CoVid-19, a po kryhet si më parë hetimi epidemiologjik?

Postuar në 29 Qershor, 2020 12:05

Prej dy javësh tashmë, Instituti i Shëndetit Publik raporton raste të shtuara të të prekurve me koronavirus. Sot p.sh numri i të konfirmuarve si poozitivë është 64, kurse dje 72. Në vijimësi të ditëve të fundit shihet se kurba e të prekurve është stabilizuar mbi mesataren e numrit të të prekurve gjatë karantinimit dhe fillimit të epidemisë.

Në këto kushte ne nuk po shohim asnjë qasje ndryshe nga institucionet përgjegjëse veç thirrjeve sporadike për mbajtje distancash, larje duarsh etj.. Ekziston edhe një numër kontakti falas që jep këshillime për qytetarët, ndërkohë që ajo që bie në sy është kufizimi i hetimit epidemiologjik.

Në muajt mars-prill, përfaqësues të ISHP-së argumentonin se tamponizimi për diagnostikim përkundrejt idesë së testimit masiv kishte vlerë në raportin 10% mes testimit dhe konfirmimit pozitiv. Pra nëse në 200 tamponë rezultojnë 20 të prekur, atëherë hetimi epidemiolgjik quhet i realizuar pasi supozohet se janë verifikuar të gjitha kontaktet. Në këtë kuadër shmanget krijimi i vatrave masive. Deri më tani kjo qasje u vërtetua, mirëpo nëse shohim situatën e fundit, ne kemi qoftë shtim numri, ashtu edhe zgjerim harte. P.sh më dy ditët e fundit kemi 64 dhe 72 të prekur për respektivisht 371 dhe 374 tamponë. Pra ai raporti 10% që u hodh në diskutim në muajt e shkuar nuk po zbatohet më. Mundet të ketë arsye të vetat një gjë e tillë, por duhet thënë se një shqetësim që duhet konsideruar këtu është edhe situata epidemike në rajon.

Këtij i shtohet edhe fakti se tamponët analizohen vetëm në një vend, në laboratorin e ISHP-së në Tiranë, duke krijuar probleme në komunikimin e testimit, kohës së tij dhe me gjasë karantinimin e personit të prekur.

Nga të dhëna të ndryshme rezulton se ISHP-ja nuk po përgjigjet më efektivisht në çdo rast me tamponet dhe ka raste kur persona që dyshojnë se janë prekur nga CoVid-19 lihen edhe 5 ditë pa u testuar.

Sigurisht që ky nuk është faji i ISHP-së sepse tashmë nga Tirana dhe Durrësi kalojmë në mbarë Shqipërinë që ka nevojë për testim, ndërkohë që grupet në terren janë të njëjtat. Përgjegjësia është e politikës dhe qeverisë, kryeministrit që përgjërohej për jetën tonë në muajt e shkuar, e që me gjasë ka patur frikë për veten kur na shpalli vëllezër të Facebook-ut.

Aktualisht BE-ja na mbylli dyert për shkak të epidemisë që tani ka gjetur vatrën e re në QSUT, aty ku nuk duhej. Dhe ndërsa numrat rriten, ashtu edhe viktimat, i pari i qeverisë nuk duket se ka më atë preokupim. Kjo edhe sepse Shqipëria e tij nuk e përballon dot më asnjë ditë karantinim, sepse edhe kështu është në anemi akute. Ndaj, bëni hall, secili për vete!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.