Autonomia në letra dhe monarku i Bregdetit

Postuar në 08 Korrik, 2020 14:21

Sot në media ëstë raportuar se kryeministri i vendit ka takuar kryebashkiakët dhe I ka urdhëruar që të mos pushojnë, por të takojnë njerëzit. Pak ditë më parë, po në media doli lajmi se z. Rama kishte debatuar me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli. Sado e pabesueshme të duket kjo paska ngjarë dhe shkak për këtë debat të vockël është padyshim ambicia shumë e madhe e kryeministrit për progresin e atdheut tonë të dashur. Kryeministri siç e tregojnë atë vartësit e vet, nuk kënaqet asnjëherë. Edhe ai vetë deklaron se është i pakënaqur, sepse më shumë mund të bëhet, ndërkohë që nga ana tjetër promovon Shqipërinë si vend interesant, si xhevahir të natyrës dhe deklaron shpesh se reformat që janë bërë nën qeverisjen e tij, nuk janë bërë asnjëherë më parë. Nga buron ky raport i shpërpjestuar mes një kryeministri dhe një të zgjedhur në nivel lokal?

Sot Partia Socialiste ka kontroll absolut të pushtetit politik dhe administrative në vend, por ky pushtet nuk ka instancë të fundme ligjin, por një njeri: Edi Ramën. Projekti I fundit për Bregdetin shpall se menaxhimi i tij i kalon qeverisë qendrore në funksion të përkujdesjes për këtë aset të çmuar ekonomik. Por sa i përgjigjet kjo të vërtetës? Nëse shohim me kujdes vendimet e dhëna ndër vite, në Bregdet janë shpërblyer miqtë e kryeministrit me fshatra, turisitikë, koncesione 1 euro dhe leje të favorshme ndërtimi. Tani dhe projektet infrastrukturore po orientohen drejt lehtësimit të komunikimit me Bregdetin, ku dominon ekonomikisht klientela e z. Rama, e ku kryebashkiakët kanë rolin e fshesarit.

Nëse sheh ligjin për reformën administrative territoriale, raportin e hartuar për të ndër të tjera lexon:

Një tjetër argument i rëndësishëm që thekson edhe më tepër nevojën për reformën administrative territoriale është pamundësia thuajse e të gjitha njësive vendore sot në Shqipëri për të mbështetur dhe nxitur zhvillimin ekonomik vendor, si dhe niveli i lartë i pabarazive të krijuara jo vetëm si rezultat i ndarjes administrative territoriale por edhe si rezultat i politikave të decentralizimit fiskal të ndjekura prej vitesh

Ekonomia në të vërtetë zë vendin më të parëndësishëm në analizën që I bëhet draftit të reformës, duke u përqendruar kryesisht të përmirësimi i shërbimeve. Por edhe në këtë pikëpamje, shërbimet e ofruara nuk janë përmirësuar, pra objektivi nuk është përmbushur dhe për këtë flet aksioni me polici i zbrazjes së plazheve publike.

Aspekti tjetër është kontrolli mbi territorin dhe e drejta e zhvillimit të tij. Ne nuk dimë se çfarë përfaqëson realisht një kryetar bashkie, një kandidat. Zoti Veliaj p.sh premtoi se nuk të kishte më betonizim të Tiranës, por ai përfaqëson sot Lali Betonin dhe për të mos i rënë shumë në qafë duhet të shtojmë se firmos me urdhër të shefit të vet. Asnjë biznes në Tiranë nuk do ta kishte pranuar politikën e krosive të biçikletave që po bllokon çdo rrugë, por kur vallë biznesi luajti politikë në këtë vend?

Ne nuk e dimë se çfarë është ky Adi Gurma i Sarandës, se çfarë vizioni ka patur ai për qytetin, ku meqë ra fjala as u rrit në të, as e kupton ndoshta e as ka kujtime në të. Po Dritan Leli në Vlorë thotë ndonjë gjë më shume sesa zgjedhje personale e Edi Ramës? Projektet e mëdha si Rilindja Urbane, Lungomare, bulevardi i Sarandës, apo projekti për gjirin e Limjonit që iu dha Shefqet Kastratit dhe Artan Dulakut me 1 euro, as nuk e kanë begenisur mendimin e kryebashkiakut Gurma – nëse ka të tillë -  që do mbahet mend për propozimin e lyerjes së fasadave të qytetit të Sarandës me bardhë e blu siç është në Egje.

Gurma, Leli, siç ishte edhe Koka para tyre në Sarandë, sikundër z. Goro në Himarë që nuk kundërshton asgjë që vjen nga Tirana, janë siç thoshin dikur pako postale nga Tirana. Ata janë noterë të tekave të një njeriu. Ata nuk përfaqësojnë komunitetin veçse si origjinë, një formalitet banal ky tashmë, teksa për çdo gjë tjetër janë si Shazivari që përsëriste se “duhet njoftuar qendra”.

Kjo situatë ku një njeriu, kryeministrit i pëlqen të bëjë monarkun e ekonomisë dhe territorit, reflekton faktin se autonomia dhe decentralizimi janë atu ligjore më shumë sesa refklekse të ngulitura të një komuniteti dhe trashëgimi e tij. Mund të bësh të gjitha ligjet e botës e sërish të mos arrish dot që një qendër banimi ta shndërrosh në Qytet. Sepse as Vlora, as Saranda dhe as Durrësi madhe nuk janë qytete. Janë qendra banimi. Një Qytet reagon dhe ka identitet, respekt për historinë e vet. Dhe në thelb paaftësia për të ndërtuar shtetin është paaftësi për të krijuar një Qytet. Shikoni Tiranën për të kuptuar çfarë vjen pas.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.