendeve.

Sipas mediave turke, Guerini ka folur për miqësinë italo-turke që “ka rrënjë të thella dhe është e çimentuar”.

Një pikë e dukshme ku Italia kërkon dakordësinë e Turqisë është Libia dhe situata në të. Libia është një vend ku Italia ka humbur përherë në përplasje me fuqi të tjera dhe që sot është shndërruar në një burim emigrantësh ilegalë, por edhe kontrabande. Nafta libiane dhe politika e saj luhet dhe manovrohet nga duar të tjera dhe Italia që pretendon se është fuqi e madhe dhe se madje ka edhe një politikë të posaçme mesdhetare, i duhet thjesht të bëjë rolin e Rojes Bregdetare të BE-së. Në këtë kuptim, Roma zyrtare ndoshta po kërkon te Turqia partnerin që se gjen dot asnjëherë në Europë.

Sidomos mbi Libinë, ne edhe njëherë ramë dakord se duhet të prodhojmë një zgjidhje politike që të arrihet paqja. Ne kemi ndarë vizionin tonë për përgjegjësitë që duhet të marrim në Mesdheun Lindor, sepse përndryshe nuk kemi asnjë shans të ulim tensionin

ka thënë Guerini.

Qëndrimi i Italisë, të paktën kaq publikisht, vjen ndërkohë që Turqia e Erdoganit për përmirësuar ndjeshëm situatën e vet në Libi, duke i dhënë goditje thuajse fatale gjeneralit Khalifa Haftar, një kartë kryesisht franceze, por së fundmi edhe me mbështetje ruse. Në këtë kuadër, afrimi i Italisë është diplomatik më shumë sesa politik pasi ajo po synon të zbusë efektet e emigracionit mbi veten më tepër sesa të përfitojë diçka reale.  Kjo sidomos në kushtet kur në Libi llogaritë ushtarake nuk janë mbyllur ende dhe kur nuk është zbuluar se cili është qëndrimi i Romës për projektin EastMed dhe nëse kjo vizitë njeh në mënyrë të nënkuptuar marrëveshjes detare të Turqisë me qeverinë e Tripolit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.