17 maji i Kosovës

Postuar në 03 Korrik, 2020 13:04

Sot në Tiranë ka qenë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Në konferencën për shtyp me homologun e tij, Edi Rama, është njoftuar mbledhje e përbashkët mes dy qeverive si dhe janë lëshaur disa deklarata me karakter sensacional. P.sh z. Rama ka deklaruar se Vuçiç nuk mund të negociojë me Perëndimin për shqiptarët, diçka që nuk ka asnjë lloj kuptimi dhe nuk i përgjigjet pyetjes së bërë për deklaratën e Vuçiç se do të negociojë me shqiptarët.

Ne nuk dimë se çfarë negocion z. Rama në emër të Shqipërisë, kështu që negociatat e Vuçiç kanë më pak interes dhe ngacmojnë më pak. Nga ana tjetër, pretendimi i z. Rama është bosh, pasi për Kosovën, Serbia është ulur në negociata me palën shqiptarem pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezoluitës 1244, që në fakt janë akte ku shqiptarët nuk figurojnë gjëkundi.

Megjithatë zhvillimi i sotshëm do lexuar jo për teatrin e kryeministrit të Shqipërisë, por për atë që po ndodh në Kosovë. Duket se vizita e z. Rama në Prishtinë ka dhënë frytet e veta duke qepur një bashkim politik të të gjithë atyre që duan të ruajnë karriget duke mbrojtur me çdo kusht Hashim Thaçi.

Kështu, gazeta “Koha Ditore” raporton se koalicioni qeverisës në Kosovë pritet të zgjerohet me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit e cila fiton disa të drejta jo të vogla.

Ideja është që nëse i konfirmohet aktakuza Thaçit, ai të ofrojë dorëheqjen ashtu siç ka paralajmëruar dhe legjislatura aktuale e Kuvendit që ta zgjedhë presidentin e ri, që pritet të propozohet nga PDK-ja. Kjo parti po ashtu mund t’i marrë së paku katër ministri në qeverinë Hoti. Kjo bëhet me qëllimin që të shmangen zgjedhjet eventuale dhe Qeveria ta vazhdojë mandatin në kohën kur fillojnë gjykimet në Hagë

shkruan KD.

Ndërkohë e njëjta media e lidh këtë opsion me “unifikimin të cilin e kërkoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama” duke na zbuluar se atë që ky njeri bëri në Shqipëri, ia doli ta përhapë edhe në Kosovë. Hashim Thaçi do të mbrohet me çdo kusht dhe një aktakuzë e konfirmuar ndaj tij nuk duhet të provokojë krizë politike në vend. Ky lloj interpretimi i sheh zgjedhjet si shprehje të krizës politike, ndërkohë që e vendos LDK-në e Isa Mustafës dhe Avdullah Hotit në pozitën e një subjekti menaxherial që nuk ka asnjë mendim politik dhe mbi dhunën në luftë.

Togfjalëshi “lufta e shqiptarëve është e pastër” nuk thotë asgjë dhe nuk përcjell asnjë lloj përgjegjësie, e cila qëllimisht ngatërrohet, pasi gjykata vetë po kërkon përgjegjësi personale dhe jo kolektive.

Një sukses i Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për blerë dhe gënjyer politikën në Kosovë, për të mbyllur një Pazar që dëmton mbarë shqiptarët që do të duhet të shpallin sot hero një njeri të akuzuar për korrupsion masiv në Kosovë dhe tani për krime nga një Gjykatë për të cilën ka firmosur vetë. E kemi të lehtë të imagjinojmë se çfarë do të bëjë politika këtu sikur institucionet e reja të drejtësisë të firmosin ndonjë aktakuzë ndaj Ramës apo Gjiknurit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.