Opinionisti Minxhozi: Edi Rama, eminenca gri e paqes me serbët. Ishte pro idesë së shkëmbimit të territoreve

Postuar në 30 Qershor, 2020 21:26

Skënder Minxhozi, një opinionist i pavarur që është njohës i mirë i zhvillimeve të së majtës shqiptare dhe politikës së jashtme, shkruan sot rreth vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Kosovë. Sipas Minxhozit, Rama është një  “protagonist i vjetër i rregullimit final mes serbëve e shqiptarëve”. 

Shumëkush që është përpjekur të hulumtojë në kurbën e paqes serbo-kosovare vitet e fundit, është ndeshur qysh në krye të herës me prezencën e Tiranës zyrtare. Prania e Edi Ramës ka qenë gjithnjë e më e madhe, në një proces të vështirë, të bllokuar prej dekadash dhe ku ndërthuren jo thjesht interesat e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe shumë fije të dukshme e të padukshme të SHBA, Evropës e Rusisë. Rama ka qenë prej vitesh “eminenca gri” e këtij projekti paqeje, të fundit kapitull të mbetur hapur nga lufta në ish-Jugosllavi

shkruan Minxhozi. 

Mirëpo ajo që intereson gjerësisht në këtë “operacion të nivelit të lartë gjeopolitik dhe diplomatik” është pikëpyetja mbi psenë e një roli ambig të z. Rama. Nëse kryeministri i Shqipërisë qëndron në bazë të një operacioni pajtimi, atij I takon një rol I hapur. Nga sa kemi parë z. Rama është treguar diplomat me shqiptarët duke kalibruar sjelljen, ndërkohë që Vuçiç p.sh ka qenë i hapur me serbët kur ka njoftuar një proces të vështirë paqëtimi me shqiptarët. 

Një arsye që shpjegon këto akrobaci të një kryeministri është fakti se nëse ai mund ta shpërfillë opinionin publik në Shqipëri e të thotë gjithçka takimeve me të huaj, e ka të vështirë ta bëjë këtë kur merr rolin e ndërmjetësimit mes Serbisë dhe Kosovës, ose më mirë mes disa  shqiptarëve dhe Serbisë.

Nuk kemi pse të paragjykojmë një rol të tillë dhe as të ngremë dyshime mbi synimet e kësaj loje. Por janë rezultatet dhe pështjellimi i krijuar nga sjellja publike e z. Rama ajo që meriton trajtim. P.sh cili është qëndrimi i tij për idenë e shkëmbimit të territoreve? Minxhozi jep këtë version, ose bën këtë analizë: 

Idea kryesore me të cilën pakti i ardhshëm Kosovë-Serbi erdhi e u bë protagonist i mediave e debatit publik, ka qenë ajo e korrigjimit të kufinjve. Padyshim teza më kontroverse dhe e gabuar e një draft-marrëveshjeje, që e ka bërë vetë marrëveshejn më të zhurmshme, por edhe më të diskutueshme. Sidomos për evropianët. Ndërsa shumëkush në dy anët e kufirit shqiptar e akuzonte me gjithfarë epitetesh, Edi Rama është treguar në përgjithësi i kujdesshëm në publik, në lidhje me shkëmbimin e teritoreve mes Serbisë e Kosovës. Eshtë e vështirë të gjenden deklarata të tij publike, pro shkëmbimit të territoreve.

Por njëherësh, të gjithë ata që e kanë ndjekur nga afër këtë histori të dominuar nga insistimi cerebral i Hashim Thaçit për “korrigjim kufitar, pa dhënë asnjë centimetër tokë”, e dinin se Rama nuk ishte kundër kësaj ideje. Kreu i ekzekutivit në Tiranë nuk e ka parë si problematik, ndërrimin e disa komunave shqiptaro-serbe në kufinjtë veriorë të Kosovës, për sa kohë që më pas kjo do të sillte njohjen e Kosovës si subjekt i të drejtës ndërkombëtare dhe do t’i jepte dorë të lirë klasës drejtues në vend, që të vendoste në mënyrë sovrane për fatet e shtetit më të ri të Evropës.
Rënia graduale (po t’i zesh besë deklaratave publike të amerikanëve) e tezës së shkëmbimit të territoreve, erdhi jo vetëm për shkak të largimit të disa prej sikfterëve të politikës së jashtme të Trump, si John Bolton, por edhe për arsye të reagimit të fuqishëm evropian kundër një zgjidhjeje të tillë.

Kryeministri shqiptar e ka kuptuar herët këtë dualizëm të ashpër SHBA-Evropë për ndryshimin e kufinjve Kosovë-Serbi. Ka arritur të qëndrojë në zgrip të këtij debati, duke u munduar ta shfrytëzojë sherrin, për të forcuar pozitën e tij politike në Shqipëri dhe rajon. Sot, kur një lëvizje e beftë e Speciales, provokoi një thyerje të paparashikueshme të procesit, Edi Rama ka arsye të ndjehet keq për këtë thikë pas shpine që nuk dihet se nga erdhi

Le të ndalemi këtu e të shohim se z. Rama ka provokuar tension me një pjesë të Europës me atë që mund të quhet diplomacia e fshehtë e tij me këtë ide. Por ai mori një shuplakë publike kur Europa me në krye Gjermaninë nuk e përkrahu idenë e Minishengenit, që ishte politkë publike. Ndaj nuk është aspak për t’u çuditur që edhe bllokimi i kufijve nga BE për shqiptarët në kontekstin e epidemisë të ketë prapavijë politike e që ka të bëjë edhe me këtë zhvillim. Kemi të bëjmë me Edi Ramën faturën e të cilit e paguajmë të gjithë. Sepse nëse Edi e nis karrierën si beniamin i Merkelit dhe përfundon si friend i John Bolton, kryeministri i Shqipërisë duhet të tregohet pak më i kujdesshëm. Po komentojmë nisur nga politika publike, por edhe nga fakti se askush nuk ka shkop magjik të kthejë timonin sa herë të dojë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.