Kurva plakë do vetëm stabilitet

Postuar në 24 Qershor, 2020 13:34

Zgjedhjet në Serbi ofrojnë një tjetër mundësi për të parë politikën e Bashkimit Europian si koniunkturale në raport me rajonin tonë. Dy ditë më parë, menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale në këtëvend, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se ato respektuan liritë dhetë drejtat themelore, edhe pse siç u shprehën ata zgjedhësit nuk kishin çfarë të zgjidhnin për shkak të bojkotit nga opozita.

Ky i fundit përbën një qëndrim që duket si radikal, por që në fakt afirmon një qasje parimore ndaj procesit elektoral, ndërkohë që BE-ja po del përherë e më shumë si një strukturë që anashkalon standardet për opinionet. Të thuash që zgjedhjet janë demokratike është një pohim I rëndësishëm, të thuash se zgjedhjet kanë disa probleme, por ishin përgjithësisht demokratike, ke dekalruar se ato janë të papranueshme për BE-në, por jo për Ballkanin.

Ne në Shqipëri e njohim mirë këtë lloj politike sepse e pamë vetë sesi votiet njëpartiake të 2017-ës u legalizuan nga Brukseli që gjeti alibi precedentin e mosnjohjes së zgjedhjeve për shkak të bojkotit. Sistemi na u tha ishte në rrezik. Mirëpo nëse ky precedent shërbente si një mesazh edhe për vende të tjera në rajon, pse atëherë opozita serbe nuk rishikoi qëndrimin e vet, por vazhdoi me bojkotin?

Për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh na ndihmon larmia e qëndrimeve brenda vetë instituconeve të BE-së. Jemi mësuar ta shohim Unionin si një bllok monolit ku standardet as nuk diskutohen. E kundërta është e vërtetë. Viola von Cramon-Taubadel, nga grupi i të gjelbërve në PE ka deklaruar se zgjedhjet në Serbi nuk kanë arritur standardet bazike demokratike, pasi Vuçiç është sjellë si pronar në Serbi, jo si president. Sipas saj, “politikanë të lartë nga Partia Popullore Europiane kanë qenë aktiv në mbështetje të z. Vuçiç dhe kanë vlerësuar punën e tij”.

Çfarë rëndësie kanë këtu standardet? Asnjë, ose thjesht formale. Ja si zhvillohet politika nga ustallarë si Vuçiç:

Aleksandër Vuçiç ka premtuar se do të ketë një vend stabël në kufijtë tanë. Por stabiliteti nuk mjafton: ne duam një Serbi demokratike

shprehet raporterja e të Gjelbërve.

Kaq është politika e zgjuar e Serbisë. Premtim për stabilitet dhe ky premtim merret për i mirëqenë. Premtim për stabilitet dhe reforma bën edhe Edi Rama. Ai madje angazhohet për të minuar stabilitetin e Maqedonisë, nuk e ka për gjë të shpikë minoritete nëse ja kërkojën, bie dakord me shkëmbimin e territoreve në Kosovë nëse kjo ide ecën si moda e fundit e paqes në rajon dhe me këtë ka qepur gojët në Bruksel.

Ai që quhet stabilitet është në fakt banalitet. Sepse stabiliteti në vende që po boshatisen dhe ku krahët politikë janë përqafur fort me njëri-tjetrin është i garantuar deri në momentin kur sitiata të bëhet shpërthyese.

Ky model politike nga BE-ja na jep të kuptojë – ka nga ata që nuk duan me qamet të kuptojnë – se mesazhet e Brukselit duhen perceptuar në mënurë pragmatiste dhe përfituese. Ato nuk përfaqësojnë ndonjë standard moral dhe etik të ndryshëm nga ai në Ballkan. Ato janë prova e dështimit të Europës që është dukur përherë në këto anë si ai tregëtari që mban me vete si truprojë hajvanin e radhës nga indigjenët që gjen në territor.

Të besosh se demokracia apo drejtësia do të importohen është naive. Përkundrazi, zgjedhjet e shqiptarëve të thjeshtë në këto vite janë shumë më instruktuese: BE-ja është një mundësi punësimi dhe shkollimi. Asgjë më shumë. Përrallat me demokraci nuk ecin më as në vendin tonë ku sa më shumë rritet preokupimi verbal për standardet aq më shumë vidhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.