Kosovën e shpëton rruga demokratike: Dorëheqje e Thaçit dhe zgjedhje

Postuar në 28 Qershor, 2020 00:36

Hashim Thaçi duhet të dorëhiqet. Kjo kërkesë tani është në tavolinë  e interesit të sigurisë së Kosovës dhe nuk ka sesi të injorohet më. Njeriu që dominon skenën politike të vendit të tij është në shah permanent me një akuzë që mund të shndërrohet në kërkesë për arrestim, tashmë hapur dhe jo e hamendësuar. Dhe këtë gjë e kërkon tanimë edhe një pjesë e opinionit europian që ka ndërmend dhe mbështet nismat për ndërmjetësim të dialogut nga Brukseli. Në një opinion të autorizuar nga Carl Bildt dhe Vessela Tcherneva në faqen e Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë, kërkohet pikërisht një gjë e tillë. Dhe kjo thirrje i drejtohet për sqarim lexuesve europianë. 

Thaçi është tanimë viktima e një procesi të gjatë ngritur kundër tij dhe e ka këtë status pavarësisht se përdori çdo gjë për t’u mbrojtur. 

Një nga mbështetësit më të apasionuar të procesit të dialogut të drejtuar nga Uashingtoni ka qenë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Entuziazmi i tij buronte nga frika e përndjekjes nga Gjykata Speciale dhe shpresa e tij ishte të fitonte imunitet përmes negociatave me Uashingtonin…Ka patur një frikë të qartë se perspektiva e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë  do të minonte po ashtu punën e Prokurorisë. Nëse ky ishte synimi k Thaçit, atëherë kundërpërgjigja ishte spektakolare

shkruajnë autorët. 

Ata shtojnë atë që vunë re të gjithë: reagimin e menjëhershëm të Francës dhe Gjermanisë në mbështetje të dialogut, një sinjal i qartë ky se Thaçi është pengesa në  axhendën europiane. Dorëheqja e Thaçit në këto kushte është absolutisht interes i Kosovës që nuk mund të përfaqësohet me një njeri mbi të cilin rëndojnë akuza për krime. Jo përpara se ai të sqarojë statusin e tij juridik. 

Gjëja që Hashim Thaçi duhet të bëjë tani është të japë dorëheqjen nga detyra e tij si president duke hapur rrugën për negociata  mes partive politike për zgjedhje të reja parlamentare

vijojnë autorët. 

Shumëkush mund të analizojë gjithfarë skenarësh, por sugjerimi i dy autorëve në këtë rast është thjesht: Rruga Demokratike. Atë rrugë që Thaçi e refuzoi pak javë më parë duke mbajtur peng vendin te Rruga Kushteuese, apo më mirë e interpretimit të saj. 

Për të mirën e Kosovës dhe të mbarë shqiptarëve, ai tani duhet të dorëhiqet, sepse nëse Ilir Meta ia lejon vetes të shndërrohet në klloun të kërcënimeve të veta, Thaçi nuk mundet. Qoftë sepse është një figurë me tjetër vizibilitet ndërkombëtar, qoftë sepse përfaqëson aktualisht diçka më serioze sesa rrecka mbi të cilën kapardiset Ilir Meta dhe miku tij, njëkohësisht tersi i të gjithëve, Edi Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.