Zgjedhjet kanë rëndësi reale vetëm për politikën

Postuar në 25 Qershor, 2020 04:31

Damiani dhe Oerdi ia dolën. Dje njoftuan se e miratuan në parim reformën zgjedhore. Kërkesat e PD-së për KQZ-në u morën parasysh. Ky ishte njoftimi. Ata që i njohin këta të dy, mund ta marrin me mend sesa tallen këta dy juristë me nam e me çika me këtë që po bëjnë. Pra me faktin sikur po bëjnë ndonjë reformë të madhe. Pasi është e qartë për shumëkënd se asgjë nuk ka ndryshuar.

Zgjedhjet janë të rëndësishme, por ato kanë humbur rëndësinë. Sepse rotacioni është fiktiv. Ai po ciklon të njëjtët njerëz në kuptimin e filozofisë së sjelljes me paranë publike, përfitimi i të cilës është i vetmi vizion.

Politika shqiptare i ka jetike zgjedhjet për faktin e thjeshtë sepse ajo sigurohet vetëm duke qenë në pushtet, duke kontrolluar mekanizmat e tij dhe duke mos lejuar që ndonjë dosje të hapet. Në fund të fundit kjo shpjegon pse politika është në 4-5 duar dhe jo më shumë. Ndaj triumfi për reformën është një diversion nga problemi kryesor që është mungesa e alternativës.

Shumëkush i bën një pyetje vetes: për kë të votoj? Dhe më tej: për çfarë të votoj? Të gjithë do kapin një vend dhe do bëjnë lekë? E qartë që jo. Ndaj loja me reformë është e mbyllur në lojën e politikës që po bën të pamundurën që edhe ky treg të mos hapet, por të qëndrojnë në formën e vet të oligopolit. Zgjedhjet janë jetike për këtë klasë sepse vetëm me to legjitimohet formalisht ai pushtet me të cilin mbrohen paratë e vjedhura dhe shpërndarja abuzive e pasurisë publike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.