Një takim që duhet bojkotuar

Postuar në 28 Qershor, 2020 14:36

Ka disa raportime mediatike, adoptuar si të vërteta edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, se Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, do të jetë në Kosovë më 1 korrik. Sipas raportimeve paraprake, z. Rama do të tentojë një koordinim të faktorit politik të Kosovës në funksion të një mbrojtjeje politike ndaj Hashim Thaçit.

Vizita në fjalë përfaqëson asgjë më shumë sesa një axhendë personale të një oportunisti si Edi Rama, që në 8 vjet gati qeverisjeje, ia ka dalë vetëm të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve duke u përfshirë në procese gjyqësore, duke promovuar nisma të njëanshme si Minishengeni dhe duke tentuar të aktualizojë si opsion shkëmbimin e territoreve.

Këto janë fakte publike të njohura dhe nuk janë spekullime.  Zoti Rama po shfrytëzon rastin, ndoshta të fundit për t’u paraqitur në Kosovë si paqëtuesi dhe ndërmjetësuesi i një klase politike, paqëtim që e kupton ashtu siç e kupton atë në Shqipëri: duke asgjësuar simetrinë e sistemit dhe duke e bërë opozitën pis me përgjegjësi të pushtetit.

Politika kosovare mund të vendosë çdo gjë, por takimi i organizuar apo kërkuar nga Edi Rama do të provokojë idenë e një uniteti të rremë që dëmton nevojën e kësaj politike për koordinim të brendshëm sepse ai shërben për të rifaktorizuar si simbol të Kosovës dhe shqiptarëve përballë drejtësisë ndërkombëtare, Hashim Thaçin. 

Shqipëria e korruptuar dhe e dështuar e Edi Ramës nuk ka asnjë tagër të marrë një rol drejtues dhe ndërmjetësues në këtë kuadër. Nga ana tjetër, Kosova do të tregohej e mençur të injoronte me çdo kusht praktikën e dështur të konsensusit të liderëve që vjen nga Shqipëria, e cila ka shndërruar kontratën për shtetin në një Pazar dy apo tre njerëzish.

Fati i Hashim Thaçit po vendoset në një gjykatë dhe jo në një kurth ndërkombëtar përkundrejt të cilit nevojitet një besëlidhje kombëtare. Hashim Thaçi përfaqëson një pjesë të luftës, por edhe një histori korrupsioni dhe dështimi, një provë sesi një vend i tërë mbahet peng nga historia personale e një njeriu. Dhe këtë realitet po kërkon ta shtyjë drejt agonisë kryeministri i Shqipërisë, që drejton një vend në agoni, por për të cilin tregon historinë që do.

Comments

Submitted by Selim (not verified) on

Ekzakt. Perfaqeson nje pjese te luftes. Te luftes se lavdishme clirimtare. Legalizoi UCK-ne duke e kthyer nga "nje grup terrorist" ne nje ushtri clirimtare te njohur dhe pranuar nga e gjithe bota demokratike. Ishte lufte. Duke nxjerre nga konteksti veprimet dhe mosveprimet e luftetareve te gjithe do ishin kriminele. Prandaj duhet te jemi bashke. Neser le te shkoje ne biruce te burgut per poshtersite qe mund te kete bere ne kohe paqeje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.